Çmime të larta të naftës? Po. Më pak armë amerikane për Kievin? Po. Uashingtoni i shpërqendruar nga lufta në vazhdim në Ukrainë? Po. Evropa e shqetësuar për kostot e energjisë? Po. Tensione në Perëndim? Po.

Gati tre javë pas fushatës së ashpër të sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, Qeveria e Teheranit - partneri më i afërt i Rusisë në Lindjen e Mesme - po rrëshqet drejt humnerës, politika rajonale është trazuar dhe Moska ka mbetur duke shikuar si e pashpresë nga qoshja.

Megjithatë, Kremlini nuk është plotësisht i pakënaqur.

“Mendoj se kjo e ndërlikon gjendjen e sigurisë dhe ekonomisë për Evropën. Po ashtu, e shpërqendron [presidentin amerikan Donald] Trump nga Ukraina, dhe e gjithë kjo do të ndihet sikur i jep shumë më tepër hapësirë Moskës”, tha Sam Greene, ekspert i njohur për Rusinë dhe profesor i politikës ruse në King’s College në Londër.

Politikëbërësit evropianë “mund të fillojnë ta ndryshojnë gatishmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën dhe për të ruajtur qëndrimin ndaj Rusisë”, i tha ai REL-it. “Janë gjëra që i japin vetëbesim [presidentit rus Vladimir] Putin”.

Në llogaritjet e Kremlinit për pasojat e luftës me Iranin, çmimet e naftës janë një variabël i rëndësishëm.

Eksportet e naftës dhe gazit kanë ushqyer dhe financuar luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e pestë. Sanksionet perëndimore i kanë dëmtuar këto të ardhura, pjesërisht për shkak të një “çmimi tavan” që në thelb kufizon sa para mund t’i fitojë Moska.

Dobësimi i unitetit

Por, lufta me Iranin tani ka bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm, që do të thotë më shumë para për Moskën dhe për luftën në Ukrainë. Ky është një zhvillim i mirëpritur për Putinin, duke qenë se ekonomia ruse po ngadalësohet dhe mund ta marrë tatëpjetën.

“Çmimet e larta të energjisë jo vetëm që mund të ofrojnë shpëtim kur ekonomia ruse tashmë është nën trysni të shtuar nga sanksionet dhe kostot e larta të luftës, por gjithashtu po fillojnë ta minojnë unitetin e vendeve që mbështesin Ukrainën”, tha Katja Bego, hulumtuese në programin Evropë të Chatham House.

“Nëse kriza energjetike në Lindjen e Mesme vazhdon dhe thellohet, ka gjasa të shohim më shumë liderë evropianë që bëjnë thirrje të tilla, dhe nuk do të jenë më vetëm vende si Hungaria dhe Sllovakia që dalin nga rreshti”, tha ajo.

Për më tepër, derisa amerikanët ankohen për çmimet e larta të benzinës, administrata Trump e ka bërë një përjashtim lidhur me sanksionet, duke lejuar blerësit të blejnë një pjesë të naftës ruse që tashmë ndodhet në cisterna të shpërndara nëpër botë.

“Skenari ideal për Moskën në një luftë në Lindjen e Mesme nuk është një fitore e shpejtë apo një përshkallëzim katastrofik, por një konflikt me kohëzgjatje dhe intensitet mesatar që mban çmimet e naftës të larta pa e prishur ndjeshëm ekonominë globale”, tha Aleksandra Prokopenko, ish-këshilltare e Bankës Qendrore të Rusisë, në një postim në X.

“Përfituesi i kësaj lufte është Putini, duke mbushur arkat me dollarë nga nafta… dhe kufizimi i mbështetjes që i jepet Ukrainës”, tha për CNN Richard Shirreff, ish-gjeneral britanik dhe ish-zëvendëskomandant i NATO-s

Evropa dhe Kanadaja “duhet patjetër t’i dyfishojnë përpjekjet… duke rritur mbështetjen për Ukrainën”, sipas tij.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, mbrojti vendimin për ta bërë një përjashtim për naftën ruse, duke argumentuar se vendimi nuk do të “mundësonte përfitim të rëndësishëm financiar për Qeverinë ruse”.

“Rritja e përkohshme e çmimeve të naftës është një ndërprerje afatshkurtër që do të sjellë përfitim të madh për kombin dhe ekonominë tonë për kohë të gjatë”, tha Bessent në një deklaratë në X.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.

“Gjithmonë ekziston rreziku që në fund ta zemërosh Uashingtonin”

Një arsye e rëndësishme pse Ukraina ka qenë në gjendje të mbrohet kundër një ushtrie më të madhe ruse është armatimi perëndimor. Mbi të gjitha, ky është Uashingtoni, i cili e ka furnizuar, ndër të tjera, me sisteme të mbrojtjes ajrore për ta ndihmuar Kievin t’i rrëzojë raketat dhe dronët rusë.

