1. “ASNJË TROKITJE NË QIELL”, ROMANI I SHTATË I NAMIK DOKLES

Titulli: Asnjë trokitje në qiell

Autori: Namik Dokle

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 1200 lekë

Pas dekadash në politikë, Namik Dokle shfaqet gjithnjë e më shpesh para publikut si shkrimtar.

“Asnjë trokitje në qiell” është romani i tij i ri, ku Dokle parashtron sfidat e jetës së përditshme, përmes personazheve të tij.

Është dimri i ftohtë i fund dhjetorit-fillim janarit, kur protagonistët gjenden me sprovën e urisë, betejën e jetës dhe ndarjes nga jeta.

Fabula e zgjedhur është ajo e shtatë personave, që rastësisht janë gjendur në një shtëpi të vetme në një fshat të braktisur. Disa prej tyre janë pjesëtarë të një familjeje, dy të tjerë janë të panjohur, ndërsa djali i familjes është vrarë në një betejë dhe ka lënë porosi të varroset në fshatin e gjyshit.

2. DOMENICO STARNONE SËRISH NË SHQIP, KËTË HERË ME “MIRËBESIM”

Titulli: Mirëbesim

Autori: Domenico Starnone

Përktheu: Mimoza Hysa

Shtëpia botuese: Mediaprint

Çmimi: 1000 lekë

Romani “Mirëbesim” është ndër më të rëndësishmit e krijimtarisë së viteve të fundit të Starnones. Në qendër të romanit është marrëdhënia e brishtë mes një mësuesi, Pietros, dhe ish-nxënëses së tij, Terezës. Në një çast afërsie të pazakontë, ata i besojnë njëri-tjetrit një sekret të rëndësishëm, një rrëfim që qëndron si teh shpate dhe kërcënim në jetën e të dyve për vite me radhë.

Por, romani nuk është vetëm një rrëfim për dashurinë, për ndikimin e së kaluarës apo për pasojat e sekreteve.

Romani “Mirëbesim” është një vështrim i mprehtë për mënyrën si ndërtohet identiteti personal dhe publik, si manipulohet me realitetin dhe vetveten për të mbijetuar në një botë që na shtyn drejt performancës më shumë se sa drejt së vërtetës.

3. ETNOGRAFI TINGUJSH, ESE MBI ARBËRESHËT DHE KËNGËN EPIKE

Titulli: Etnografi tingujsh

Autori: Nicola Scaldaferri

Përktheu: Mikaela Minga

Shtëpia botuese: Berk

Çmimi: 1800 lekë

Libri “Etnografi tingujsh: Ese mbi oralitetin, arbëreshët dhe këngën epike” i Nicola Scaldaferri-t, me përkthim të Mikaela Mingës, shqyrton marrëdhënien ndërmjet oralitetit, shkrimit muzikor dhe përfaqësimit, duke propozuar një mënyrë të re për të kuptuar dhe dokumentuar muzikën si formë njohjeje dhe kujtese kolektive.

Përmes konceptit të “etnografisë së tingujve”, Scaldaferri zhvendos vëmendjen nga partitura dhe notacioni drejt praktikave jetësore që e gjenerojnë tingullin, si performanca, trupi, mjedisi dhe teknologjitë e regjistrimit, duke i parë këto si pjesë të një procesi të vazhdueshëm të krijimit kulturor.

Studimet mbi komunitetet arbëreshe në Italinë e jugut dhe mbi epikën shqiptare evidentojnë mënyrat se si oraliteti dhe identiteti ndërthuren nëpërmjet zërit, ritualit dhe kujtesës diasporike, duke hedhur dritë mbi mënyrën si këto tradita, të zhvilluara në kufijtë midis kulturave, formësohen e rifillojnë jetën përmes teknologjive moderne. Arkivi, kësisoj, shihet si një hapësirë dinamike ndërveprimi midis historisë dhe përvojës bashkëkohore.

Në tërësi, libri sjell një këndvështrim që e zhvendos etnomuzikologjinë nga përshkrimi i folklorit drejt një antropologjie të re të dëgjimit, ku tingulli bëhet  mjet për të kuptuar marrëdhëniet komplekse të kujtesës, trupit dhe kulturës në epokën digjitale.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Në rubrikën e poezisë vijnë disa nga vargjet e mrekullueshme të Filip Shirokës të cilat aq fuqishëm shprehin mallin e dashurinë për vendlindjen.

Shko dallëndyshe

Udha e mbarë se erdh pranvera,

shko, dallëndyshe tue fluturue,

prej Misirit n'dhena tjera,

fusha e male tue kërkue;

n'Shqipni shko, pra, fluturim,

shko në Shkodër, n'qytetin tim.

Shëndet prej meje të m'i falësh

saj shpisë vjetër ku kam le,

me ato vende rreth t'perfalesh,

ku kam shkue kohën e re;

atje shko, pra, fluturim,

fal me shndet qytetit tim.

Me ato male, me ato kodra,

me ato prroje rreth t'përfalesh

n'ato fusha që m'ka Shkodra

të lulzueme, aty t'ndalesh;

tue kndue me ambëlcim,

fal me shndet qytetit tim.

T'mujsha dhe un' me fluturue

dojsha e un' me u nisë me ty,

dojsha n'Shkodër me kalue,

m'e pa prap at'vend me sy!

Por… ti shko atje… fluturim

e ti qajma fatin tim.