Në librari vjen me tre tituj të rinj: 'Gjysma tjetër e qiellit', 'Një libër për Emin', 'Shihemi një nga këto ditë'! 'Kohë për t'u çmendur' e Thomaidha Tanuçi te Melodia e Vargut

Antologjia poetike “Gjysma tjetër e qiellit”, “Një libër për Emin” nga Charles Casha dhe “Shihemi një nga këto ditë” nga Federica Bosco janë titujt e rinj që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

POETET GREKE TË SHEKULLIT XX E XXI NË NJË ANTOLOGJI NË SHQIP

Titulli: Gjysma tjetër e qiellit

(Poete greke të shekullit XX dhe XXI)

Përzgjodhën: Sotiris Pastakas, Stavros Gkirgkenis

Shqipëroi: Maklena F. Nika

Kategoria: Antologji poetike

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 2000 lekë

Prodhimtaria poetike e dekadave të fundit, në aspektin sasior dhe cilësor, po bëhet gjithnjë e më “e mbizotëruar nga femrat”.

Poezia femërore në bashkëkohësi, pra, poezia e shkruar nga femrat, jo vetëm që nuk konsiderohet më si “femërore”, por kërkon vëmendjen tonë si poezi pa përcaktime të tepërta.

Në të njëjtën kohë, trajta e shkrimit femëror nga e kaluara zbehet gradualisht, ndërsa dalëngadalë bëhet e kuptueshme se kjo shoqëri paragjykuese, e dominuar kryesisht nga meshkujt, shpërfillte në mënyrë sistematike kontributin femëror në poezinë greke të shekullit të kaluar. Madje, mund të thuhet me një lloj ironie dhe përmbysjeje historike, se peizazhi i poezisë, si formulohet nga shekulli XX në shekullin XXI, është një peizazh që formësohet nga gishtat femërorë. Natyrshëm, lind pyetja: a është bërë, pra, poezia, një çështje ekskluzivisht femërore?

Kjo antologji sjell krijimtarinë e dhjetëra poeteve greke, nga më të njohurat të shekullit XX dhe të ditëve të sotme e mes tyre edhe poezi të dy poeteve shqiptaro-greke.

Poezia femërore në Greqi ka një traditë të fortë që shtrihet nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe pasqyron zhvillime interesante zhanresh, stilesh dhe tematikash. Për sa i përket poezisë moderne greke, gratë e nisën rrugëtimin e tyre në dekadat e parë të shekullit XX. Peizazhi i brendshëm i shqetësuar dhe i fragmentuar, përvoja e heshtur, dhimbja erotike dhe ekzistenciale, ndjesia e fortë fizike, si dhe kalimi gradual nga tradita në modernizëm, surrealizëm dhe manifestimet e para të postmodernizmit, na shfaqin elementët e panjohur të këtij udhëtimi të gjatë, i cili do të pasqyrojë një bashkërendim të mitologjisë së natyrës dhe jetës së përditshme me imazhet arkaike apo luftën me kuptimet e pashprehura dhe të padukshme të gjuhës. Ajo mund të karakterizohet si poezi emocionale, gjinore, introspektive, herë e margjinalizuar e herë emancipuese. Në këtë antologji, zërat e poeteve greke na ftojnë në një univers magjik poetik shumëngjyrësh.

“NJË LIBËR PËR EMIN”, PROZA MALTEZE BASHKËKOHORE NË SHQIP

Titulli: Një libër për Emin

Autori: Charles Casha

Përktheu: Anisa Trifoni

Shtëpia botuese: Ombra GVG

Çmimi: 1000 lekë

Ky roman është ndërtuar mbi stilin narrativ në vetën e tretë dhe është pasuruar me një përdorim të fuqishëm të ligjëratës së drejtë, duke iu përqasur artit dramatik. Personazhet e ndryshme nuk i paraqiten lexuesit si role të interpretuara në një skenë, thjesht për t’u vëzhguar dhe në fund për t’u gjykuar nga publiku ose lexuesi, por si persona realë që hapen përmes dialogut dhe shfaqin shpirtrat e tyre, duke folur për situata që kërkojnë ndryshim, ose një element kompromisi dhe gjithçka tjetër që i shoqëron ato.

Personazhe të ndryshme futen në kuadrin e rrëfimit, duke përshtatur jetët e tyre, duke gjetur vendin e vet në tablonë e plotë derisa autori t’i drejtojë për në fazën përfundimtare.

