Në Librari” vjen me 3 tituj: “Një mijë e një net” nga thesari i çmuar i botës arabe, “Qeni dhe kontrabasi” nga Saša Ilić dhe “Rikthim” nga Fred Uhlman. Melodia e Vargut ju sjell vargje nga Ismail Kadare.

“NJË MIJË E NJË NET”, THESARI I ÇMUAR I BOTËS ARABE NË SHQIP

Titulli: Një mijë e një net (Vëllimi 1)
Përktheu: Elmas Fida
Botues: Albas
Çmimi: 2200 lekë

“Një mijë e një net”, një thesar i çmuar i botës dhe i kulturës arabe vjen përkthyer nga origjinali në shqip nga Elmas Fida. Boshti kryesor i  këtyre rrëfimeve apo “rrëfenjave për të rritur” është historia e mbretit Shehrijar, që i zhgënjyer nga tradhtia e së shoqes, vendos të martohet çdo ditë me një vajzë, të cilën, me t’u gdhirë dita e re, e ekzekutonte. E vetmja që e ndërpreu këtë zinxhir mizorish, ishte Shehrezadja. Me aftësinë e saj të lindur dhe kulturën që zotëronte, ajo e përhumbi mbretin në rrëfimet e saj për një mijë e një net me radhë, duke u kthyer në simbolin e gruas, që arrin të zbutë bishën brenda autoritetit të verbër mashkullor.

Gjithashtu, mjaft mbresëlënëse janë edhe fragmentet erotike, të sjella me delikatesë në shqip, duke ruajtur frymën e kohës, kur trupi, fjala dhe imagjinata ishin një. Ky botim vjen për herë të parë i plotë në gjuhën shqipe nga origjinali (katër vëllime). Në këtë vëllim të parë janë përmbledhur 168 rrëfenja.

“SHKATËRRIMI I ISH-JUGOSLLAVISË”, NË SHQIP LIBRI I SAŠA ILIĆ

Titulli: Qeni dhe kontrabasi
Autor: Saša Ilić
Përktheu: Ben Andoni
Botues: Toena
Çmimi: 1600 lekë

Duket e pamundur që të përmbledhësh në një roman të gjithë paradoksin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Por autori Saša Ilić e zgjidh përmes rrëfimit të nëntëmbëdhjetëvjeçarit Filip Isaković që pas shumë kohësh në anijen luftarake JRM, në vjeshtën e vitit 1991, u gjend para ishullit të Lošinjit. Asokohe, ajo ishte aroma e fundit e parajsës sepse të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë e kaploi errësira e luftës dhe i gjithë vendi do të përmbytej nga gjaku.

Plot dy dekada më vonë, një ish-veteran lufte dhe kontrabasist xhazi, tashmë i shkatërruar mendërisht dhe pothuaj edhe fizikisht dhe që madje nuk mund të luajë më, shoqërohet në një spital psikiatrik në Kovino, ku takon ata që u braktisën nga shteti, pasi i përdori turpshëm për luftërat e tij.

“RIKTHIM”, ROMANI I UHLMAN MBI VITET E NAZIZMIT NË GJERMANI

Titulli: Rikthim
Autori: Fred Uhlman
Përktheu: Albana Sala Dëonch
Botues: Dudaj
Çmimi: 1000 lekë

Gjermani, viti 1932. Dy djem gjashtëmbëdhjetëvjeçarë ndjekin të njëjtën shkollë ekskluzive në Shtutgart. Njëri është djali i një mjeku hebre, tjetri pasardhës i një familjeje të pasur aristokratike.

Mes tyre lind një miqësi e thellë, një mirëkuptim i përsosur dhe magjik. Por vendi ku po jetojnë ndryshon thellësisht. A do të mundet që kjo miqësi të mos shkatërrohet nga historia?

Një rrëfim me një finesë dhe forcë sugjestive të jashtëzakonshme, “Rikthim” u botua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1971 dhe më pas kudo, ku mori një sukses të madh, si te publiku ashtu edhe te kritika.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Rubrika e poezisë sjell vargje nga i madhi Ismail Kadare.

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja

Troja që unë dot s’e pushtoja.

Ti ishe për mua e pakuptueshme,

Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra

T’i përqafoja flokët e dendura.

Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja

Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,

Ti, e shtrenjta ime etruske.

Edhe kur kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur

Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës

Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,

Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj

Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,

Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim

Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi

Po iki larg teje…

Asgjë e jashtëzakonshme,

Veç ndonjë nate

Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu

Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë

Unë pashë lulet e para

Unë pashë lulet e para

që çelen kudo përmbi dhe

Pashë zogjtë e parë shtegtarë

q’u kthyen sërishmi tek ne

Në brigje, në kopshte, në ara

gjithçka është e parë, gjithçka

Ndërmend dashuria e parë

ato kur i pashë më rà.

Do vyshken të gjitha të parat

dhe prap do kthehen ato

përveç dashurisë së parë

as vyshket, as kthehet ajo…