Në gjithë Lindjen e Mesme, SHBA dhe Izraeli - për të mos përmendur aleatët amerikanë si Kuvajti, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - janë përpjekur t’i përballojnë kundërpërgjigjet e Iranit, duke përdorur dhjetëra sisteme të tyre kundër raketave dhe dronëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr, Zelensky tha se vendet e Gjirit Persik kanë lëshuar më shumë se 800 raketa Patriot të prodhuara në SHBA brenda vetëm tri ditësh.

Sa më shumë që shterohen rezervat e armëve amerikane, aq më pak armë mbeten për Ukrainën.

Kjo është keq për Kievin dhe mirë për Moskën, e cila vazhdon ta godasë Ukrainën - pozicionet në vijën e frontit, ndërtesat e banimit, rrjetin elektrik, termocentralet – duke ia vështirësuar Kievit ruajtjen e vijës së mbrojtjes.

“Për Putinin, një luftë e gjatë në Iran është plus”, tha Zelensky në një intervistë për BBC. “Përveç çmimeve të energjisë, kjo nënkupton shterimin e rezervave të SHBA-së dhe kapaciteteve të prodhimit të mbrojtjes ajrore. Kështu që ne [Ukraina] kemi mungesë burimesh”, tha ai.

Ukraina gjithashtu ka hasur në vështirësi për të moslejuar që bisedimet për paqe, të mbështetura nga SHBA-ja, të anojnë shumë në favor të Rusisë. Pas disa raundesh, bisedimet tani kanë ngecur.

Javën e kaluar, një nga të dërguarit kryesorë të Kremlinit, Kirill Dmitriev, fluturoi në Florida për t’u takuar me zyrtarët amerikanë që mbikëqyrin bisedimet për paqe në Ukrainë: i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner. Dmitriev më vonë i përshkroi bisedimet si “frytdhënëse”.

Dy ditë më vonë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi ta përjashtojë naftën ruse nga sanksionet amerikane.

Nëse administrata Trump shpërqendrohet nga lufta me Iranin, tha Greene, kjo mund të krijojë rol më të madh për Evropën, e cila në përgjithësi shihet si më mbështetëse ndaj Ukrainës.

“Mendoj se kjo e nervozon Moskën, por në të njëjtën kohë, [rusët] kanë rrezikuar shumë duke u përpjekur të qëndrojnë të përfshirë në procesin e negociatave pa dhënë realisht asgjë”, tha ai. “Dhe gjithmonë ekziston rreziku që në fund të zemërosh Uashingtonin”.

“Ndikim në rënie”

Ndryshimi më negativ në llogaritjet e Kremlinit për luftën me Iranin është humbja e ndikimit në rajon, thonë ekspertët. Moska tashmë ishte e goditur nga kolapsi në dhjetor 2024 i regjimit të Bashar al-Assad në Siri, ku Rusia kishte investuar dekada burimesh për të ndërtuar praninë e saj ushtarake.

Më pas, në janar, forcat amerikane ndërhynë në Karakas dhe kapën liderin venezuelas Nicolas Maduro, një tjetër aleat i Moskës.

“Ky është një tjetër rast ku Kremlini dështon të mbështesë vërtet aleatin e tij në momentin e nevojës, dhe tregon veten kryesisht të pafuqishëm”, tha Bego. “Është gjithashtu një tjetër regjim i lidhur me Kremlinin që përballet me presion potencialisht ekzistencial”.

“Ndikimi rus në Lindjen e Mesme duket se është në një rënie të qëndrueshme”, tha Maria Engqvist, drejtoreshë e programit të studimeve për Rusinë dhe Euroazinë në Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes. “Për momentin, Moska ka shumë pak mundësi për ta menaxhuar këtë dhe nuk mund të bëjë shumë”.

Rusia nuk e ka braktisur plotësisht Teheranin; sipas raportimeve, Moska po i jep të dhëna të inteligjencës dhe ndoshta të dhëna të ndjeshme për caqet, të cilat kanë ndihmuar Iranin të godasë shënjestra si stacioni i CIA-s në Riad.

“Të dy rastet - Venezuela dhe Irani - theksojnë vështirësitë praktike që ka udhëheqja ruse për të zbatuar ambiciet e saj strategjike”, tha Engqvist. “Kjo ka gjasa të gërryejë besimin e [partnerëve të Moskës] te Rusia si një ofrues e dobishme për ta, dhe marrëdhëniet përkatëse”.

/REL/