“Mandarinët” e Simone de Beauvoir, "Bijtë e Zotit tonë", roman i Ramiz Gjinit, si dhe përralla gjuhësore “Ë-ngrënësi dhe ë-vënësi” e Rudina Çupit janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Në Parisin e 1945-s, një grup miqsh mblidhen për të festuar fundin e pushtimit gjerman dhe për të planifikuar të ardhmen e tyre. Janë mandarinët, siç e quajnë veten, intelektualë parisianë, të cilët De Beauvoir i përshkruan me një ndjeshmëri e mprehtësi të mahnitshme, pa ngurruar të zbërthejë betejën dhe lëvizjet e tyre të diskutueshme filozofiko-politike-letrare. Dhe, në fakt, askush më mirë se ajo nuk mund të rrëfente për atë periudhë të trazuar të pasluftës (së bashku me Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus, ajo ishte, në të vërtetë, “shpirti” i letërsisë “së angazhuar”), në të cilën intelektualët francezë, pra mandarinët, ishin protagonistë të padiskutueshëm të jetës kulturore e politike.
Historitë e Henrit, Nadinës, Anës, Dybrëjit, të të rinjve “ekzistencialistë” dhe të vajzave që enden pa një qëllim, pasqyrojnë krisjet e një bote që nuk mund të gjejë ekuilibrin e vet, pezull siç ka mbetur midis shpresave, idealeve dhe përballjes së ashpër me realitetin.
Shkrimtarët janë gjithmonë në siklet kur dikush i pyet: Pse shkruan? Por ndoshta nuk janë ndier kurrë aq të hutuar sa pas Luftës së Dytë Botërore. Të shtangur nga katër vitet e tmerrit dhe nga perspektivat që befas po hapen para botës, ata zbulojnë se vlerat e vjetra janë tretur prej kohësh dhe se po lind një figurë e re e njeriut: çfarë roli rezervon e ardhmja për ta? A mund të jenë ende të dobishme fjalët? Për kë? Pse? Mes nihilizmit, estetizmit, veprimit politik, ku pozicionohet letërsia? Libri nuk jep asnjë përgjigje për këto pyetje: ai është një roman.
Në rrëfimin artistik të historive të disa figurave të shquara pranë saj, miq, shokë, të dashur - Jean-Paul Sartre, Albert Camus, Arthur Koestler, Nelson Algren - De Beauvoir “ndërton” romanin e vet më të famshëm dhe emblematik, që është një dramë tërheqëse, një përrallë politike intriguese dhe një odise emocionale e një gruaje të ndarë mes dëshirave të brendshme dhe jetës së saj publike.
“Në këtë botë ka shumë njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, shumë të tjerë që duan njëri-tjetrin; ka njerëz që as nuk duan dhe as nuk urrejnë, por, fare pak gjenden nga ata që grinden dhe duhen në të njëjtën kohë.
Unë do t’iu rrëfej për dy nga të paktit: Lec Çikrikun dhe nunin e tij, Sul Koçobashin.
Çfarë bën Sul Koçobashi, do ta bëjë edhe Lec Çikriku. Dhe ku hyn e del Leci, do të hyjë e dalë edhe Sula. Leci në pazar, edhe Sula në pazar. Sula në miting, edhe Leci në miting. Leci për punë në arë, edhe Sula për punë në arë. Po hipi Sula në gomar, do të hipë edhe Leci. Nëse Leci zbret, zbret edhe Sula. Gjithçka ata e bëjnë, ose për inatin, ose për qejfin e njëri-tjetrit.”
Ky është pasazhi me të cilin fillon romani “Bijtë e Zotit tonë” i autorit Ramiz Gjini, që për lexuesin shqiptar vjen i botuar nga shtëpia botuese “M & B”.
Ramiz Gjini ka lindur më 1961 në Kastriot të Dibrës.Më 1992 përfundon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku specializohet si aktor. Pas përfundimit të shkollës punon si redaktor i faqeve kulturore në gazetën “Rilindja Demokratike”.
Në vitin 2000 emigron në SHBA, Nju Jork, ku jeton aktualisht.
Ka botuar vëllimet me tregime: “Dush varrezash” (1998), “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” (1999), “Atdheu prej dëbore” (2003), “Mendjet e njerëzve” (2005), “Rrëfime në hije” (2008), “Posta që sjell era” (2010) dhe romanet “Rrëketë” (2004), “Bibollasit” (2010), “Pëllumbat e rrugës” (2015).
“Atdheu prej dëbore” (Patria de zapada) është botuar në gjuhën rumune i përkthyer nga Marius Dobresku.
Romani “Bibollasit” ka fituar çmim si romani më i mirë i botuar gjatë vitit 2010.
Libri “Ë-ngrënësi dhe Ë-vënësi” është përrallë gjuhësore e serisë “Përralla gjuhësore”, didaktiko-artistike për fëmijë mbi 10 vjeç. I kushtohet gjuhës shqipe, kryesisht dukurisë së mospërdorimit dhe përdorimit me tepri të shkronjës “ë” në dy dialektet e saj (dialekti tosk e përdor me tepri, dialekti geg e shmang). E ideuar si përrallë dhe ndërvepruese me lexuesin përmes rasteve konkrete të përdorimit ose jo të ë-së, ky libër i ndihmon fëmijët që të përforcojnë përdorimin e drejtë të rregullave të shkrimit të saj.
Fantazia dhe befasia e kthesave të ngjarjeve u lënë mbresa fëmijëve dhe i nxitin të shpërfaqin me lirshmëri të gjithë imagjinatën që mbartin brenda vetes. Nga ana përmbajtësore ky libër përmban shumë mesazhe të dobishme dhe praktike, të cilat i shërbejnë çdo fëmije për t’u ndërtuar si qytetar me vlera personale e shoqërore të shëndetshme.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
Në rubrikën "Melodia e Vargut" një ndër zërat më të fuqishëm të poezisë bashkëkohore shqiptare, Luljeta Lleshanaku.
Gjëja që më pëlqen tek ai
Ishte mënyra se si iu afrua shtratit
të parën herë,
gati me përtesë, pa i hedhur sytë jashtë
ku mesdita e korrikut ngrinte leqe të pambukta shprese.
Fikjen e llampës me një prekje të vetme.
Dhe thyerjen e ҫarҫafit me atë siguri
sikur e bënte prej njëmijë vjetësh
Si një anije e madhe që po kthehej në port
me ngarkesën e saj të fundit; e gatshme për skrab.
E ҫ’rëndësi ka se ҫ’ndodhej në hangar
thasë kafeje, porcelan apo ethe tropikale.
Misteri i lutjeve
Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas,
me një hundë të skuqur nën jorgan, me zë të ulët,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe në fund,
të hollë e të pastër si një garzë.
Përreth shtëpisë
kishte vetëm një palë shkallë për t’u ngjitur,
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.
Ata luteshin duke u parë sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotash,
duke kërkuar një shtyrje afati.
“Zot, më jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit
– shpatën.
Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.
Dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.
Komente

