“Në Librari” vjen me 3 tituj! “Mbi liberalizmin. Në mbrojtje të lirisë”, “Kthimet” nga Rudolf Marku dhe “Lojë dritash” nga Daniel Kehlmann. “Melodia e Vargut” ju sjell vargje nga poeti Arben Duka.
“MBI LIBERALIZMIN” NGA CASS SUNSTEIN, LIBRI QË MBRON LIRINË
Një mbrojtje shumë e domosdoshme e liberalizmit, çfarë është ai, pse është nën kërcënim dhe pse kemi nevojë për të më shumë se kurrë. Nga një prej mendimtarëve politikë më të rëndësishëm të kohës sonë.
Liberalizmi në ditët e sotme më shumë se çdo moment historik të shënuar që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është nën presion, madje nën rrethim. Në krahun e djathtë, disa kanë hequr dorë nga liberalizmi. Ata e konsiderojnë atë përgjegjës për shpërbërjen e familjes dhe të vlerave tradicionale, kriminalitetin e shfrenuar, mungesën e respektit ndaj autoritetit dhe imoralitetin e përhapur. Në krahun e majtë, disa po i kthejnë shpinën liberalizmit. Ata mendojnë se ai nuk ka mjetet e nevojshme për t’u përballur me problemet që burojnë nga pabarazitë e rrënjosura, racizmi, seksizmi, fuqia e korporatave dhe degradimi mjedisor. Por kundërshtarët e liberalizmit nuk e paraqesin atë saktë; ata ofrojnë një karikaturë dhe neglizhojnë historinë e tij.
Në librin “On Liberalism” (Mbi Liberalizmin), ish-këshilltari i presidentëve Obama dhe Biden dhe autori bestseller i New York Times, Cass Sunstein, jep një kuptim të qartë dhe aktual të liberalizmit, të angazhimeve të tij themelore, të gjerësisë së tij, të debateve të brendshme, të karakterit të tij në zhvillim, të premtimit që mbart, dhe shpjegon pse kemi nevojë për të më shumë se kurrë. Ai tregon gjithashtu se si dhe pse liberalizmi ka qenë, dhe duhet të jetë, tërheqës si për krahun e majtë ashtu edhe për atë të djathtë.
Libri nis me një manifest në emër të liberalizmit dhe më pas vazhdon të eksplorojë idenë kryesore të “eksperimenteve me jetën”, të cilave rendi kushtetues liberal u jep një vend qendror. Më tej, ai trajton Xhon Stjuart Millin dhe Friedrik Hajekun, mendimtarë përkufizues të liberalizmit; sundimin e ligjit ashtu siç e kuptojnë liberalët; lirinë e shprehjes (përfshirë vendin e gënjeshtrave dhe pavërtetësive brenda asaj lirie); tregjet e lira, lirinë ekonomike dhe rregullimin; Deklaratën e Dytë të të Drejtave të Franklin Delano Ruzeveltit, me garancitë e saj sociale dhe ekonomike; dhe, së fundi, konceptin e mundësisë.
Libri kaq i shumëpritur dhe i nevojshëm për kohën aktuale “On Liberalism” (Mbi Liberalizmin) e çon debatin shumë përtej parullave politike reduktuese dhe nxitëse të momentit tonë dhe paraqet një argument bindës në emër të liberalizmit si themeli i lirisë dhe i vetëqeverisjes.
“KTHIMET”, BOTOHET LIBRI I RI ME POEZI I RUDOLF MARKUT
Rudolf Marku, një nga poetët dhe mendimtarët më të njohur të letërsisë shqiptare, vjen para lexuesit me librin e tij më të ri me poezi, “Kthimet” .
Në këto poezi ndërthuren kujtesa, malli, kthimi dhe udhëtimet e brendshme të njeriut. Poezia shfaqet si një përballje ekzistenciale me kohën, humbjen dhe vdekjen, duke e vendosur lexuesin në një udhëtim shpirtëror e filozofik.
