Talebanët në Afganistan kanë tërhequr urdhrin që kishin nxjerrë kundër Kryqit të Kuq dhe operacioneve të tyre humanitare. Në një njoftim sot, talebanët bënë të ditur se garantojnë sigurinë e stafit të Kryqit të Kuq gjatë aktivitetit të tyre në Afganistan.
Një zëdhënës i Kryqit të Kuq tha po sot se organizata kishte rifilluar aktivitetin në Afganistan.
Në prill, talebanët nxorën një urdhëresë ku ndalonin operacionet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Shëndetit duke i akuzuar këto organizata për “aktivitete të dyshimta” që lidheshin me fushatat e vaksinimit.
Njoftimi i sotëm nuk përmend aktivitetin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila ka qenë e përfshirë në një fushatë vaksinimi kundër poliomelitit. Afganistani është një ndër vendet e pakta në botë ku vazhdojnë të shfaqen raste të reja infektimi me poliomelit.
Talebanët kontrollojnë gjysmën e 410 distrikteve të Afganistanit.