Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite nga episodi i dhunës që u filmua nga vetë agresorët për të intimiduar banorët, Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit dhe kushëriri i tij, Përparimi, nuk ishin arrestuar asnjëherë nga policia, derisa përfunduan në pranga tashmë që SPAK i lidh me grupet e strukturuara kriminale të trafikut të drogës.
Rexhep Rraja dhe fisi i tij janë jo pak të panjohur për autoritetet e vendit tonë pasi fisi i tyre më 6 korrik 2023 u përfshi në një episod të dhunshëm për guroren në Borizanë të Fushë-Krujës.
Dy kushërinjtë e fisit Maja ishin ankuar disa herë në polici për dëmet në shtëpi nga gurorja e Përparim Rrajës, kushëririt të ish-deputetit Rrahman Rraja në Krujë, i cili po ashtu është arrestuar. Pas këtyre ankesave, vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre. Ngjarja e rëndë pati një reagim zinxhirë, deri në instancat më të larta. Kryeministri Rama urdhëroi shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrahman Rraja la mandatin e deputetit, ndërsa u shkri i gjithë Komisariati i Krujës. Siç mund të shihet edhe në foto, Rexhep Rraja shfaqej me shkopinj duke dhunuar dy kushërinjtë e fisit Maja.

Rrexhep Rraja duke rrahur Bilbil Majën
Përveç dhunës barbare ndaj kushërinjve Maja, Rexhep Rraja njihet për historinë e bujshme me ish-partneren e tij, Xhisiela Malokun, vajzën nga Fushë-Kruja, e cila sipas denoncimit publik nga një ish-oficer Emiljano Nuhu, ishte dhunuar nga i dashuri pas ndarjes dhe kishte përjetuar fikjen e cigareve në trup teksa ishin në një dhomë hoteli. Në vitin 2018, pasi historia shpërtheu në publik, nuk kaluan as 24 orë dhe Xhisiela Maloku mes dëshmive kontradiktore, u tërhoq nga pretendimet, duke thënë se gjithçka e bëri nga xhelozia. Oficeri që i mori dëshminë në komisariat, ngriti akuza për neglizhencë ndaj policisë. Pas gjithë historisë, ai u largua nga vendi duke fituar azil, ndërsa Rexhep Rraja bëri 3 muaj burg.
Lajmi kryesor:
Trafikuan 2.4 ton marijuanë e kokainë, SPAK godet 'rrjetin' në Fushë-Krujë! 10 të arrestuar, mes tyre djali i ish-deputetit të PS Rraja, 4 në kërkim! Sekuestrohen 430 mijë € (EMRAT)











