Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjen me 3 parti aleate, dhe i ka premtuar vende të sigurta në lista, Agron Dukës në Durrës, Nard Ndokës në Shkodër dhe Dashamir Shehit në Tiranë. Por mandate të sigurt në Qarkun e Tiranës synojnë edhe aleatët e tjerë Mediu i Republikanëve dhe Shpëtim Idrizi i PDIU, pretendimet e të cilëve janë më shumë se 1 kandidat.

Report Tv ka mësuar se çamët kërkojnë nga kryedemokrati Basha vend të sigurt edhe në Fier e Vlorë, por grupi negociator i ngritur në selinë për marrëveshjen me aleatët, duhet të llogarisë edhe pretendimet e Vangjel Dules të PBDNJ, i cili sipas të njëjtave burime, ka vendosur të jetë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike.  Ky i fundit pretendon Vlorën, por nuk i thotë jo, as vendit të sigurt në Korçë. Përfaqësim, ndonëse në lista jo të sigurta kërkon edhe në Gjirokastër.

Me qartësimin e pozicionit të krerëve të partive aleate në lista, Opozita e Bashkuar deklaron kështu zyrtarisht emrat e parë të kandidatëve të saj për deputetë. Vetë Lulzim Basha nuk ka përcaktuar se ku do të kandidojë, madje as nëse do shfrytëzojë hapësirën që i jep kodi i ri elektoral për të garuar në 4 zona zgjedhore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
Zgjedhjet e 25 prillit, Basha për Report TV: E qartë si drita e diellit 25 prilli dita e ndryshimit të madh

Interesimit të gazetares së Report Tv, Danjela Maloku se kur do të dalë opozita e bashkuar me një vendim final për listat, kreu i PD-së Lulzim Basha  tha se përtej kalkulimeve dhe renditjes së të gjithë kandidatëve, 25 prilli do të jetë dita e ndryshimit.

“Kur të shpallen listat e  deputetëve gjithçka do të jetë e qartë. Përtej kalkulimeve një gjë është e qartë si drita e diellit 25 prillit do të jetë dita e ndryshimit të madh”, tha Basha