Motra e Marjana Karolina Bunajt, 37-vjeçares nga Pogradeci që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Tiranës, tregon zinxhirin e ngjarjeve përpara tragjedisë. Albina Mekolli jeton pranë së motrës, ndërsa bashkëshorti i Marjanës dhe familjarët e tij jetojnë në SHBA ku ajo priste t’u bashkohej. I shoqi ishte larguar vetëm 3 ditë më parë.

Me të telefonuar të motrën dhe mbërritur në spital, mjekët kanë konstatuar se 37-vjeçarja kishte nevojë të menjëhershme për ndihmë të specializuar. Në pamundësi të vendosjes në dispozicion të helikopterit, rreth orës 04:00 të mëngjesit është nisur me ambulancë.

Pretendimet e Mekollit janë se situata nuk është menaxhuar si duhet dhe me shpejtësi, pasi në Pogradec janë vonuar rreth 3 orë. Ajo beson se reagimi efikas do t’i kishte shpëtuar jetën së motrës.

“Në orën 12 më merr motra në telefon dhe më tha: hajde më merr se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka gjakderdhje të brendshme. Ajo tha duhet ta çojmë për Tiranë. U mblodhën të gjithë, ajo tha duhet çuar sa më parë. Dëgjova që po thonin për helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë. Ajo tha s’kam ç’t’i bëj më këtu, duhet ta çojmë sa më parë. Nuk di kë telefonoi doktoresha, erdhën mjekët e reanimacionit dhe thanë s’mund ta çojmë pa pasur një mjek me vete se ishte shtatzënë. E çuan në reanimacion, pati dhe ca vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Kishte dhimbje gjatë gjithë kohës. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. I vunë vigonë për serume dhe gjak, thoshin s’mund ta çojmë kështu, nuk e di. Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, fëmija, s’e di. Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte. Po të ishte në një sallë operacioni... duhet të shihen më mirë, s’mund të çohet në Tiranë një grua shtatzënë me një infermier. Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, thotë ajo.


Lajmi kryesor:

‘Fute te spitali i Elbasanit se na iku’, 37-vjeçarja shtatzënë nga Pogradeci humb jetën gjatë transportit drejt Tiranës! Familjarët padisin mjekët (VIDEO)