Po për çfarë bëhet fjalë? Ky ligj do të lejojë importin vetëm për mbetje të riciklueshme, për të cilat ka teknologji në vendin tonë. Kjo do të thotë se, do të vijnë disa lloj mbetjesh që më pas do të riciklohen nga kompanitë private, të cilat prodhojnë produkte të ndryshme me to. “Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte. Importimi i mbetjeve, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit”, - thuhet në nenin 3 të projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ku tashmë kompetenca autorizimit kalon nga Këshilli i Ministrave tek Ministri i Mjedisit.
Bie në sy fakti se projektligji i propozuar është i njëjtë me ligjin që ka bërë ish-qeveria “Berisha” në vitin 2011. Me ardhjen në pushtet në vitin 2013 të qeverisë “Rama”, u vendos ndalimi i importit për çdo lloj mbetje. Por me nisëm e re të 3 deputetëve i hapet rruga ardhjes në vendin tonë të mbetjeve.
Një nga firmëtarët e këtij projektligji, deputeti i PS-s, Ervin Bushati thotë se në vendin tonë do të vijnë vetëm ato lloj mbetjesh që riciklohen dhe nuk do lejohet ardhja për t’u djegur.
"Që nga mbetjet e aluminit patjetër që duhet sepse kemi një industri të madhe të punimit të aluminit, mbetje e shishe plastike sepse janë lëndë e parë për të prodhuar ambalazhin për ujin e pijshëm që konsumohet nga të gjithë qytetarët dhe të tilla në vazhdimësi. Është shumë e rëndësishme që të thuhet dhe të vendoset në ligj që ato që nuk do të përpunohen të mos sillen në Shqipëri pra jo që të vinë këtu me sistemin e incenerimit pra që të merren mbeturina që vetëm të digjen këtu. Ne do përpiqemi që të kemi vetëm një sistem që garanton lëndën e parë për industrinë prodhuese ricikluese për të depozituar, djegur apo asgjësuar", shprehet Bushati. Megjithatë në draftin e siguruar nga Report TV nuk specifikohet që në Shqipëri do vijnë vetëm mbetje të riciklueshme, por thuhet se do të importohet çdo lloj mbetje jo e rrezikshme.
Kontrolli
Projektligji është diskutuar edhe në Komisionin e Vempritarisë Prodhuese, ku ekspertët e mjedisit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe Shoqata e Ricikluesve kanë thënë se janë dakord për importin për efekt riciklimi, por duhet të bëhet më shumë kontroll nga dogana dhe institucionet e tjera, për mosfutjen në vendit tonë të mbetjeve të rrezikshme apo për tu djegur.
Gjithashtu në projektligj janë parashikuar edhe gjoba. Kush do të importojë mbetje të rrezikshme ose jo të rrezikshme pa autorizim, atëherë do të gjobitet me 1.5 milionë deri në 2 milionë lekë të reja. Ne relacionin që shoqëron këtë projektligj thuhet se importi duhet të lejohet pasi kjo industri punëson rreth 35 mijë persona.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Shoqatën e Ricikluesve në vend dhe me Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese.
Redaksia Online
(M.Ç/shhqiptarja.com)