Kongresi i PS/ Vajza e Bashkim Finos realizon dëshirën e babait, bëhet pjesë e socialistëve, Ruçi tërhiqet nga politika! Rama: Pa Gramozin shumë beteja do i kishim humbur (VIDEO)

TIRANË- Gramoz Ruçi tërhiqet përfundimisht nga politika pas 30 viteve në PS, teksa socialistëve i bashkohet vajza e të ndjerit Bashkim Fino, Megi. Më ketë mesazh, të ndryshimit të brezave, largimit të një gjenerate që dha çdo kontribut dhe të një brezi të ri me pritshmëri të mëdha, nisi Kongresi i PS-së i cili zgjati plot 180 minuta.

Në këtë ditë të rëndësishme, që festohet dhe 30-vjetori i kësaj force politike, nuk mungoi Fatos Nano, një nga figurat simbol të socialistëve i cili ishte i bindur se me Edin dhe bekimin e Zotit, socialistët do arrinin shumë, siç ishte dhe mandati i tretë radhazhi, teksa pati edhe një urim për ta “Qëllofshi gjithmonë në shenjë”. 

Edi Rama, që vjen në këtë 30-vjetor, si kryeministri i parë në histori që ka arritur që të marrë 3 mandate radhazi, duke lënë gjurmët më të mëdha në historikun e PS-së, ka prezantuar pikat kryesore se si do të jetë qeverisja 2021-2025. Mes fjalëve vlerësuese për rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në suksesin e familjes socialiste për Gramoz Ruçin, pas largimit të tij, kreu i qeverisë e vlerësoi për vendimin për t’u tërhequr nga politika duke e quajtur “art” e pikërisht shpreson që këtë veti ta ketë edhe ai pas disa vitesh. Rama ka njoftuar për krijimin e një institucioni të ri të quajtur Këshillimi Kombëtar për t’u dhënë zë qytetarëve që të shprehen për çështje madhore një herë në vit dhe takimi i parë do të zhvillohet në vjeshtë.

Ai ka paralajmëruar një metamorfozë në administratë, pa ngjyrime politike me studentët më të mirë brenda dhe jashtë vendit, e ndërsa theksoi se do të bëhet një fushatë 1 vjeçare për anëtarësimin e emrave të rinj një PS. Rama tha se kjo forcë politike nuk do të bëhet mbulesë as “për ministra e deputetë apo drejtora e shefa” nëse drejtësia e re do të kërkojë llogari prej tyre.

“Ik sqarohu para drejtësisë së re me avokatin tënd! Ky do të jetë qëndrimi ynë edhe më i prerë”, tha Rama.

Në mbyllje të fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste është ndalur edhe tek shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti i Shtetit. Me nota ironie ai u shpreh se PS nuk ka asnjë interes që të merret me atë që bën PD kundër DASH, referuar këtu gjyqit të hapur nga Berisha kundër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.

“Ç’na intereson ne se di apo nuk di Partia Demokratike ta lidhi kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit.  Që të hingëllijë kali kundër narko-shtetit. Edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë, kundër Departamentit të Shtetit. Ç’punë kemi ne? Çfarë do mbjellësh do korrësh”, tha ndër të tjera Rama.

Për 30-vjetor u bënë bashkë edhe të larguar të tjerë. Ruçi falenderoi për kontributin e tij, edhe pse pak ditë më parë e shkakruan, presidentin Ilir Meta. Ndërsa dy nga kritikët më të ashpër të Ramës, Arta Dade dhe Ditmir Bushati ndoqën nga stadiumi gjithë organizimin. Ndër të tjera, ministra të qeverisë si Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Milva Ekonomi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi, Ogerta Manastirliu pasqyruan prioritet kryesore të mandatit të tretë qeverisës. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Kongresi i PS nëpërmjet fotove/ Nga lotët e socialistëve për Bashkim Finon, te duartrokitjet për Ruçin

Partia Socialiste ka mbajtur sot Kongresin e saj, në 30-vjetorin e themelimit. Lajmi kryesor në Konferencë, ishte deklarata e Gramoz Ruçit, i cili vendosi të dorëhiqej përfundimisht nga PS dhe politika. Më poshtë momentet që nuk u panë në kamera. 

Ora 20:57
3 orë punime të Kongresit, ja vendimet e rëndësishme që morën 3000 delegatët socialistë

1623524381_WhatsAppImage20210612at18.53.531.jpeg

Kongresi i PS-së është mbyllur me miratimin e disa vendimeve të rëndësishme.

4. Miratimi i Vendimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë:

a. Vendim “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës për Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prill 2021”;

b. Vendim “Për zhvillimin e analizave për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021”;

c. Vendim “Për zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë”;

d. Vendim “Për zhvillimin e fushatës së anëtarësimeve të reja në parti”;

e. Vendim “Për përfundimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të Regjistrit Digjital të Partisë”;

f. Vendim “Për miratimin e Kalendarit Politiko-Organizativ të Partisë për periudhën Qershor-Dhjetor 2021”.

Ora 20:42
Manastirliu në Kongresin e PS: Programi për ngritjen në një tjetër nivel të shëndetësisë

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu  ka bërë me dije objektivat madhor të programit të mandatit të tretë për ngritjen në një tjetër nivel të sektorit shëndetësor.

"Ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri shërbimin ndaj pacientit me zbatimin e autonomise spitalore. Fillojmë me Spitalin Memorial të Fier dhe më pas e eksportojmë këtë model kudo në Shqipëri. Brenda 2025, do të krijojmë katër Polet Spitalore që do të bëhen Qendra të referencës diagnostikuese dhe trajtuese në katër rajonet e vendit. Do të ngremë 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio-shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë, dhe kujdesin paliativ brenda vitit 2024. Do të konsolidojmë Platformën e Integruar të Shëndetësisë Digjitale, që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, sistemet e menaxhimit të shërbimit farmaceutik dhe rrjetin e Telemjekësisë dhe konsultave ambulatore në çdo nivel shërbimi. Do të ndërtojmë Programin Kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që, qytetarët dhe në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor", deklaroi Manastirliu.

Duke folur për investimet në shëndetësi, Manastirliu tha:

“Kantieri i shëndetësisë nuk do të ndalet dhe do të finalizojmë gjatë këtij mandati projektet e mëdha të ndërtimit të Spitalit të ri Sëmundjeve të brendshme në QSUT, Spitalit pediatrik ne Tiranë, Spitalit Infektiv, Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Spitalit pediatrik në Elbasan dhe Spitalit Rajonal të Kukësit. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në çdo cep të Shqipërisë”.

Manastirliu tha se vaksinimi antiCOVID do të vijojë, derisa qytetari i fundit të vaksinohet.

“Sot, kur ne i afrohemi shifrës së 1 milion vaksinimeve, nuk kemi thjesht 1 milion qytetarë më të mbrojtur. Sot ne kemi garanci të shtuara për biznesin, për turizmin, për ekonominë tonë. Prandaj do të vazhdojmë pa u ndalur, sipas një plani të mirëmenduar, deri kur të kemi vaksinuar edhe qytetarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale virusit, dhe për t’iu rikthyer plotësisht normalitetit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Ora 20:40
Evis Kushi: 10 mln euro çdo vit për hapjen dhe ofrimin e programeve mes universiteteve tona dhe atyre të BE-së

 

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, teksa i është drejtuar delegatëve të kongresit të PS-së, tha se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.

Kushi shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me 10 milion euro në vit hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

"Ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”, tha ajo.

Ora 20:36
Gjonaj: Me ne miti i pandëshkueshmërisë po merr fund! Çështje si “Gërdeci”, “21 janari” do tu shkohet deri në fund

1623522151_11.jpg

Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha nga Kongresi i Partisë Socialiste se pas rikthimit tashme me çështjet si “Gërdeci” dhe “21 janari” do tu shkohet deri në fund.

"Ne do të vazhdojëm të punojmë fort për të pasur në ccdo hap një qeverisje miqësore. Do të kemi platforma efeciente për shërbim online për qytetarët.  Çështje si “Gërdeci”, “21 janari” janë rikthyer. Besojmë se do u shkohet deri në fund. Miti i pa ndëshkueshmërisë janë duke marrë goditje të fortë. Për të bërë mentalitetin e ri të funksionim të sistemit të ri në Drejtësi. Ky është vetë shteti ne do vijmë mbështetje aktive. Garanci e partnerëve BE dhe SHBA. Ëndrra jonë Europiane nuk kuptohet pa një drejtësi Europiane”, tha Gjonaj.  

Ora 20:26
Balluku jep lajmin e mirë: Linjë e re hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi

 

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije se do të ndërtohet një linjë e re hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi.

"Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Tiranë-Rinas-Durrës, e cila ka marrë rrugë tashmë, do të vijë edhe linja e re Pogradec-Korçë-Greqi, e cila do të bëjë shumë më të leverdishme dhe të shpejtë lëvizjen e mallrave dhe pasagjereve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë, por dhe Maqedonisë së Veriut përmes degëzimit në Lin, duke jetësuar kështu Korridorin e VIII-të.

Ndërsa lidhja me Malin e Zi do të realizohet nëpërmjet rehabilitimit të hekurudhës Vorë – Han i Hotit. Të gjithë këto projekte përforcojnë njëri-tjetrin dhe ndërthurren duke krijuar organikisht nyje në pika kyçe të territorit shqiptar", tha Balluku. 

Ora 20:20
Milva Ekonomi: Mandatin e tretë i çojmë në 1.2 miliardë dollarë eksportet bujqësore! Dyfishojmë skemën e rimbursimit për fermerët

1623522091_milva.jpg

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, deklaroi sot se në mandatin e tretë është objektiv i rëndësishëm rritja e eksporteve bujqësore.

"Në këtë mandat të tretë objektivi ynë do të jetë rritja e eksporteve bujqësore me tre herë. Në synojmë të kapim shifrën 1.2 miliardë dollarë. Gjithashtu synojmë trefishimin e serave por edhe tokën e punueshme. Rritja e prodhimit do të bëhet përmes modernizimit zinxhirin e vlerave.

Do të 5-fishojmë skemën e rimbursimit për fermerët", tha Ekonomi.  

Ora 20:12
Çuçi: Policia në këtë dekadë do jetë model, do i japim fund kaosit me sistemin e adresave

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka premtuar se në këtë dekadë policia do të jetë model, teksa tha se do i jepet fund kaosit me sistemin e adresave.

‘’Aleati ynë mbeten njerëzit e zakonshëm. Policia këtë dekadë do jetë model, për sjelljen me ju, reagimin, polici komunitare ku njerëzit do të jenë të përfshirë në sigurinë e përbashkët.

Sot jemi ulur karshi partnerëve e agjencive europiane, nesër marrim drejtimet e operacioneve të përbashkëta për trafiqe e aktivitete kriminale. Kemi afruar 3 mijë të rinj e të reja në Polici. Do të ruajmë këtë trend të ri pozitiv, duke arritur në mesataren e BE. Vizioni ynë do të marrë jetë me infrastrukturë e logjistikë si asnjëherë më parë.

Do e bëjmë territorin ,rrugët e jetët tona më të sigurta. Do sofistikojmë më tej shërbimet dhe kufirin. Pikat kufitare janë fytyra e parë e miliona turistëve në vendin tonë. Pas 3 dekadave kaosi me sistemin e adresave, do të dijë kush jeton ku, për të rinovuar marrëdhënien me qytetarin, çdo qytetar do të ketë një adresë brenda vitit të parë të mandatit të tretë.’’- tha Çuçi.

Ora 20:09
Ahmetaj prezanton 5 shtyllat kryesore të programit ekonomik: Në qendër familja! 150 mijë vende të reja pune dhe dyfishim të ardhurash

 

Në prezantimin e shtyllave kryesore të ekonomisë, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se në qendër të këtij programi të mandatit të tretë është familja.
“Vizioni ynë përtej mandatit të tretë, të “Shqipërisë 2030” mbështetet në pesë shtylla që janë; Rimëkëmbja e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia të cilën e mundëm. Mirëqenie për të gjithë, rritje ekonomike me ritme të shpejta dhe të qëndrueshme; Modernizimi për zhvillim, turizmi, teknologjia dhe shërbimet; Investimi te familja, fëmijët, themeli ku qëndron e ardhmja Shqipëri e fortë me një shoqëri të drejtë” tha ai. Punësimi nëpërmjet investimeve të vendit dhe të huaja. Mbështetjes në inovacion, teknologji, sipërmarrjes së vogël do të bëjë të mundur që në 4 vitet që vijnë të kemi 150 mijë vende të reja pune,  të paguara më mirë’ tha ai.
 

Ora 20:06
'Në zgjedhjet lokale do përmirësojmë rezultatin e 25 prillit', Balla-Kryebashkiakëve socialisë: Nuk ka kohë për pushime verore

 

Sekretari i përgjithshëm i Partië Socialistë, Taulant Balla tha se do i bëhët një analizë zgjedhjeve të 25 prillit me qëllim që të përmirësoht rezultati dhe të marrin përsëri një fitore në zgjedhjet lokale. Balla kishte një thirrje për kryetarët e bashkive që duhet të punojnë për të përmirësuar rezultatin dhe se nuk do të ketë pushime verore për ta.

"Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare në vitin 2025. Në të gjitha qarqet ne duhet të përmirësojmë dhe ri-organizojmë përbërjen dhe strukturën tonë organizative. Do të jetë Komisioni i Posacëm i Ri-organizimit, i cili me shumë objektivitet do të prodhojë raportet analitike të rezultateve ndër vite dhe në marrëdhënie më objektivin elektoral, por është evidente që kemi nevojë për një organizim të ri të partisë në cdo cep të territorit. Ky Kongres është një moment i rëndësishëm në një hapje të re, që PS të jetë e mirë për të gjithë të tjerët, me fokus në thellimin e barazisë gjinore, në përthithjen e sa më shumë të rinjve, në vendosjen e piketave tona organizative për zgjedhjet vendore pas dy viteve, për të cilat kryetarët e bashkive dhe anëtarët tanë të këshillave bashkiake duhet ta kuptojnë se kohë për pushime verore nuk ka", u  shpreh Balla.

Ndërkaq Balla shprehu mirënjohjen e për punën e Gramoz Ruçit i cili vendosi të tërhiqet nga politika. Sipas tij, Ruçi është i vetmi politikan që iku si fitues.

"Mirënjohje shumë të thellë shoku Gramoz për kontributin e pandërprerë nga 12 qershori i 1991. E si gjithmonë siç di ta bësh ti edhe sot vendose një standard, do jesh i vetmi politikan që unë njoh që ikën si fitues. E meqë ty të pëlqen Milani u përpoqa të gjej një krahasim me Arrigo Sacchi, po për mua je José Mourinho", tha Balla.

Ora 20:01
Kongresi i PS/ Nga Rama te Ruçi, ja kush zënë vendet në Presidium

1623521001_a0f20b01b7dd4935ac586102ce03e03b.jpg

Kongresi i PS-së ka zgjedhur Presidiumin, teksa Report TV ka zbardhur emrat e plotë. 

Në Presidiumin e Kongresit janë:
1)Edi Rama
2) Taulant Balla
3) Gramoz Ruci
4) Arben Pellumbi
5) Arben Ahmetaj
6) Bledi Cuci
7) Ogerta Manastirliu
8) Belinda Balluku
9) Etilda Gjonaj
10) Evis Kushi
11) Milva Ekonomi
12) Bora Muzhaqi
13) Edona Bilali
14) Alma Hoxha
15) Almira Xhembulla
16) Damian Gjiknuri
17) Emirjana Sako
18) Gledian Llatja
19) Lavdrim Krashi

Ora 19:21
Rama: Flamuri i PS-së nuk do të bëhet 'mbulesë' e askujt, ministër apo deputet qoftë, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap! Shpallja e Berishës 'non grata'? Ç'të mbjellësh do korrësh

Kryeministri Rama paralajmëroi sot edhe një herë se asnjë socialist që shkel ligjin nuk do të ketë si mburojë Partinë Socialiste, qofshin këta ministra apo deputetëve nëse drejtësia do të kërkojë llogari prej tyre. 

"Mandati i tretë mund të jetë edhe i fundit po të dojë nëse mandati i katërt varet nga këta arrogantët që futen në zyrat e shtetit më mbështetje, që nga ministrat e deri të nivelet e drejtorëve në qytetet e Shqipërisë. Kujt të gjeni kushërinjtë e mi në punë hajd më kërkoni vend për kushërinjtë tuaj.  Ne do të jemi shumë të qartë me çdo anëtar të kësaj partie që vjen dhe thotë 'dua punë në shtet'. PS nuk është qëllim por mjet për të arritur qëllimet e kësaj familje të madhe.  Ky është një bast i madh por është basti ynë me historinë. Flamuri i PS-së nuk do të bëhet dot mbulesë e askujt. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel ligjin por mban përgjegjësi për mënyrën se si reagon. PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit prej nesh por është mbështetësja, garantja e reformës në drejtësi dhe prirësja e barazisë para ligjit", u shpreh Rama.  

Gjithashtu Rama në mbyllje të fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, ka bërë një batutë edhe për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama ka bërë një batutë edhe për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

"Fushata ka mbaruar dhe PS ka fituar dhe tanimë duhet të bëjë atë që ka thënë që të fitojë Shqipëria. Dhe duke fituar Shqipëria PS të fitojë përsëri e përsëri. Ç'na duhet neve se ç'bën PD? Se si i bën zgjedhjet brenda saj. Ç’na intereson ne se di apo nuk di Partia Demokratike ta lidhi kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit.  Që të hingëllijë kali kundër narko-shtetit. Edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë, kundër Departamentit të Shtetit. Ç’punë kemi ne? Çfarë do mbjellësh do korrësh. Kush bën sherr. Sherri do i dëgjoj sherrit dhe shamata shamatës. Ne na janë vrarë veshët se Shqipëria veç për sherr e shamata nuk ka kohë e energji për të humbur. Por Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, duhet që të tërë kohën dhe energjinë ta shpenzojmë duke u kthyer shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë", tha Rama.

Ora 19:13
Rama: Do krijojmë Këshillimin Kombëtar, qytetarët do pyeten për çështje madhore çdo 1 vit! Metamorfozë në administratë, fushatë 1 vjeçare për anëtarësime në PS

 

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në fjalën e tij në Kongres, disa nga pikat kryesore të mandatit të tretë qeverisës. Ai tha se do të krijohet Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët do të pyeten për çështje madhore çdo 1 vit dhe takimi i parë do të bëhet në vjeshtë. Nga ana tjetër, ai ka bërë me dije se do të pësohet një metamorfozë në administratë, ku  tha se do u jepet fund me emërimet politike, e ndërsa tha se do të hapet një fushatë 1-vjeçare për anëtarësime të reja në PS me më të studentët më të mirë që kanë studiuar brenda dhe jashtë vendit.

“Nuk nis në mandatin e tretë, por do e çojmë përpara duke filluar nga komunikimi publik, marrëdhënie me rivalët, por duke mos e harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun, me punë  e përdistshme, dua që mandati i tretë të shënoj një hapje të re të Këshillit kombëtar, dua që populli të mos dëgjohet 1 herë në 4 vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit, për çështjet me interes kombëtar ne do i ndajmë me popullin dhe do këshillohemi me të gjithë që do duhan të shprehen përmes Këshillimit Kombëtar, që do të jetë një institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Do përgatitemi që këtë vjeshtë të kemi Këshillimin e parë, platforma e bashkëqeverisjes të ngihet në një nivel të ri dhe ndërveprimi të marrë firmë dhe për çdo qytetarë që nuk merr përgjigje të ketë forcën ligjore që të mbajnë përgjegjësi. Nuk kam asnjë motiv më të madh për të dhënë nga vetja, dua që të bindem gjatë rrugës se kjo për ju nuk është diçka e bukur për t’u thënë, por vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtarë i PD, ha[at që kemi hedhur në këtë drejtim janë domethënës, krahasuar me nga jemi nisur, por të pamjaftueshme për t’u ngjitur në maj. Do shtyjmë më fort përpara duke mbështetur pa rezervë çlirimin e sektorit publik nga parazit dhe arrogancë të veshura me mbulime politike, që e bëjnë flamurin e PS të duket si leckat e gabit, dua që PS të hapet. Fushatë 1 vjeçare anëtarësime të reja, duke kërkuar më të mirë, duhet të hapim dyert e qeverisë, që nga kabineti i ministrave, të bordeve, departamenteve për vajza dhe djem të shkolluara jashtë shtetit dhe për vajzat dhe djemtë të shkolluar brenda shteti, që përballë injorantëve kërkojnë vetëm një shteg për të ikur nga Shqipëria. Nuk është nevoja që të kthehen në Shqipëri do të jetë i mirëpritur, por pandemia na ka provuar se për të punuar nuk ka nevojë që të jemi fizikisht, do të kryejmë një metamorfozë të administratës në një administratë hibride që prania fizike të mos jetë e domosdoshme, por edhe online", tha Rama. 

Ora 19:03
Rama-Ruçit: Të ishin të gjithë 'konservator' si ti, politika e vjetër do ishte lënë pas me kohë

Në fjalën e tij në Kongres, Kreu i PS Rama vlerësoi maksimalisht rolin e Gramoz Ruçit për modernizimin dhe forcimin e socialistëve.

"Shumë e mendojnë Gramozin si një konservator, i cili rri aty në majë të Parlamenti si sfinks, pa gjuhë të huaja, pa Facebook, pa instagram dhe me të cilin më mirë të mos ngatërrohesh se të gjen belaja.  Askush nuk e ka ditur e jo më ta gjejë Gramozin për 30 vjet me 2 kryetarë njëri nga më 'allasoj' se tjetri, njëri me anti parti se tjetri.  Sikur Fatos Nano të mos kishte Gramozin që mbante rreshti dhe sikur të mos ishte Gramozi që më mbante mua PS do të ishte lëshuar me kohë e me vakt si 'shallvaret' e mia.  Ishte edhe ai që të dyve ne, Fatosin më parë dhe mua më pas na ka dhënë sigurinë dhe mbështetjen që të hapnin shtigjet e reformave pa na ardhur stuhia e kundërshtive që përplasen te dera e shokut Gramoz dhe na jepnin neve mundësinë që të vijonim.  Sikur të ishin të tërë konservator si Gramozi historia e politikës të së shkuarës do ishte lënë me kohë pas.  O sa mirë do të ishte sikur shembulli i tij të ishte rregulli dhe jo përjashtimi në këtë familje.  Të falënderoj nga thellësia e zemrës i dashur Gramoz, shumë i respektuari shoku Gramoz, dhe shumë i nderuari zoti Gramoz për gjithçka je. Unë të uroj labçe 'të na rrosh sa malet shoku Gramoz'", tha Rama.

Ora 18:47
Rama tregon si e mori vesh lajmin: Të mësojmë nga veprimi i Ruçit, të largohesh nga politika është art, inshAllah e kam dhe unë

 

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar si e ka marrë vesh për largimin nga politika të Gramoz Ruçit.

“S’kam bërë sa kam dashur, por asnjëherë nuk jam kursyer për të bërë çfarë kam mundur dhe çdo ditë që kalon ndihem më mirënjohës përpara kësaj familje, më i përulur para popullit të shqiptarisë, kam mbledhur këtu fjalët që janë krejt të pamjaftueshme, një falënderim të fundit për shokun e vjetër të armëve që në këto vite më është bërë mësues, vëlla, mik, pjesëtar i kësaj familje në gëzime e hidhërime dhe në të tëra vite të kësaj rruge ka qenë ditë e përditë në krahun tim, Gramoz Rucin. Nuk dua t’ua fsheh se në takimet  e fundit të takimeve të panumërta, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr, duke e njohur besoj që ishte një vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe nga ai çast akoma nuk e gjej dot si do të mbushet boshllëku u largimit të tij. Pa këshillën e Gramozit do e kishim humbur për fajin tim disa prej ndeshjeve, e di që ai do mbetet këshilltari im më i besuat për strategjitë. Merakun e kam te boshllëku i madh të një eksperience të pashoqë.

Askush nuk është i pazëvendësueshëm e di, por e di që jo gjithkush është është lehtësisht i zëvendësueshëm. Të mësojmë të gjithë nga ky veprimi i tij, të dish të dalësh nga politika është art më vete, do Zoti ka kem dhe unë këtë art. Janë shumë vitet e punës që kemi ndarë mes nesh, që nga dita e zgjedhjes sime, nuk ka pasur një moment të vështirë që nuk e kam pleqëruar me ty dhe të jam mirënjohës”, tha Rama.

Ora 18:44
Rama i falënderon të gjithë në këtë 30 -vjetor të PS-së, në veçanti Fatos Nanon: 'E vrava' por e gjeta prapë të rilindur

Në fillim të fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama gjeti rastin t'i falënderonte të gjithë për kontributin në PS.  Ai e pati një falënderim të veçantë për Fatos Nanon.

"Kjo është ditëlindje e bukur. Kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30 por edhe shijen e veçantë të fitores së arritur për të tretën herë radhazi për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar.  Faleminderit të gjithë atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat dhe tiparet e mëdha të ndryshimit. Patjetër faleminderit liderit të parë të saj,. babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e 'vrava' dhe pastaj e rigjeta të rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Faleminderit atyre që në emër të PS-së i shërbyen vendit në këto 30 vite. Mbi të gjitha faleminderit të gjithë anëtarëve të kësaj familjeve dhe kontribuuan gjatë kësaj periudhe 30-vjeçare shpresash, ndryshimesh të mëdha, ku jemi rrëzuar, jemi ngritur dhe kemi vazhduar të ringrihemi së bashku.  Faleminderit Megi edhe për fjalët e tua dhe unë e besoj se nga atje lart Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është si asnjëherë më parë krenar për ty.  Faleminderit të gjithë atyre që na dhanë mbi 5 milionë e mbi 944 mijë  vota në këto 30 vite", tha Rama.

Ora 18:34
Gramoz Ruçi tërhiqet nga politika: S'ka moment më të mirë se në 30 vjetorin e PS

 

Gramoz Ruçi tërhiqet nga politika.

“Do deklaroj fundin e kësaj maratone dhe si çdo maratone ka startin dhe finishin, prandaj kam zgjedhur që s’ka më mirë se në këtë 30 vjetor të PS, s’ka më mirë që sot kemi fituar këtë mandat të drejtë, pas disa muajsh mbush 70 vjeç që të deklaroj para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj mandatin që më ka dhënë PS dhe se nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ ekzekutiv të familjes sime. Prandaj për ta mbyllur falënderoj Nanon dhe Ramën që e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtori i tyre. Të falenderoj të gjithë”, tha Ruçi.

Ora 18:28
Kongresi i PS/ Ruçi: I dashur Nano jemi krenar për ty! Me fat që kemi një lider si Edi Rama...nuk harron Metën

 

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, si një ndër emrat më të vjetër në PS, dhe nër themeluesit e kësaj partie, është treguar nostalgjik  në fjalimin e tij, ku ka falënderuar figurat e parë që i janë bashkuar kësaj partie, mes tyre edhe Ilir Metën. Ai nuk ka lënë pa përmendur as Fatos Nanon dhe Edi Rama.

“Bijtë e mi unë nuk jam person që emocionohem kollaj dhe me fjalën e Megit mund t’ju them që jam shumë i emocionuar. Nuk jam për të mbajtur fjalim apo për historikun 30 vjecar të PS, por për të marrë fjalën dhe për të dhënë ashtu si kurse kolegët e mi, përshkruan emocionet e tyre në dokumentar. DO e ndaja në 2 periudha të ndara në 2005. Nuk po e them se si u themelua, u programua dhe se si u miratua familja jone politik. Ne u anatemuam si vetë PP, por nuk mjaftonte kaq. Të ishe socialist nuk ishte e modës. Flitej për shtet ligjor por vetëm Maliq kishte për socialist, flitej për ekonomi trego, por nuk kishte, flitej për shtet të së drejtës por të drejta për socialistët nuk kishte, kishte dhunë, arrestime që përfundoi me burgosjen e Nanos, kanë qenë vite të vështira, prandaj unë meqë jam ende këtu aktiv në jetën politike, do të përshëndes Kryesin 15 anëtarët e parë të PS, do të përshëndetja 3 nënkryetarët e parë. Do të përshëndesja, shumë figura të spikatura që janë marrë me programin e PS. Përshëndes 4 të parët që mbërritën në PS, mes tyre Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, përshëndet 28 deputetët e grupit të parë të PS me në krye Namik Doklen, kanë qenë 36, por 8 prej tyre nuk jetojnë më, ky ka qenë grupi më i mirë parlamentar që ne kemi pasur në 8 mandate parlamentare dhe së fundmi, do përshëndesja Fatos Nanon. I dashur Fatos, ne jemi krenar për ty për shumë gjëra pasi askush nga ne apo kundërshtarët nuk thonë dot që nuk je politikan, ne jemi krenar që të kemi pasur kryetar se je intelektual, i dashur Fatos. Shumë socialist nga 91-97 u persekutuan, por 4 vite burg i bëre ti se ishte kryetar i jonë. I dashur Edi, të kujtohet 2003 kur u shprehe dëshirën për të qenë kryetar shumë delegatë nuk të mbështetën e megjithatë ti qëndrove stoik, pasi ti e dije mirë që të bëhesh lider nuk mjafton ambicia dhe dëshira, por duhet edhe dëshira dhe dashuria e atyre për të cilat ti pate ambicien për t’u bërë kryetar i tyre dhe ajo erdhi natyrshëm në 2005 dhe ja ku jemi sot, kaq krenar si asnjë parti e majtë në Europën lindore me 3 mandate rresh fitimtare. Jemi me fat që kemi me fat një lider këmbëngulës, me ambicie, të vendosur e përkushtuar dhe të maturuar ”, tha Ruçi.

