Titulli: Paraleli 42
Autor: John Dos Passos
Përkthyes: Eris Rusi
Botues: OMBRA GVG
Çmimi: 1800 lekë
Të gjithë e pohojnë se përmes kësaj triologjie që përfshin “Paraleli 42”, “1919” dhe “Paraja e madhe”, John Dos Passos ka shkruar romanin e madh amerikan. I vlerësuar si një nga romanet më të mira të shekullit të njëzetë nga Biblioteka Moderne dhe nga disa prej shkrimtarëve më të mirë sot, romani sjell në çdo faqe një portret madhështor të SHBA-ve, një kaleidoskop të një kombi që gumëzhin nga historia dhe jeta.
Dos Passos botoi volumin e parë të triologjisë “SH.B.A”, “Paraleli 42” në vitin 1929, duke kuptuar që ajo ç’ka po bënte nuk mundej të përmblidhej në një vëllim të vetëm. Volumi “1919” pasoi dy vjet më pas dhe volume përfundimtar, “Paraja e madhe”, u publikua në vitin 1936.
Vizioni që mbizotëron në këtë triologji është ai i popullit që dominohej nga institucionet, duke e lënë këtë të fundit të bllokuar në kurthin e historisë. Rrëfmi nuk ka një hero kryesor dhe lexuesi njihet me ngjarje nga jetët e një duzine burrash dhe grash.
Personazhet në këtë libër janë njerëz që merren gjatë gjithë kohës me ndjesitë e tyre, që vuajnë nga dëshirat e forta, që lëshohen pa frena ndaj alkoolit dhe epshit, ndërkohë që mendimet e tyre të brishta nuk iu siguronin as mbështetjen më të vogël kundër tatëpjetës që iu kishte marrë jeta.
Titulli: Tekno-Broni
Autori: Valbona Banka
Botues: Dita Books
Çmimi: 700 lekë
Boni është një djalë 8-vjeçar që jeton në një qytet të së ardhmes. Atje, gjithë jeta rrjedh vetëm përmes sistemeve teknologjike, madje edhe ushqimet nuk janë më natyrore. Mirëpo, një natë sistemi pëson një defect, për shkak të të cilit shuhet Kujtesa e fjalëve. Nëpër kompjutera zhduken përrallat, historitë, fjalorët, ndërkaq çdo burim i fjalëve është djegur me kohë.
Dalëngadalë banorët fillojnë të ngrijnë, ndaj Bronit i duhet të kalojë Cakun-Kufi për të gjetur “Li…ilaçin”, që gjendet në botën e Antikëve. Këta të fundit jetojnë jashtë qytetit, pa teknologji tërësisht sipas ligjeve të natyrës.
Takimi me Guri Këmbëzën, një djalosh 10-vjeçar, të cilit i pëlqen shumë që të bredhë zbathur e të argëtohet, i jep zemër Bronit për udhëtimin më të gjatë të jetës së tij.
Dy djemtë nisen në kërkim të ilaçit magjik dhe ndërkaq njohin më mirë njëri-tjetrin, përballen me vështirësi të panumërta e aventura nga më të çuditshmet. Përgjatë rrugës do të takojnë shumë njerëz, të gjithë me profesione të vjetra që i kryenin punët pa ndihmën e kompjuterave dhe robotëve. Botët nga vijnë dy djemtë kanë shumë ndryshime, por ajo që i bashkon do t’i shpëtojë të gjithë.
Titulli: Rrezefati
Autori: Rudina Çupi
Botues: Pupëz
Çmimi: 1000 lekë
“Rrezefati” është një legjendë e rikrijuar. Në të përmblidhen të gjitha elementet kryesore të legjendave shqiptare; personazhet, vendet, besimet, zakonet, duke gjithëpërfshirë jugun dhe veriun e Shqipërisë.
Hëna dhe dielli; vasha dhe trimi; kullat, urat dhe fortesat; shqiponja, gjarpri dhe dhia; xhubleta dhe fustanella, lule genciana dhe lule liqeni; shtojzovallet, gërshetëza dhe kuçedrat.. besa dhe amaneti; lutja dhe nëma; bëma dhe gjëma; kënga pranë kroit; shtatë malet kaptuar; plagët e shtatit; nëntë vëllezërit nën dhe; plasi si qelqe me verë dhe, në fund, ripërtëritja.
Një mozaik kjo legjendë drithëruese, ku historia përçohet si një rrugëtim drejt vlerave shpirtërore, rrugëtim prej të cilit marrim mësime të vyera jete, që na çojnë drejt ekuilibrit dhe mirëqenies së brendshme: Lumturia nuk është një përfundim përralle – ajo duhet të jetë zgjedhje e parë e të gjithëve ne.
Kësaj legjende i kanë dhënë frymë mbarëshqiptare edhe ilustrimet e jashtëzakonshme, të mirëstudiuara në detajet më të hollësishme të @amantiasimix.art , e cila përmes kostumeve popullore të qëndisura me fije-arin e talentit të saj, përmes peizazheve të bjeshkëve, qyteteve dhe kështjellave të hershme shqiptare, si dhe objekteve tradicionale e ka përjetësuar atë.