Në pritje të ‘Vettingut’, skandal në
gjykatë, mbyllet faqja e internetit

Një projekt i nisur vite më parë i mbështetur nga USAID për transparencën në gjyqësor vendosi në dispozicion për informimin publik një faqe interneti, prej më shumë se dy javësh kjo faqe tashmë është bllokuar. 

Një vendim administrativ i pakonsultuar kurrë me grupet e interesit dhe gazetarët shqiptarë ka prekur sistemin e drejtësisë duke krijuar një situatë të paprecedentë të bllokimit të informacioneve të konsideruara publike dhe ligjërisht të përdorshme në të drejtën e informimit.
 
Gjykatat shqiptare dhe pse duhet të jenë të unifikuara në veprimet e tyre të paktën administrative këtë herë ajo çka ka ndodhur shkon përtej skandalit.
 
Vendimet gjyqësore, oraret e seancave dhe palët janë fshirë nga faqja e internetit e Gjykatës së Tiranës sa hap e mbyll sytë.

Por e kundërta ndodh në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe të apelit të cilat vazhdojnë ende të informojnë publikun dhe të kenë informacion të aksesueshëm për mediat në faqet e tyre zyrtare.
 
www.gjykatatirana.gov.al është portal zyrtar por nëse shkon në rubrikën kalendari i çështjes dosje penale e civile ajo që të hapet janë iniciale të pakuptimta me gërma alfabeti dhe jo të dhëna që shërbejnë.
 
Në këtë rast çdokush që do të informohet për seancën e tij në gjykatë duhet doemos të paraqitet pranë godinës për të parë se në çfarë ore dhe çfarë date, pasi aksesi online nuk ekziston më.

Report Televizion ka mundur të sigurojë një urdhër të ish-Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani i cili asokohe u kërkonte një serë gjykatave siç janë të renditura në këtë faksimile të fshehin të dhënat personale. Jashtë kamerave të gjithë e pranojnë që kjo është një çështje e cila bllokon transparencën por nuk bllokon vetëm median dhe informimin publik, janë edhe avokatët të cilët e kundërshtojnë këtë vendim. 

faksimile
  faksimile


 
Por si shihet ky vendim nga grupet e interesit përfshi dhe avokatët?
Në një reagim për Repor Tv avokati Genci Gjokutaj shprehet se administrata e gjykatës ka gabuar pasi i ka rënë shkurt duke nëpërkëmbur të drejtën për informim.

“Informimi prevalon, abuzimet që mund të bëhen me këtë informim mund të kenë sanksionet e tyre, për mua i kanë rënë shkurt që të jenë rehat. Në fakt në një moment të caktuar kur dikush abuzon me këtë informim ligji ka sanksionet e veta. Që nga momenti kur gjykimi bëhet me dyer të hapura ç’kuptim ka të mbyllësh faqen e internetit? Informacioni nuk cenohet kërkund. Edhe gjykata është institucion si gjithë institucionet e tjera. Unë mendoj që informimi në lidhje me gjykimin, sepse aty ka disa rubrika, nuk ka vetëm datën e gjyqit dhe emrin e të pandehurit. Kjo nuk shfrytëzohet vetëm nga individë, kjo shfrytëzohet edhe nga avokati nga Ministria e Drejtësisë, që për shembull nëse do të shohë rendimentin në punë të një gjyqtari e ka online”, shprehet Genci Gjokutaj.
 
Si u arrit të fshihen këtë të dhëna. Në 2016 është një urdhër i ministrit të drejtësisë asokohe Ylli Manjani që kërkon nga gjykata të ruajë privatësinë sipas kërkesave të komisionerit të mbrojtjes së të dhënave personale. Por ky udhëzim kurrsesi s’i kërkon gjykatës të fshijë sa hap e mbyll sytë të dhënat që ishin online.
 
Ky vendim nuk kërkon që gjyqet të bëhen me dyer të mbyllura dhe ajo që ndodh në terren është krejt e kundërta, prej vitesh gazetarët lihen pas dere pasi kështu vendosin gjyqtarët pa dhënë asnjë shpjegim dhe shkelin hapur kodin e procedurës që parashikon seanca publike.

Mungesë transparence, fshehje nga drejtësia apo fshehje e veprimtarisë së gjyqësorit, Report Televizion do ta ndjekë këtë çështje ndërsa kreu i Gjykatës së kryeqytetit Enkelejdi Hajro deklaron se është e gatshme të japë një intervistë vetëm ditën e hënë. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë