Supersfida e javës së 31 në Air Albania Partizani-Vllaznia është mbyllur me rezultatin 0-0. Skuadrat iu frikësuan shumë humbjes duke ndrydhur dëshirën për të fituar, ndërsa ky rezultat kënaq më shumë shkodranët të cilët vijojnë të ruajnë vendin e dytë.

Më herët Laçi fitoi 0-1 duelin e mbijetesës në Niko Dovana kundër Teutës, duke i marrë vendin e 7 në renditje, ndërsa Kukësi dhe Dinamo barazuan 1-1.

Sot ndërkohë në orën 18:00 Skënderbeu që shiti në Kazakistan sulmuesin Frenklin pret në Korçë Tiranën, bardheblutë të cilët po kalojnë një moment të vështirë.   

“Kemi shumë nevojë për pikët dhe do mendojmë vetëm për Tiranën. Do flasim vetëm për ato. Pas humbjes me Dinamon do shohim se si do reagojme ndaj tyre. Prap është një ndeshje e fortë, derbi dhe jemi përqëndruar vetëm në këtë sfidë,”-u shpreh Ivan Gvozdenovic, trajner i Skënderbeut.

Po në orën 18:00 në ‘Arenën e Demave’ Tiranë Erzeni do presë Egnatian. Dy takimet e sotme mbyllin edhe javën e 31 të Superligës.