Ora 18:17
Përloten socialistët, video emocionuese në kujtim të Bashkim Finos! Vajza e tij i bashkohet partisë: Babai na la porosinë se 'askush tjetër veç PS-së nuk e bën Shqipërinë'

Një video e transmetuar e momenteve më të bukura të Bashkim Finos emocionoi dhe përloti të gjithë të pranishmit në Kongresin e Partisë Socialiste.  Plot emocione doli dhe mbajti një fjalë edhe vajza e tij, Megi Fino, e cila njoftoi se do t'i bashkohet PS-së.

"Të dashur shokë dhe shoqe të babait tim të shtrenjtë. Siç e të gjithë ju e keni njohur ai jetonte me një familje të dytë, që ishte familja e madhe socialiste. Im atë ishte vetëm 30-vjeç kur u zgjodh qytetar i parë i Gjirokastrës. Një prej atyre plot gjërave që s'do ia harroj kurrë ishte se ne u rritëm për të qenë të mirë në shkollë dhe të sjellshëm në shoqëri. Unë isha vetëm 4-vjeç kur im atë u zgjodh në krye të qeverisë sepse vendi e thirri për kontributin e tij por e kujtoj shumë mirë se si ai e mbajti mbi supe barrën e frikshme të asaj periudhe të trazuar.

Pavarësisht detyrave të rëndësishme që pati në vijim ai i kujdes gjithmonë që ne të mos e harronim asnjëherë vlerën e punës dhe kontributin në shoqëri.  Sot është dita t'ju rrëfej një sekret, me babain kemi pasur gjithnjë diskutime se e donte me patjetër që ai të bëhesha pjesë e juaja. Por ne na dukej e paimagjinueshme sa të shtonim në familjen tonë numrin e të angazhuarve brenda partisë.

Ai më solli këtu mes jush për të mos ikur më. Shpresoj që të jesh krenar me mua sot e përgjithmonë. Do të angazhohem me mish e me shpirt në këtë familje të madhe që paska qenë gjithmonë pjeë e familjes tonë të vogël.

Mbase nuk do ta mbush dot boshllëkun që ai la por ju garantoj se do të bëj gjithçka që të jap kontributin tim për Shqipërinë tonë. Siç e thoshte im atë: Po nuk e bëri PS kush tjetër mund ta bëjë këtë vend dhe përgjigja mbetet e njëjtë 'askush tjetër'", tha ndër të tjera Meg i Fino.

Ora 18:09
Kongresi i PS, Nano: Kam besim se me Ramën në krye dhe me ndihmën e Zotit do të arrini shumë

Fjalimi i parë në Kongresin e PS-së, nisi me një njeri historik të kësaj partie, Fatos Nano.

“Bashkëmoshatarë, kështu ju quaja vitet e para, në vitet kur e bëmë PS forcë të parë Europiane, progresiste, sot jemi 30 vjeçar me apo pa thinja, në 3 dekada kemi mundur të ruajmë traditat më të mira, të përtërijmë vetveten dhe të ndryshojmë Shqipërinë, prandaj jemi e vetmja forcë politike që mendon globalisht dhe vepron lokalisht, formuam lidershipe të reja, pwrshwndetje EdI ta kalojmë stafetën nga etërit të bijtë, natyrshëm jemi infektuar nga sëmundje politike , mandati i tretë frymëmarrje e re ripërtëritëse, jam gëzuar për të arritje të jashtëzakonshme, le të vazhdojmë reformat për ta ngritur vendin në standardet e BE. Ky është misioni ynë historik dhe sfida jonë me kohën dhe vetëveten, askush tjetër nuk e arrin këtë mision. Rrofshi dhe qëllofshi në shenjë”, tha Nano.

Ora 17:58
Nis Kongresi i PS, shfaqet në ‘Air Albania’ dokumentari për historikun e partisë

Kongresi i PS ka nisur pasditen e kësaj të shtune me një dokumentar mbi historikun e PS-së.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ska problem: 13/06/2021 08:01

    Mos u thoni te tilla brrockulla popullit , te eshte kerkuar prej kohesh qe te largosh rucin nga politika dhe ti si mjeshter i reklames e ke qare me oi kete dorheqje , duket qe i ke bere leket vota Deri sa e ben kongresin ne stadium

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”