MAT- Dy persona janë ndaluar momentalisht për masakrën ekologjike të shkaktuar kur afër lumit Mat,  në afërsi të fshatit Gurëz, në rrethin e Kurbinit, janë hedhur 52 fuçi me kimikate helmuese.

Nga të dhënat e para nga korrespondenti ynë Julian Hila, policia e Kurbinit ka bërë ndalimin e shoferit të kamionit me targa Kruje, me të cilin dyshohet se janë transportuar fuçitë, por dhe djalin e një prej policëve të komunës.

Vetë drejtori i policisë së Kurbinit pritet të dalë në një konferencë për shtyp për të informuar për detajet si dhe identitetin e të arrestuarve ndërkohë që priten dhe arrestime të tjera. Kreu i komunës së Fushë Kuqes Gjovalin Miri u ka bërë thirrje organeve përkatëse që t'i largojnë sa më shpejt pasi përbëjnë një rrezik për banorët e fshatit Gurëz.

Specialistët bëjnë të ditur se nëse do të ketë reshje shiu këto kiminkate pritet të shkrihen dhe rreziku mund të jetë shumë i madh.

Sipas specialistëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit këto fuçi janë të mbushura me kimikatin e potasium ethyl xanthate dhe përbëjnë rrezik serioz për banorët e zonës. Potasium ethyl xanthate shërben për ndarjen e mineraleve në mjedise bazike dhe acide. Nëse kimikati bie në kontakt me lëkurën mund të sjell acarime, që shkojnë deri në probleme të mëdha. Në gjendje të ngurtë mund të shkaktojë prishjen e sistemit të mukozës së hundës deri në koma dhe vdekje. Ndërsa në ujë, mund të krijojë probleme me lëkurën, por dhe nëse konsumohet shkaktojnë dhe asfiksimin dhe vdekjen.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)