Radari i Policisë së Shtetit në Hoxharë të Fierit është dëmtuar nga dallgët e detit. Report TV mëson se prej më shumë se 10 ditësh radari është drejt rënies në det, ndërkohë që dallgët godasin dhomën e pajisjeve. 

Për këtë arsyje, Policia e Shtetit ka hapur një tender për spostimin e radarit. Policia kërkon ta zhvendosë radarin 5 metër nga vendi ku ndodhet aktualisht, për shkak se rrezikohet nga dallgët e detit. Vlera e tenderit të hapur është 231 mijë lekë të reja, por për këtë procedurë tenderimi nuk është paraqitur asnjë ofertë, siç dallohet edhe në dokumentet e siguruara nga Report Tv. Kjo bën që radari të vijojë të jetë në rrezik për t'u prishur, duke qenë se goditet nga dallgët e detit.

Burime të Report TV nga Policia e Shtetit sqaruan se aktualisht radari punon, por nuk përjashtohet mundësia që ai të rrëzohet në det. Radari është përkulur drejt rënies në det, por ende funksjonon, saktësojnë burimet policore. Moti i keq ka bërë që dhoma ku ndodhet pajsijet, të preket nga goditja e dallgëve, por ata vijojnë të punojnë, për të zbuluar gomonet apo anijet e paligjshme në det.

Pritet që Policia e Shtetit të nisë një tjetër prokurim që të zhvendosë radarin me 5 metër, në mënyrë që të mos rrëzohet në det. Radarët janë kthyer në “Mollë Sherri” edhe për politikën, pasi shpesh ka akuza për fikjen e tyre, në mënyrë që të mos pikasen gomonet me drogë. Por burime nga Policia e Fierit theksojnë se radari në Hoxharë të Fierit punon, por rrezikohet të rrëzohet në det për shkak të dallgëve, prandaj duhet të zhvendoset. 

radari hoxhare

radari hoxhare
Radari në Hoxharë të Fierit