HISTORIA E GRUAS SË PARË ARKITEKTE TË EVROPËS MODERNE
Titulli: Arkitektja
Autori: Melania G. Mazzucco

Përktheu: Ornela Islami
Shtëpia botuese: Dituria
Çmimi: 1500 lekë
Xhovani Briço është një gjeni plebe, i shpërfillur nga letrarët dhe nga oborri: dyshekpunues, piktor pak i njohur, muzikant, komediograf popullor, aktor dhe poet. Një qen endacak i çuditshëm në një epokë në të cilën nevojitet një padron, Briçoja i mëson së bijës pikturën dhe e hedh në botën e artit si një rioshe me aftësi të veçanta, duke i imponuar fatin e virgjërisë.
Ky është një lloj prezantimi i shkurtër i romanit më të ri në shqip, “Arkitektja” i shkrimtares italiane Melania Mazzucco. Libri vjen sërish në shqip nën siglën e botimeve "Dituria" dhe me përkthimin e Ornela Islamit.
Me librin e saj të ri në shqip, “Arkitektja”, Melania G. Mazzucco i rikthehet romanit historik, pasionit të saj për artin dhe interpretuesve të tij. Ndërsa rrëfen lavditë, intrigat, dhunën dhe mjerimet e Romës së papëve dhe entuziazmin e një shekulli që ishte edhe fanatik, edhe liridashës, ajo na jep portretin e një gruaje të jashtëzakonshme të shekullit të shtatëmbëdhjetë, shumë e zonja për të mos lejuar të flitej për të dhe për të fshehur guximin dhe ëndrrat e saj për të realizuar veprën që do ta bënte të njohur më vonë: ndërtimin e një vile origjinale në kodrën me pamje nga Roma, e projektuar, planifikuar dhe ekzekutuar nga ajo, Plautila, arkitektja e parë e historisë moderne. Një vepër në të cilën femrat pretendojnë të drejtën për t’u realizuar në art, duke kapërcyer rolet që shoqëria dhe kultura e kohës u ka caktuar gjithmonë.
Melania G. Mazzuço ka lindur në Romë. Është autore e romaneve të përkthyera në rreth 25 gjuhë të botës dhe e vlerësuar me çmime, studiuese dhe e pasionuar pas artit.
Më 1996 botoi romanin e saj të parë Puthja e Meduzës, e ndjekur nga vepra të tjera, si: Vita, Një ditë perfekte, Pritja e gjallë e engjëllit, Arkitektja. Është fituese e disa çmimeve të rëndësishme, si: Strega (2003), Comisso, Viareggio-Tobino etj.
Mbi librin
Në majin e vitit 1624, një burrë shoqëron të bijën në plazhin e Santa Severës, ku ka ngecur një krijesë fantastike. Një balenë. Xhovani Briço është një gjeni plebe, i shpërfillur nga letrarët dhe nga oborri: dyshekpunues, piktor pak i njohur, muzikant, komediograf popullor, aktor dhe poet. Një qen endacak i çuditshëm në një epokë në të cilën nevojitet një padron, Briçoja i mëson së bijës pikturën dhe e hedh në botën e artit si një rioshe me aftësi të veçanta, duke i imponuar fatin e virgjërisë. Por Plautila, grua dhe me origjinë të thjeshtë, e ka të vështirë të dalë në pah në mjedisin e artistëve romanë, i sunduar nga Bernini dhe Pietro nga Kortona.
Takimi me Elpidio Benedetin, që ëndërron të bëhet shkrimtar, i përzgjedhur nga kardinal Barberini si sekretar i Mazarinit, do t’i ndryshojë asaj jetën. Me ndihmën e këtij bashkudhëtari të pazakontë, ajo do të bëhet shumë më tepër nga sa kishte guxuar të imagjinonte i ati.
Melania Mazzuço, teksa rrëfen për lavdi, intriga, dhunë dhe mjerime të qytetit të papëve dhe zjarrminë e një shekulli njëherazi fanatik e libertin, na dhuron portretin e një gruaje të jashtëzakonshme të shekullit XVII, shumë e aftë për të mos u dalluar dhe për të fshehur guximin dhe ëndrrat për të realizuar sipërmarrjen që do të shpërblente një jetë të tërë: ndërtimin e një vile origjinale haresh në kodrën që sundon mbi Romë, të skicuar, projektuar dhe realizuar nga ajo, Plautila, arkitektja e parë në historinë moderne.