Autori është një nga zërat më të dashur të letërsisë malteze, mjeshtër i rrëfimit që ka lënë gjurmë në breza. Ai heton elemente të ndryshme të jetës në ditët tona, duke përdorur tregimin si mjetin e tij. Falë këtij tregimi, një rrëfim që fillon të kokolepset nga faqja e parë deri në zbërthimin e tij përfundimtar, ai hedh dritë mbi aspektet që njihen dhe kuptohen më mirë kur eksplorimi i tyre është letrar. Ai shkruar në një gjuhë të thjeshtë komunikimi, duke e përdorur atë për të ndërtuar një mori situatash, që së bashku përbëjnë një tablo, e cila është veçanërisht interesante, duke qenë e përbërë jo vetëm nga peizazhe, por gjithashtu edhe nga personazhe, situata e vendime.

LIBRI I BOSCO-S, RRËFIM PËR DASHURINË DHE MIQËSINË MES GRAVE

Titulli: Shihemi një nga këto ditë

Autori: Federica Bosco

Përktheu: Ajsela Koka

Shtëpia botuese: Dritan

Çmimi: 1200 lekë

“Shihemi një nga këto ditë” rrëfen dashurinë, por edhe dhimbjen, duke shpërfaqur një mijë aspektet e shpirtit njerëzor, rrëfen miqësinë më të fortë e të larmishme, miqësinë më të brishtë, por edhe më jetëgjatë: atë mes grave.

Ndonjëherë, që të lindë një miqësi, mjafton një biskotë e bashkëndarë në oborrin e shkollës. Kështu ndodhi për Ludovikën dhe Katerinën, të cilat që prej asaj dite u bënë si motra, ndonëse aq të ndryshme njëra nga tjetra. Katerina është një vullkan energjie, që nuk e njeh frikën. Për Ludovikën frika është një fjalë e skalitur me zjarr në jetën dhe zemrën e saj. Asnjë hapësirë për rrezikun, vetëm zgjedhje përherë të njëjta, për të shmangur surprizat e pakëndshme. Ajo ka ngritur me shumë kujdes një mur rrethues, që e mbron nga dallgët e jetës.

Ato të dyja janë një ekuacion i përsosur, një bashkim pa asnjë hije që nga fëmijëria deri në moshën e pjekurisë, që kalon përmes adoleshencës, derisa mbërrin në pikën, në të cilën Ludovika kupton se jeta e saj është e paketuar dhe e rregullt si një valixhe me rrota. Megjithatë, nuk ekziston asnjë mur aq i lartë sa të na mbrojë nga kthesat e fatit, që ndonjëherë na forcojnë, na shkatërrojnë, na ndryshojnë dhe papritur na rrëmbejnë.

Pas një ekzistence të kaluar nën dritën e Katerinës, tani është kjo e fundit që ka nevojë për miken e saj. Tani është Katerina ajo që i kërkon dhuratën më të madhe, atë të zgjidhjes së litarëve që e mbajnë barkën në port, për të rravguar në det të hapur, ku gjithçka është e rrezikshme, e papritur, e paparashikuar, po pashmangshmërisht befasuese.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te rubrika "Melodia e Vargut" poezitë "Kohë për t'u çmendur" dhe  "T'i fryj plagës" të poetes Thomaidha Tanuçi.

Vargu i saj thellësisht reflektues di të jetë njëkohësisht i ëmbël dhe befasues.

Bardhyl Londo është shprehur për të: "Nga ç'qiell ka rënë kjo poete që po lexoj? Ajo as vetë nuk e di çfarë është!"

KOHË PËR T'U ÇMENDUR

U endëm rrugësh

dëborë mbetur;

e hapëm drynin

shtëpisë së vjetër;

shqelmuam portën,

qirinjtë i fikëm

e trupat ndezëm.

Shtrëguam duart,

me shpirt u pamë

e puthëm zemrat,

e frymët lamë.

E puthëm duart,

me flokë u puthëm,

sa lindën yjet,

pastaj u zhdukën;

në hapësirat

ku heshtin fjalë.

U gjunjëzuam

kështu të dy,

si gjunjëzohet

im' shpirt për ty.

I prekëm

gjunjët,

gjoksin e prekëm,

i hapëm krahët,

pushtuar mbetëm.

Kohë për t'u çmendur,

kohë për të vdekur.

T'I FRYJ PLAGËS

Heshtur kam deri në dhembje,

vdekur kam e ringjallur prapë,

me zë thirra Zotin deri në humbje,

veten prej vetes gjeta  jashtë.

Si gjethja lut erën, e luta mëngjesin,

në dritën e tij e mbyta vetminë,

në portën e Hadit trokas si e verbër

a hije nimfe që merr arratinë.

Dua të hyj zhveshur në liqenin e akullt,

t'i fsheh  kujtimet  mbetur në qerpik,

t'i fryj plagës e zjarrit të barkut,

ta le aty frymën e pastaj të ik'.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mbappe-Bellingham, Real Madrid përmbys Leganesin në derbin e vogël dhe ndjek Barçën

VIDEO/ Mbappe-Bellingham, Real Madrid përmbys Leganesin në derbin e vogël dhe ndjek Barçën