‘Në librari’ vjen me tri tituj të rinj! Nga libri për të drejtat e të rinjve i Jolie tek ‘I pushtuari dhe nata’ e ‘Misteri O.S’

Titulli: “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkojini ato”
Autor: Amnesty Internationl & A.Jolie & V.Bueren
Shtëpia botuese: “Fan Noli”
Çmimi: 1000 lekë

Angelina Jolie dhe Emnisti Interneshënëll sjellin në formën e një udhërrëfyesi të shkruar librin “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkojini ato”. I shkruar në bashkëpunim me profesoreshën Xheraldin Ven Bjuren, libri, pas suksesit në shtetet e mëdha, vjen i shqipëruar nga Alba Tuci me synimin për t’u shpjeguar të rinjve të drejtat vetjake dhe të të tjerëve, si dhe mangësitë e qeverive në angazhimin për të drejtat e minorenëve.

“Zonja Jolie na u drejtua neve, pra shtëpisë botuese Fan Noli, për të realizuar këtë botim shumë të rëndësishëm edhe në gjuhën shqipe. Kur e pamë që ky ishte një libër që kishte interes në të gjithë botën ne u përgjigjëm pozitivisht dhe e kuptuam se ishim me fat që na u besua neve. Kështu në shqipërimin e Alba Tucit ne kemi sjellë këtë botim me shumë vlera. I drejtohet brezit të rinj, kryesisht nën 18 vjeç, por edhe brezit më të rritur. Qëllimi është siç thotë dhe Jolie që të mbrohen fëmijët, se nëse kjo do të ndodhte ky libër do të ishte i panevojshëm.

Ngacmimin ose shtysën e parë për të shkruar këtë libër ajo e mori kur po xhironte një film në Kamboxhia, aty e pa sesi shkeleshin në mënyrë brutale të drejtat e fëmijëve në këtë vend... U bë edhe anëtare e Amnesty International dhe vendosën që bashkë me autoren që unë përmenda Geraldine Van Bueren hartuan këtë libër që është një prurje shumë e rëndësishme dhe shpresoj që lexuesi ta mirëpresë”, thotë botuesi Rexhep Hida.

Titulli: “I pushtuari dhe nata”
Autor: Brajan Sukaj
Shtëpia botuese: “Salta”
Çmimi: 1200 lekë

Një artist që goditet nga muza dhe mënyra e tij e jetesës ndryshon katërcipisht. Pas romaneve “Ciklopi” dhe “Viti i elefantit” shkrimtari i ri Brajan Sukaj sjell librin “I pushtuari dhe nata”, i cili që në titull thërret historinë e dashurisë së “Lejlasë dhe Mexhnunit”.

“Më ka ngacmuar të shkruaj diçka ndryshe.  Dy romanet e para kanë qenë romane historike dhe doja të shkruaja diçka në bashkëkohësi. Edhe romani trajton vetë temën e ankthit e gjetjes së muzës së një artisti në shekullin në të cilin jetojmë. Ka dy elementë mitologjikë . I pari  është i ‘Edipit Mbret’ që është i mbivendosur tek teksti dhe e dyta është ‘Mexhnuni dhe Lejla’, pra një poemë lindore që i jep dhe titullin librit. I pushtuari dhe nata është titulli në arabisht i ‘Mexhnuni dhe Lejla’. Këto dy tekste janë të mbivendosura për të krijuar një tekst të ri një roman të ri që është romani në fjalë...” shprehet shkrimtari Brajan Sukaj.

Titulli: “Misteri O.S.”
Autor: Rejvi Dervishi
Shtëpia botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 800 lekë

Pas suksesit me librin e tij të parë për fëmijë “Letra në ishull”, Rejvi Dervishi sjell për lexuesin “Misteri O.S”. Një roman për fëmijët që nis nga fantazia e një fëmije duke të mbajtur të mbërthyer në lexim deri në faqen e fundit. 

“Misteri O.S është një libër, i cili në esencën e ngjarjeve të tij, dhe në vetvete vetë komploti i librit zhvillohet rreth pasionit për leximin dhe dashurisë për librin. Është një libër që ndërthur në vetvete një histori, dramën e një familje shumë të madhe, që gati-gati rrënohet prej egos dhe lakmisë njerëzore. Dhe të gjitha këto vinë prej personazhit kryesor të librit një 12-vjeçar ,gati sa mosha e lexuesve të këtij libri, i cili përmes një dorëshkrimi që gjen në bibliotekën e qytetit të tij bie në gjurmët e një thesari, dhe në të njëjtën kohë ai thesar sjell me vete histori të cilat mbërthejnë qytetin, kaplojnë qytetin dhe gati-gati e paralizojnë jetën në të, por në të njëjtën kohë mbajnë mbërthyer edhe lexuesin deri në faqen e fundit”, shprehet autori Rejvi Dervishi.

A.M./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Intifada e Ilir Metës kundër SPAK

Mero Baze: Intifada e Ilir Metës kundër SPAK