“Jam kthyer në Shqipëri pas rreth nëntë vitesh. Herën e mëparshme erdha për përkthimin e librit “Vita”, një roman mbi emigrimin e italianëve në Amerikë. Këtë rradhë vij me ‘Arkitektja’, një roman që tregon një histori të vërtetë të Plautila Briçit, të parës gruas arkitekte të Europës moderne. Një e re romane, e lindur në një familje mjaft të thjeshtë, që duket se me gjasë kurrë nuk mund të kishte bërë diçka të tillë, por në fakt asnjë nuk dinte gjë për emrin e saj, në një kohë kur unë hasa në emrin e saj dhe thashë: si ka mundësi që nuk e njohim?! As emrin e saj dhe asnjë nga punët e saj. Ajo ishte komplet e harruar. Ishte diçka e rrezikshme, një shembull për atë se çfarë mund të bëjë një grua. Ideja e të shkruarit një roman për të është ajo e lejimit të rizbulimit, diçka që po vjen, sepse pas botimit të romanit në Itali, u hap një ekspozitë e madhe me të gjithë kuadrot dhe dizenjot e saj arkitektonike dhe më pas, pak nga pak nga arkivat po dalin lajme të tjera që bëjnë të mundur të gjejmë të tjera punë të saj dhe më në fund Plautila u kthye atje ku duhej të ishte. Jam mjaft e lumtur që romani vjen i përkthyer në shqip, një vend vëlla, mjaft afër. Mendoj që personazhi i kësaj gruaje të disavantazhuar në një shoqëri patriarkale, që ia arrin t’ia dalë përmes një strategjie aleance nënshtrimi dhe një pune të heshtur të bëjë revolucion të madh, kjo është një histori universale, që vlerësohet edhe nga botuesit shqiptarë.”
“FSHESARJA E REPUBLIKËS”, RRËFIM JETE E HISTORISH FEMËRORE
Titulli: Fshesarja e Republikës
Autore: Anisa Markarian
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1200 lekë
Romani “Fshesarja e Republikës” është libri i pestë i shkrimtares Anisa Markarian, që lëvron zhanrin e realizmit magjik.
Libri është një vepër që sjell një pasqyrë të ndërlikuar dhe të thellë të shoqërisë shqiptare dhe të përplasjes mes individëve dhe sistemit. Ky roman trajton tema të rëndësishme sociale, si dhuna ndaj grave, korrupsioni dhe përpjekjet për të sfiduar një regjim të shkatërruar, duke u fokusuar në jetën e Vezullores, një vajzë e re që është simbol i rebelimit dhe rezistencës ndaj padrejtësive. Me një stil unik, që kombinon realizmin magjik dhe humorin e zi, Markarian kërkon të shkaktojë një reflektim të thellë tek lexuesi, duke e ftuar atë të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga indiferenca sociale dhe politike.
Autorja Anisa Markarian u bë e dashur për publikun shqiptar që në adoleshencë, falë interpretimit të rolit të Dhuratës në filmin artistik “Vajzat me kordele të kuqe”. Në moshën 18-vjeçare fiton kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar për rolin e Zanës në filmin “Në çdo stinë”. Do të pasojnë dy filma të tjerë me pjesëmarrje si skenariste dhe aktore. Filmi i saj i katërt, “Pranvera s’erdhi vetëm”, u shpall filmi më i mirë i Festivalit të 8-të të Filmit Artistik Shqiptar. Që nga viti 1991, Anisa Markarian jeton në Francë, ku ka krijuar familjen e saj dhe ushtron profesionin e mjekes urgjentiste.
“PERANDORIA E ZOTAVE DHE E KAFSHËVE” NË BOTËN E MAGJISË
Titulli: Perandoria e zotave dhe e kafshëve
Autori: Joyce Chua
Përktheu: Elisa Ivanaj
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1400 lekë
Katër Elementalë janë në luftë me njëri-tjetrin se cili do të dalë në krye. Një betejë e përgjakshme do të zhvillohet midis Lettorias dhe Mbretërisë Oasis për shkatërrimin e Murit që e mbajti magjinë për disa shekuj, jashtë Mbretërisë Oasis. Kur Trëndafilja e Shkretëtirës dhe Uindshadou (Hija e erës) kthehen në mbretëri në kërkim të Elementalit të Fundit, një princ rebel mbërrin nga perëndimi, duke paralajmëruar fillimin e revolucionit. Ndërkohë, rizgjimi i një fuqie të lashtë trazon zemrën e errët të malit Yeli, i sapo dalë nga magjia që ka pllakosur mbretërinë. Elementalët që janë duke përfunduar garën për në Pranverën e Pavdekshme, e cila është porta e fundit për të mbërritur në Perandorinë e Perëndive dhe të Kafshëve mund të mbështeten vetëm në fuqitë që trashëgojnë nga perënditë e tyre, për të mbetur të gjallë në shkatërrimin dhe rilindjen e botës së re.
