Në odën e Nënë Terezës në Shkup

Në odën e Nënë Terezës në Shkup
Kur je në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup, sado të kufizuar ta kesh kohën, e ke të pamundur të mos prekësh shtatoren e Nënë Terezës, të bësh një vizitë në shtëpinë e saj të lindjes, apo edhe një foto tek shtatorja gjigande e Skënderbeut. Simboli i përjetësisë së Nënë Terezës, shtatorja, është vendosur në një nga lagjet e qytetit. E derdhur në bronc, ashtu e përkulur përgjysmë, të duket sikur kërkon të na ulë në prehrin e saj të gjerë sa vetë ndjenja e humanizmit që e karakterizoi shqiptaren gjatë gjithë jetës. I vendosa një buqetë me lule në prag të 10-vjetorit të shenjtërimit dhe i dhashë një puthje tek duart e saj të ngrira në mermer që shpëtuan mijëra jetë njerëzore në botë. Rrimë gjatë  në heshtje përpara shtatores, në nderim të veprës së saj, pse jo edhe për të marrë bekimin, por për një çast zemërohesh..., aty është shkruar Majka Tereza.
-Përse mos shkruhet Nënë Tereza. Nobelistja ishte shqiptare...?! U mërzitëm një çast, por fjala e shenjtë “Nënë” ka të njëjtin kuptim në të gjithë botën dhe se humanistja shërbeu në të gjithë botën.
Grupin e intelektualeve nga Shqipëria e shoqëronte edhe një kolege gazetare e radios në Shkup. Nuk përshkruhen emocionet kur futesh në dhomën e vogël të nobelistes, që është shndërruar në një muze të thjeshtë, por që përcjell mesazhin e madh. Stopjani, që punon në radion maqedonase, shërben si ciceron. Maqedonasi ka gërmuar për shumë vite për jetën dhe aktivitetin e Nënë Terezës, e ka intervistuar disa herë, madje ka ndihmuar edhe Vatikanin me dokumente dhe fakte të panjohura.

Shtëpia e saj është një odë e vogël, por në atë sipërfaqe prej 20 metra katrorë, shpaloset një thesar i vërtetë. Gjithçka aty, i përket Nënë Terezës, objektet që ka përdorur dhe dorëzuar vetë, jeta e familjes së thjeshtë, që është edhe vatra e humanizmit, ku “çeli” Gonxhja. Në faqet e murit të kësaj ode karakteristike shqiptare, janë vendosur edhe thëniet filozofike të Nënë Terezës. Çdo vizitor i hedh në bllokun e tij. Në një fletë të gjerë e të gjatë shkruhet me germa të mëdha historia e familjes. Shkëpusim disa rreshta: ”Na ishte një grua me emrin Drane, e njohur në tërë gjuhet e botës si Nëna Loke, ashtu sikurse e thërrisnin edhe fëmijët e saj. Kishte lindur tre fëmijë: Një djalë e dy vajza, më vogla vajzë quhej Gonxhe. Gjersa e mbante e ëma, askujt nuk i shkonte në mënd se kjo foshnjë shqiptare nga Shkupi, një ditë do të pagëzohej “Nëna e rruzullit tokësor”.

Në një kënd të Odës, është shkruar një ndër mesazhet e Nobelistes. Aty shkruhet shprehimisht: “Ndër të sëmurë, duhet të jemi si rreze e mirësisë. Buzëqeshja jonë, duhet të jetë gjithmonë e gatshme, për çdo të sëmurë që e ndihmojmë. Ne duhet t’u japim atyre zemrën tonë. Dhembja nuk ka skaj, por as dashuria. Sëmundja më e rëndë, nuk është gerbula, por vetmia, harresa prej të gjithëve. Ka njerëz, që nuk e dinë se çfarë është gëzimi, çka është dashuria njerëzore. Mjerisht numri i njerëzve të tillë, dita–ditës rritet”.

Ndër shënimet e vizitorëve,  të ardhur nga të gjitha anët e Botës, është edhe ai i Berluskonit: ” “Përkulem me nderim përpara teje, Nëna e Madhe e Botës, humaniste e shquar, Nobeliste e Paqës”. Ciceroni na thotë se i pari njeri që ka çelur këtë bllok, ishte Presidenti Kiro Gligorov. Ai shkruan: ”Nderim për gruan e shquar, Nobelisten, që iu kushtua njerëzimit të varfër të rruzullit”. E pra, kujtohuni, po vjen dita e 10 vjetorit të Lumturimit. Ju flas nga Oda e Nënë Terezës në Shkup!
 
Shkrimi u publikua sot (19.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz