“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Në atë vend” nga Ardian Vehbiu, “Të poshtëruar” nga Lea Ypi dhe “Shtëpia e dritave” nga Donato Carrisi
ARDIAN VEHBIU, AUTOR
“NË ATË VEND”, MBRESA UDHËTIMES IMAGJINARE NGA ARDIAN VEHBIU
Titulli: Në atë vend (Mbresa udhëtimesh imagjinare)
Ai vend ishte shitur. Jo se kishte ndonjë njoftim publik për këtë dhe as ndonjë informacion të rrjedhur a dyshim se cili mund të kish qenë blerësi. Vetëm rrugëve ndihej një lloj pasigurie lehtësisht dehëse, e çiftuar me tundimin për të mëkatuar. Kambanat e kishave kumbonin më mbytur, gratë harronin të ktheheshin darkave në shtëpi, burrat nuk i hiqnin kravatat, kur binin për gjumë. Vend i shitur. Katet e ndërtesave të reja tkurreshin, vendparkimet shtoheshin, mbylleshin dyqanet e luleve dhe kinematë, varrezat shpronësoheshin. Vend i shitur. Parashikimet e motit dështonin, kitaristët barteshin gjetiu, binte çmimii i mermerit, rritej çmimi i gipsit. Plugu i bujkut nxirrte nga dheu krimba të ngordhur.
ARLINDA DUDAJ, BOTUESE
YPI TREGON HISTORINË E GJYSHES PËRMES DOSJEVE TË SIGURIMIT
Titulli: Të poshtëruar (Të mbijetosh në epokën e ekstremeve)
Kur Lea Ypi gjen në rrjetet sociale një fotografi të vitit 1941, ku shfaqet gjyshja e saj Lemani, gjithçka që dinte për të shkuarën familjare, tronditet. Në fëmijëri i kishin thënë se kujtimet e rinisë së gjyshes ishin zhdukur nga komunistët pas ardhjes në pushtet. Por ja ku është një imazh i saj, e sapomartuar me Asllan Ypin, të dy të buzëqeshur, në kulmin e Luftës së Dytë Borërore.
Kush ishte me të vërtetë Leman Ypi? Pse fliste frëngjisht kur ishte rritur si mbesa e një pashai në Selanik? Ç'e shtyu të linte qytetin kaq e re për të nisur jetën e vetëm në Tiranë? Si u dashurua dhe u martua me një socialist simpatizant të Frontit Popullor, ndërkohë që babai i tij bashkëpunonte me fashistët? Dhe mbi të gjitha, çfarë fshihej pas asaj buzëqeshjeje të papritur në dëborën e Cortina-s kur e gjithë Europa po bëhej shkrumb e hi?
Duke ndjekur gjurmët e së shkuarës, autorja3 udhëton drejt vendeve të rinisë së gjyshes - nga bota e zhdukur e aristokracisë osmane, te realiteti i ri i Ballkanit nën fashizëm dhe më pas nën komunizëm. Në një libër të thellë e njëkohësisht magjepsës, me zërin e saj të paimitueshëm, Ypi shtron pyetjen themelore të mbijetesës në një epokë ekstremesh, zbërthen brishtësinë e së vërtetës - qoftë ajo personale apo politike - dhe çmimin e vendimeve të marra kundër rrymës së historisë. Përmes raporteve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit, dëshmive gjyqësore dhe kujtimeve të saj për gjyshen Leman, na udhëheq në një udhëtim mes së tashmes dhe të shkuarës, ku arkivi ndërthurret me imagjinatën, dhe faktet me trillimin.
Herë epik e herë intim, "Të poshtëruar" është një reflektim i fuqishëm mbi brishtësinë e së vërtetës - personale dhe politike - dhe mbi pyetjet që vazhdojnë të na ndjekin. çfarë dimë me të vërtet për atë që duam? Dhe me ç'të drejtë morale i gjykojmë zgjedhjet e brezave të shkuar?
Romani sjell momente historike gërshetuar me dialogje të imagjinuara, ndërsa autorja ka eksploruar edhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Libri është një përzierje mes letërsisë, filozofisë dhe historisë.
IRENA TOÇI, BOTUESE
DONATO CARRISI, NË SHQIP ME LIBRIN E TRETË TË TRIOLOGJISË
Titulli: Shtëpia e dritave
Pjetër Xherberi vdiq të hënën e parë të korrikut rreth orës dhjetë e tridhjetë në një mëngjes të nxehtë vere. E megjithatë, ajo ngjarje do të përbënte vetëm një episod të caktuar në tërësinë e ndodhive të jetës së tij. Me kalimin e kohës rëndësia e saj do të ishte aq sa e gjithçkaje tjetër që ka zënë vend në katalogun e kujtesës. Për hir të së vërtetës duhet thënë se mund të quhej e gabuar ta cilësoje edhe si “kujtim”, pasi Pjetri Xherberi nga ai çast do të mbante mend shumë pak. Më së shumti kujtonte vetëm detajet që i kishin paraprirë ngjarjes fatale. Dhoma ngjyrë jargavani në katin e parë të vilës në Porto Erkole. Aroma e livandës. Shtrati i rregulluar. Dritarja që binte mbi kopsht e hapur tej e tej, perdet prej dantelle që valëzonin si fantazma drejt qiellit të kaltër. Ai farë gulçimi i çliruar nga atletet e konsumuara, kur fërkoheshin me pllakat prej terakote ndërkohë që rende të fshihej në ballkon, i ndjekur nga një hordhi bashkëmoshatarësh të vendosur ta kapnin në mënyrë që të përfundonte loja. Djersa që i rridhte nga flokët te faqet e nxehura teksa kalonte përmes dhomës. Shija e njelmët e piklave që i përfundonin në gojë. Dihatja dhe buzëqeshja e pavetëdijshme që i ndriçonte fytyrën në çastin kur kthehej një moment që të kontrollonte ata që i ishin qepur këmba këmbës.
Sonila Strakosha
"Melodia e vargut" përcjell në dy poezi emocionin e poetit Frederik Rreshpja
Qielli i djalërisë
Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
Ra mbi korijen me përralla ;
Nga kashta e kumtrit bie dhe bie
Tërfili i artë i qiejve.
Këmbanat e yjeve lëkunden me hare
Prerë nga hëna e majit.
Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
U zhduk pas portës së ylberëve.
Zhduket pas portës së ngjyrave djalëria
Dhe mua trishtimi më mbulon
Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,
Në një botë qe nuk më kupton.
Kur ishim të vegjël
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit
nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.
Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.
Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.
Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet.
Komente