Edhe pse tradhtitë vazhdojnë të kenë ndikimet e tyre, Trëndafilja e Shkretëtirës është e vendosur që të shpëtojë nga prangat të atin dhe fatin e saj me çdo kusht; edhe nëse kjo do të përcaktojë fatin e keq që e pret atë si një Elementale e mbijetuar.
Një libër tërheqës dhe i shkruar bukur, “Perandoria e zotave dhe e kafshëve” është një libër dramatik i mirëfilltë, që ia vlen të lexohet prej cilitdo, “që i pëlqen të përfshihet në botën e magjisë, dhembshurisë atërore, luftës për pushtet dhe triumfit të dashurisë së pastër”.
Joyce Chua është diplomuar në Universitetin Kombëtar të Singaporit për gjuhën angleze. Ajo është gazetare dhe bashkëpunëtore për revistat e njohura: “Cosmopolitan”, “Harper’s Bazaar”, “Her Ëorld”, “The Straits Times”, etj. Është autore e trilogjisë të cilën e bëri të famshme edhe përtej Singaporit, e cila fillon me librin “Toka e rërës dhe e këngës”, botuar në 2022.
Vlerësime
“Ka gjithçka që unë jam e interesuar të lexoj në një libër dramatik të mirëfilltë... por që ai vlen të lexohet prej cilitdo që i pëlqen të përfshihet në botën e magjisë, dhembshurisë atërore, luftës për pushtet dhe triumfit të dashurisë së pastër”.
— Audrey Chin, autore e “The Ash House”
“Ky është një libër jashtëzakonisht tërheqës dhe i shkruar shumë bukur”.
— Eva Wong Nava, autore e “The House of Little Sisters”
“Plotësisht magjepsës dhe emocionues.”
— Leslie W, autore e “The Night of Legends”
MELODIA E VARGUT nga Sonila Strakosha
"Melodia e vargut" shoqërohet nga vargjet e poetes së njohur amerikane të shekullit te XIX Emily Dickinson.
Një jetë e ndërlikuar ajo e Dickinson. Ka qenë e frikësuar dhe e fiksuar nga vdekja. Një pjesë të jetës e ka kaluar e izoluar, mbyllur në dhomë. Aty shkruante. Vepra iu vlerësua më së shumti pas vdekjes.
Me gjithë çrregullimet dhe gjendjen e ankthit që e karakterizonin njihet sot për poezitë e thella dhe të ndjeshme të cilat shpesh eksplorojnë temat e vdekjes, dashurisë, natyrës.
Hyjnizon dashurinë kur shkruan:
Ai të cilin e duan nuk njeh vdekje
Sepse dashuria është pavdekësi,
Ose më mirë, është
Një substancë hyjnore.
Kush dashuron, nuk njeh vdekje
Sepse dashuria bën që jeta
Të rilindë në pavdekësi.
Reflekton mbi kuptimin e jetës në këto vargje:
Në qoftë se mund të ndaloj një zemër të thyhet
Nuk do të kem jetuar më kot
Nëse do të lehtësoj vuajtjen e një jete
Ose të shëroj një dhimbje
Apo të ndihmoj një gushëkuq të rrëzuar
Të kthehet në fole
Atëherë, nuk do të kem jetuar më kot.
Me gjithë problematikat dhe vështirësitë ne vargjet e saj ndihet forca e shpresës dhe dëshira për jetën.
Një ndër poezitë më të njohura është dhe ajo me titull
"Shpresa"
Shpresa është një krijesë
Me flatra puple
Që folenë bën në shpirt
Dhe këndon melodi pa fjalë
Pa u ndalur kurrë.
Dhe ti e ndjen të ëmbël në erë
E vetëm një furtunë e ashpër
Do ta trembte zokthin e butë
Që sa shumë prej nesh ngushëlloi.
Në tokën më të akullt e dëgjova
Dhe në më të pakuptueshmet dete
E megjithatë, as në nevojën më ekstreme
Nuk kërkoi një thërrime prej meje.
SI.E./I.M/Shqiptarja.comKomente

