Rubrika e poezisë sjell vargje nga poeti premtues i qytetit të Durrësit, Rei Hodo. Vargu i Reit tërheq për stilin tërësisht individual, të sigurt, sa të thellë dhe depërtues, po aq dhe romantik.
Poezia e parë:
gjethnajë flokëzash
kufij qerpikët e zgjatur,
nga bota të ndan
një qark syri
teksa ledhatohen flokëzat mbi lëkurë
dëshpërimisht tingëllon hëna melankoli
ç’hije lakmitare formon bulëza e lotit nën qepallë
dhe derdhet hirësishëm trupi i shpatullës
engjëjt rrëfejnë qiellit me sytë nga ti
perandori e lëkurtë e kurmit tënd
gjithësi e botës tek një bebëz irisi
hijet qarkojnë me lakmi qenien
sillen si valët bregut
kufij qerpikët e zgjatur deri në eter
bota rrëfen me sytë nga qielli
një mall të ri
ç’hije hirësishëm drithëron dielli
në atë gjethnajë flokëzash ku rri ti
Poezia e dytë:
herbarium katrahurash
i yti kurm një tokë djerrë
pa zbuluar brigjet virgjëri
një gushë honëzake lejleku trazuar
dremiste mbi supin e qetishtës
pa vënë dorë mbi ty
dhe mbet ashtu hapësirë e pazbuluar
pa një fat tragjik a jetësor në trastë
një kurm zëmbytur që përkund
mallin për një histori të re
Poezia e tretë:
dielli mbi ty hedh perëndimin
gjinjtë e tu të fryrë i përflak
ndërsa kotesh si një turp fare i ri
ajmè kështu do të jetë shkruar
edhe në legjenda
se dielli gjithnjë mbi gjinjtë
e fryrë të detit
flì do bjerë
duke bërë
dashuri
Lajmi kryesor:
'Në Librari' vjen me 3 tituj: Gegnishtja dhe identiteti në poezitë e Oriola Gjetajt, ‘Një udhëtim në historinë 150-vjeçare të shtypit arbëresh’ dhe ‘Ngjitja’, romani që zbulon hijet e së kaluarës naziste


