KAVAJË - Armët e zjarrit në duart e fëmijëve shpesh herë janë kthyer në tragjedi. Një rast i tillë i rëndë është shënuar pasditen e se dieles në fshatin Gjocaj të Kavajës, ku një 14-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua aksidentalisht me një armë gjahu pa leje nga kushëriri i tij 17-vjeçar.

Dy të rinjtë Z.Shaba 17 vjeç dhe Sh.Shaba 14 vjeç të dy banues në Kavajë, kanë qënë në pyllin e fshatit Gjocaj të komunës Helamas në Kavajë duke kullotur bagëtitë.

Nga pakujdesia situata është kthyer në fatale për kushëririn e vogël i cili eshte qelluar ne koke. Dy kushërinjtë mësohet se kanë qenë duke luajtur mes tyre dhe autori i dyshuar i vrasjes aksidentale Z. Shaba e ka pasur çiften mes këmbëve. Në këtë moment ajo është shkrehur dhe një plumb ka marrë të dëmtuarin.
 
Pas kësaj ngjarje 17-vjeçari ka tentuar të fshihet në pyll nga trauma e përjetuar, ku më tej është ndaluar nga Policia. 

Policia tha se kishte bllokuar edhe armën e krimit, ndërsa trupi i adoleshentit të vrarë nga kushëriri është përcjellë në morgun e Kavajës. I ndaluari iu ka pohuar hetuesve se ngjarja ka qenë aksidentale, ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimet e tjera të kryera nga policia paraprakisht flasin për një ngjarje aksidentale.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)