Edhe pse sezoni turistik nuk është çelur zyrtarisht pasi nuk janë dhënë lejet për stacionet e plazhit, pushuesit e parë kanë mbërritur në Shëngjin.
Operatorët turistik thonë se prenotimet e deritanishme janë të kënaqshme.
“ Këtë vit pritshmëritë janë më të mira se vitet e tjera. Agjencitë e huaja kanë treguar interes dhe kemi disa grupe të rezervuara. Kjo na bën të ndihemi tejet optimist dhe i gjithë stafi jonë është vaksinuar. Tanimë nuk ekziston frika se mund të infektohemi gjatë pushimeve. Besoj se 80% jemi të sigurt nga pandemia dhe kjo ndikon që edhe klientët të vijnë pa asnjë lloj hezitimi në plazhet tona. Ne e kemi rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve tona dhe nga strukturat turistike nuk kemi ndeshur pengesa. Ne jemi të gatshëm t’i presim në çdo lloj kohe”, tha Dritan Kondakçiu, Operator Turistik në Shëngjin.
Si shenjë që Shëngjini është gati për sezonin e ri turistik është edhe Umum festival, deklaratë që e dha ministri i turizmit Blendi Klosi ditën e sotme.
"Shpresojmë që festivali Unum të jetë një shenjë e fortë që ne ia dolëm, e menaxhuam këtë situatë të vështirë dhe jemi të gatshëm të hapim një sezon turistik të fortë.
Ne duam të jemi kampionë të turizmit në Ballkan, e për të qenë në krye, duhet të kemi festivale si kjo e Unum-it", tha Klosi.
Ndërkohë që siguroi se për të mbajtur nën kontroll infeksionet, pjesëmarrësve do tu bëhen teste të shpejta paraprakisht, duke ndjekur kështu shembullin e Barcelonës, Liverpoolit apo Amsterdamit për mbajtjen e koncerteve.
Prej disa ditësh në Shëngjin po punohet për pastrimin dhe sistemin e brezit të rërës.
Nën kryetari i Bashkisë së Lezhës, Ermal Pacaj thotë se e gjithë vëmendja është përqendruar tek turizmi dhe brenda pak ditësh gjithçka do të jetë gati.
“ Bashkia e Lezhës duke filluar nga data 1 maj ka filluar intensivisht prekjen e çdo mekanizmi që e bën një turizëm funksional dhe të preferuar. Besoj se brenda javës tjetër do të fillojë shpërndarja e stacioneve të plazhit, të cilat do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar edhe vitin e kaluar. E gjithë vëmendja e Bashkisë Lezhë është tek sezoni turistik. Mendoj se brenda 3-4 ditëve gjithçka do të jetë më ndryshe dhe më mirë, “ u shpreh për Report TV nënkryetari i bashkisë Lezhë Ermal PACAJ.
Pushuesit e parë vlerësojnë cilësinë e shërbimeve në bregdetin e Shëngjinit, por shqetësim për ta mbeten çmimet e larta.
“ Çmimet janë të larta, sidomos fjetja. Sepse ushqimi mbetet ushqim. Në Shëngjin vijmë prej disa vitesh, në veçanti për fundjava. Është i përshtatshëm për fundjavë por jo për pushime se çmimet janë të papërballueshme.
“ Për fundjavë është shumë mirë, për pushimi shohim ku është edhe më mirë dhe më lirë. Këtu çdo gjë është tërheqëse, uji fillimisht pastaj plazhi dhe të gjitha gjërat. Çmimet janë të shtrenjta, por njëjtë si gjithandej.”
“ Uji është shumë i mirë. Mua më duket shumë i përshtatshëm për t’u larë edhe pse disa hezitojnë, ” shprehen turistët.
Numri i pushuesve në Shëngjin ka ardhur gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa më besniket e këtij bregdeti vijojnë të mbeten qytetarët nga Kosova.