Në prill ka vetëm votë pro apo kundër Edi Ramës

Në prill ka vetëm votë pro apo kundër Edi Ramës

Edi Rama

Ka një keqkuptim të jashtëzakonshëm nga opozita shqiptare në ngutin e saj drejt të përpjetës së pushtetit. Edhe opozita e djeshme socialiste kishte konsumuar të njëjtin keqkuptim, sipas të cilit, beteja politike e katër vjetëve, është si luftrat në mesjetë: fiton ushtria që vret komandantin e ushtrisë rivale. Socialistët e kanë bërë më parë për Berishën duke e sulmuar nga mëngjezi në darkë, duke e konsideruar fajtor që nga manipulimi i zgjedhjeve tek lopatat me dhe’ që vidheshin në rrugën e Kombit, nga tragjedia në Gërdec tek vrasjet fatzeza në Bulevard. Jo se ishte gabim të hidhej nga një gur përditë mbi kokën e ish-kryeministrit dhe për t’i numëruar me gurë mëkatet e çdo dite, por sepse socialistët llogarisnin me shpirt t’i thyenin kokën në gur edhe kur Shqipëria hynte në NATO apo BE i liberalizonte lëvizjen e lirë. Absolutisht e njëjta strategji ndeshjeje është edhe me Edi Ramën, i cili për opozitën është më i zi se djajtë që torturojnë të penduarit, është kryebaroni evropian i drogës, është grabitësi i çdo qindarke në buxhetin disa miliarda eurosh të vendit dhe është koka e vetme që a meriton mbi kokë çdo gur të Shqipërisë shkëmbore.

Të besosh në një lloj komunikimi të tillë fëminor, naiv, të përciptë dhe sipërfaqësor, që ngjan si dy anët e të ndenjurave me mënyrën  dikurshme komuniste të propagandës, krijohet bindja se në Shqipëri, varësisht përkatësisë partiake, njëra gjysmë e publikut jeton në Eldorado, gjysma tjetër digjet në ferr. Mohimi total pa pohim, urrejtja e verbër pa size racionaliteti, monotonia e të zezës duke refuzuar qoftë edhe nuancën e grisë, bën që në konkurrimin e të vërtetave relative, e vërteta të ketë shumë fytyra si perëndia e teatrit. Dhe vetë teatri absurd i Tiranës, është pastaj alkimia që e shndërron cilëndo tragjedi të drithëruese, në farsë komike të pabesueshme.

Shtatë vjet më parë me Berishën dhe sot edhe me Edi Ramën, kjo lloj propagande nuk është më shumë se një shërbim masturbimi për kryeministrit të rradhës. Vetëm kujtesëshkurtërit nuk kujtojnë si shkonte në ekstazë dje Berisha, për të mos dalluar se në të njëjtën yjësi lundron edhe Rama kur mizëria e kundërshtarëve të tyre vihen në garë për të gjetur epitetin më të lig për ta edhe kur kanë pasur vërdallë ndonjë punë të mbarë. Eshtë kjo zhurmërimë urrejtjeje pakushte që e ka shndërruar ambientin politik të vendit në një qenef aq të pështirë sa edhe zhurma e zorrëve të çdo ngjyre, tashmë nuk ndjehet fare nga një publik i mpirë totalisht. I mpirë për faj të tyre!

Ky është shkaku kryesor që në mëngjezin e 25 prillit të vitit tjetër askush nuk do të zgjohet nga gjumi duke menduar për vendin e ri të punës së Lulzim Bashës, për koordinatën në pushtet të Monika Kryemadhit, për Ilir Metën apo Sali Berishën. Fatkeqësisht, për shkak të kësaj katërsheje të keqkuptuar dhe gjithë përkrahësve të tyre, shqiptarët do të shkojnë në votime duke pasur parasysh vetëm portretin atipik të Edi Ramës. Dhe vota e publikut do të ketë vetëm një ngjyrë dhe një motiv të vetëm. Ajo do të nënshkruhet në emër të dashurisë apo urrejtjes për Edi Ramën. Do të votohet pro apo kundër atij. Për ta rilindur sërish apo për ta ndëshkuar politikisht. Për ta mbajtur lart e rikonfirmuar apo për ta përzënë dhe rrëzuar poshtë. Ky identikit i votës së pahedhur ende është ndëshkimi më i madh që i jepet paradhënie një opozite që synon të vijë në pushtet.

15 vjet më parë, stili “Gjithë fajin e ka Fatosi” funksionoi dhe PD morri qeverisjen e vendit, jo si konfirmim të Berishës, por si një ndëshkim të Nanos. Ish-kryeministri që pati fatin kontravers të ishte burrë i pjekur në adoleshencë dhe u shndërrua në adoleshent në kohën e pjekurisë së thellë, ishte fati i keq i vetes. Lulzim Basha, i cili erdhi si një prurje e pjekur politike në 2005-ën, 15 vjet më pas vazhdon të sillet, për fatin e keq të vetes, si një adoleshent nervoz dhe i paqëndrueshëm nën furinë e hormnoneve të moshës. Duke konsumuar aktin dhe jo duke gjykuar mbi faktin. Duke u përgatitur të korrë pa mbjellë më parë. Duke thënë fjalën e fundit, pa arritur në fund të frymëmarrjes së parë. Duke menduar për privilegjin e të qenit kryeministër, pa bërë sakrificën e nevojshme që është bileta për zyrën e kryeministrit. Megjithatë shpreson të ketë përballë Ramës të njëjtin rezultat si Berisha përballë Nanos. Edhe mund të ndodhë. Por kanë ndryshuar rrethanat, kohët dhe vetë njerëzit. Lana nuk sjell dy herë të njëjtin ujë nën këmbët e urës së Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Dhe për më shumë, Basha ende nuk ka paguar faturën e gafave të njëpasnjëshme që ka bërë në aktet më të rëndësishme politike të tij. Përfshi edhe aftësinë e pabesueshme për të zgjedhur e mbledhur rreth vetes njerëzit më të gabuar të mundshëm dhe që i nxorri në vitrinën e politikës. E që për më keq akoma, shpesh e në shumicë, i vetmi tipar që i identifikon ata, është mendjemadhësia prej prezervativësh: meqënëse kanë leje të hyjnë brenda Tempullit, mburren, binden e brohorasin se po bëjnë seks.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emri: 03/10/2020 19:40

    ik ore me gjithe keto artikuj pa vlere . Kemi vite e vite me keto gazetarkatundar qe filluan per buken e gojes . Ik ore me gjithe shkrimet tuaja si plagjiatur te librave te endhjerit

    Përgjigju
  • Vicidoli: 18/09/2020 17:36

    Te shporrim Edin qe vret shwiptaret te zgjedhim Flamur Noken kryministwr asht figure e shqume dhe e denje per ket vend

    Përgjigju
  • Xjxjxjxj: 18/09/2020 16:42

    Njesoj si ne 2013 me Saliun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë