TIRANË - Gjetja e një varri në kryeqytet prej kohësh është kthyer në një problem shqetësues, ndërsa ajo çka ndodh në varrezat e Sharrës i kalon kufijtë e respektit për të vdekurit.

Prej më shumë se dy muaj aty varret hapen në rrugë, në sheshin e parashikuar nga bashkia për të ndaluar automjetet. Në parcelën katër ka varre të hapura në rrugë. Një e fundit është dhe varri i Sokol Olldashit, i cili humbi jetën në aksident automobilistik dhjetë ditë më parë.

Ndërkohë që një parcelë bosh gjendet rreth 100 metra larg, e mund të zgjidhte një problem provizor, por për shkak të mosmarrëveshjeve midis bashkisë dhe pronarëve të tokës ajo ka mbetur jofunksionale.

sokol olldashi varri
(Në foto: Varri në rrugë mbi asfalt i Sokol Olldashit në varrezat e Sharrës)

A1 Report sjell dëshminë e punëtorëve në Sharrë, të cilët shprehen se nëse bashkia do të paguajë lekët tek pronarët e parcelës, atëherë ky problem zgjidhet. Pasi sipas tyre asnjë lek s’është paguar, ndaj nuk hapet parcela e re. Varrezës i mungon edhe porta kryesore për të penguar automjetet.
 
“Gjithçka është e padenjë. Mos prisni të denja këtu, kur s’ka për të gjallët’, shprehet një zonjë për “A1 Report”, duke u drejtuar për nga varrezat.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)