‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut

“Lufta e fshehtë në Shqipëri” nga Roderick Bailey, “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nga Elvira Dones dhe  Kuka janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

Titulli: Lufta e fshehtë në Shqipëri

Autor: Roderick Bailey

Gjinia: Histori

Përktheu: Edval Zoto, Alvin Saraçi

Recensues: Pëllumb Xhufi

Shtëpia botuese: “Naimi”

Çmimi: 2000 lekë

Një nga gazetat më të mëdha në botë, “The Times”, e vlerëson librin “Lufta e fshehtë në Shqipëri” i Roderick Bailey, profesor i historisë në Universitetin e Oksfordit si “Një çelës për të gjithë ata që janë të interesuar për të kaluarën e kësaj zone, për luftën dhe politikën e saj ose përvojat e njerëzve që luftuan në Shqipëri”.

Libri është i bazuar në dokumente arkivore, në raportet e dërguara prej ushtarakëve britanikë nga terreni, si dhe në udhëzimet që u vinin atyre nga Londra. Autori ka shfrytëzuar edhe fonde të rezervuara, deri tani të panjohura, duke zbuluar aspekte ende të panjohura të Luftës Antifashiste në Shqipëri, të qëndrimeve të mbajtura nga formacionet e ndryshme politike e ushtarake shqiptare ndaj pushtuesit, të marrëdhënieve të tyre me misionet aleate si dhe të marrëdhënieve konfliktuale që grupimet shqiptare patën mes tyre qysh në fillimet e rezistencës antifashiste.

Në fund të librit gjendet edhe një album fotosh të protagonistëve të kësaj historie të nxjerra prej autorit nga arkivat britanike dhe që publikohen për herë të parë. “Lufta e fshehtë në Shqipëri” fitoi Çmimin e Parë si “vepra shkencore më cilësore kushtuar antifashizmit në Shqipëri” në Konkursin Ndërkombëtar për këtë temë.

Titulli: Jeta e shkurtër e Lukas Santanës

Autori:  Elvira Dones

Gjinia: Roman

Shqipëroi: Aida Baro

Shtëpia botuese: Pegi

Çmimi: 1200 lekë

“Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nuk është thjesht një roman, por historia e vërtetë e një djaloshi teksan, të cilin Donesi e ka shoqëruar përgjatë verës së mbrame të jetës së tij. Ai është një reflektim mbi dënimin kapital dhe mënyrat perverse të shfrytëzimit të sistemit të drejtësisë, mbi kthesat ogurzeza të fatit dhe përpjekjet e dëshpëruara të shtresave të margjinalizuara për të kaluar një prag të pakapërcyeshëm, një pasqyrë e vetëmohimit të grave në çfarëdolloj sistemi.

Ai cilësohet si një roman koral shumë i fuqishëm, që di të risjellë shpresat dhe dështimet personale përtej ligjeve.

Titulli: 20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë

Autore: Suzana Varvarica Kuka

Çmimi: 750 lekë

Në historinë e artit shqiptar, disa nga artistët më të mëdhenj të tij i cilësojnë si “mjeshtërit e hershëm”. Në këtë libër, fëmijët dhe të rinjtë për herë të parë do të njihen me 20 mjeshtër, që me veprat e tyre filluan t`i jepnin jetë dhe zhvillim atmosferës së arteve figurative të shek. XX në vendin tonë. Në mënyrë të përgjithshme, termi “mjeshtërit e hershëm” u referohet artistëve më të parë, që jetuan në Shqipëri dhe krijuan gjatë periudhës 1860-2000. Libri është ndërtuar në 20 artikuj të veçantë. Secili prej tyre i përket jetës dhe krijimtarisë së një mjeshtri të vetëm.

Në çdo artikull shqyrtohet koha shoqërore dhe vendi i lindjes së mjeshtrit, tregohet rreth edukimit, arsimimit dhe formimit të tij artistik. Nga krijimtaria e gjerë e çdo mjeshtri është përzgjedhur me kujdes një vepër, për të cilën shpjegohet tema, subjekti dhe ngjyrat e përdorura. Secila vepër përshkruan aftësitë krijuese, talentin pasqyrues dhe imagjinatën e secilit mjeshtër të hershëm, për të krijuar stilin vetjak figurativ.

Gjuha rreth artit, e përdorur në libër është një gjuhë e thjeshtë për fëmijët dhe të rinjtë. Ajo është e kuptueshme në përshkrimet rreth pikturave të përzgjedhura dhe ndihmon në shkëputjen e kurioziteteve, të cilat tërheqin vëmendjen e tyre, për të njohur disa qasje intime nga jeta dhe krijimtaria e çdo mjeshtri të hershëm.

RUBRIKA “MELODIA E VARGUT”

Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha

Në rubrikën "Melodia e Vargut" prezantohet libri  me poezi "Tektonika e Shpirtit" i autorit Azgan Berbati.

Vargu i Azgan Berbatit ka fuqinë të tërheqë vëmendjen, të godasë, të emocionojë, ndonjëherë deri në dhimbje. Poezia e tij befason për figuracionin letrar dhe forcën e madhe shprehëse.

Dehje

Ti je vjeshtë

Ku rrushi i zi

Piqet në sytë e tu

E damarëve rrjedh vera

Që i deh sytë e mi.

Në qiell yjet hapin zjarr

Dhe shembin fortesën e territ

Gjatë dehjes, gjatë puthjes.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Ndërrimi i viteve/ Mjegulla zbeh festën e fishekzjarreve në Kukës

Ndërrimi i viteve/ Mjegulla zbeh festën e fishekzjarreve në Kukës