Në këtë vepër, koncepti i kthimit nuk është thjesht rikthim fizik apo nostalgjik, por një proces i thellë etik dhe filozofik. Për Markun, në këto vargje, jeta njerëzore shfaqet si një udhëtim i pandalshëm nga lindja deri në vdekje, ku çdo kthim është në fakt një rikthim tek vetvetja.
“Kthimet” sjell rreth 100 poezi të shkruara gjatë viteve 2024-2025.
“LOJË DRITASH”, LIBRI I KEHLMANN PËR REGJISORIN E MADH PABST
Një nga titanët e kinemasë, ndoshta regjisori më i madh i epokës së tij, G. W. Pabst, gjendet përballë një bote që po shembet para syve të tij. Me ardhjen e nazistëve në pushtet, ai arratiset drejt Hollivudit, duke shpresuar në liri dhe siguri. Por nën diellin verbues të Kalifornisë, gjigandi i filmit papritur duket i vogël, i pafuqishëm si një xhuxh i humbur në hijen e vetvetes. As Greta Garbo, ylli që ai e ngriti në pavdekësi, nuk mund ta shpëtojë nga ndjenja e zhgënjimit dhe frikës që e kaplon.
Pa e kuptuar, Pabsti e gjen veten të rikthyer në atdhe, tashmë nën shtrëngimin e regjimit nazist. Familja e tij ndien tmerrin e diktaturës me gjithë ashpërsinë e saj, që nuk kursen askënd. Berlini ka vendosur: ministri i propagandës e kërkon gjeniun e filmit në shërbim të pushtetit dhe nuk pranon refuzim. Premtime të mëdha dhe tundime të rrezikshme e presin në heshtje.
Ndërsa Pabsti ende beson se mund të rezistojë, se arti është e vetmja diktaturë që do të pranojë, hapi i parë drejt një udhe pa kthim është hedhur tashmë. Çdo zgjedhje, çdo kompromis, duket si lojë me zjarrin dhe lexuesi ndien se si çdo çast mund ta shndërrojë legjendën e një mjeshtri në një tragjedi të pashmangshme.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
VARGJE NGA AUTORI ARBEN DUKA TE “MELODIA E VARGUT”
Rubrika e poezisë përcjell vargjet e bukura e të ngrohta të poetit Arben Duka
Iku puna jonë…
Eh-moj pëllumbeshë,
sa shumë që u deshëm,
me dashurinë tonë,
botën e përqeshëm.
Kur të shoh të zbardhur,
s’di ç’të them më parë,
për thinjat e tua,
më vjen për të qarë.
Iku puna jonë,
e sosëm lëndinën,
për rininë që shkoi,
të vëmë ulërimën…
Buzëmbrëmje në liqen…
Retë skuqin sa të marrin sytë,
muzgu ndizet prush në perëndim,
re e diell sikur kanë ngritur,
një pallat të artë pa mbarim.
Malet ngrihen shtylla mbi pallat,
si qemer i bardhë mbi shtylla retë,
uji i liqenit-i kristaltë,
faqen si mëndafsh shpalos lehtë.
Unë një guralec hedh në ujë,
dridhet faqe e ujit valëfloriri,
shtyllat me pallatin më thërrmohen,
në mijëra kristale xhevahiri.
Muzg…
E butë buzëmbrëmja afroi,
si krahë pëllumbi pendëhirtë,
gjithçka përreth ledhatoi,
me gishtat e saj hijedritë.
Fëmijët dhe zogjtë u mblodhën,
në çerdhet e bukura shumë,
tërë ditën çapkënët u lodhën,
qerpikët u dridhen për gjumë.
Me vel të hollë-misterioz,
ja nata mbuloi gjithçka,
por brenda velit ngjyrë rozë,
sa zjarre-sa zjarre që ka…
Komente





