Në shtëpinë e Jacques Prevert
ku është kënga e dashurisë e botës

Në shtëpinë e Jacques Prevert<br />ku është kënga e dashurisë e botës
Ajo shtëpi është atje, pas krahëve të mëdhenj e të kuq të « Moulin Rouge », pas atyre krahëve që kanë ndalur prej vitesh, ndoshta prej dy shekujsh, si të duan të presin erën e mrekullisë, apo erën e Veriut, siç na kujton Jacques Prevert, ky poet i dashurisë.

Pasi mrekullia nuk është veç në erën që fryn, jo vetëm në krahët e një mulliri të vjetër, bekuar nga aq artistë që vinin rrotull netëve nën krahët e tij, nga Degas e Baudelaire, tek Rimbaud, Gauguin, Van Gogh e qindra të tjerë gjigantë të kësaj bote; as vetëm në kërcimet e vajzave të gëzimit në skenën e përndritur të « Moulin Rouge », për të cilat përgjërohej aq shumë një Toulouse Lautrec; por ajo është kudo, në çdo pëllëmbë kalldrëmi e rruge, bujtine e kabareje, pasi në dhjetëra gjenerata, shumëkush ka lënë diçka prej ari, prej fjale, prej ngjyre, tingulli, prej gjaku e mjalti.

Përballë « Moulin Rouge », i tregoj dy mikeshave të mia Yllka Mujo dhe Lushka Maçi se atje lart, prapa atyre xhamave të atij atelieri, piktori Léon Gérôme pikturonte Marko Boçarin dhe dhjetëra shqiptarë të tjerë me fustanellat e tyre të bardha, ndërkohë që pikërisht përballë tyre, ngrihet e paqtë emblema e « Cité Veron », poshtë së cilës ne hymë për të shkuar në shtëpinë e dikurshme të poetit :
- Ejani, - do shkojmë të pikëtakojmë Jacques Prevert. 
Sapo përmend këtë emër, sytë e bukur e të zinj të Yllka Mujos marrin një dritëz të çuditshme, pasi që në auditorin e Institutit të Arteve, këngët e Prevert ishin këngët e saj të preferuara. Dhe është mëse e natyrshme që ajo nis të këndojë, instinktivisht, për të prekur përsëri magjinë, vargjet e asaj këngë që i këndon në frëngjisht : (« Oh, je voudrais tant que tu te souviens…)

« Oh, do doja shumë të kujtoje,
Ditët e lumtura kur ishim miq.
Në atë kohë jeta ishte më e bukur,
Dhe dielli i atëhershëm më përvëlues…”

Yllka këndon lehtë, pasi ajo e di që kjo këngë është si një frymë, që s'ka nevojë të klithësh, është një këngë e dashurisë së humbur dhe e një përjetimi të gjithëkohshëm, është flladi që frynë në shpirt dhe bën të dridhet zëri, për të prekur disi qiellin.

… Gjethet e rëna i mbledhin me shumicë,
Ti e di që unë s’të kam harruar.
Gjethet e rëna, i mbledhin me shumicë
Kujtimet tona, e keqardhjet gjithashtu….

Ajo këndon dhe unë kujtoj gjithë ata këngëtarë që kënduan këtë këngë që i ra qark botës, nga Sinatra tek Nat Cole, për të kryesuar me francezët e mëdhenj Edith Piaff apo Juliette Greco, të përhumbura në pëshpërimën e artë dhe të pafund; kujtoj këtë këngë që këndohej në ato netë të trishta të Institutit të Arteve si për të dëshmuar se jeta megjithatë ishte e bukur, se shpirtrat ndjenin dhe rrinin zgjuar pranë një zjarri të pafund.

… Era e veriut i mer ato
Në natën e ftohtë të harresës.
E sheh, unë nuk e kam harruar
Këngën që ti më këndoje.

A mund ta quajmë kënga e botës. A nuk janë këngët e mëdha të dashurisë këngët e botës ? Yllka është e mëkuar me këngën dhe poezinë franceze, të cilën herë pas here, në skenën e artit, ka ditur ta shprehë : një Prevert, një Aragon, një Eluard, poetë të dashurisë dhe të popullit… Tashmë ndalojmë, jemi pranë portës së shtëpisë mitike. Një pllakë mermeri me dy emra : Jacques Prevert dhe Boris Vian, dy letrarë të mëdhenj të Francës të së njëjtës epokë. Fqinjë të përjetshëm… Hedhim sytë nga dritaret. Banori i saj nuk është aty, as gruaja e tij Jeanine, as vajza e tij Michelle e megjithatë ne e ndjejmë poetin, e ndjejmë në ato mbishkrime njerëzish dhe hapat e ndryshme të vizitorëve që vijnë hera-herës për të pikëtakur autorin e « Gjetheve të rëna »…

…Është kënga që na bashkon,
Ti që më doje, unë që të doja.
Ne jetojmë të dy së bashku,
Ti që më doje, unë që të doja...

Yllka e ka kënduar dhe vargun e fundit e megjithatë unë dua ta këndoj sërish. Ajo vështron muret, portën dhe padyshim që në vargjet që sapo ka kënduar, ajo, unë, të tjerë, vetë bota, gjen një pjesë të vetvetes… Ngre kokën drejt shtëpisë, këtij « tempulli pa religjion i banuar nga një shpirt » siç e kishte cilësuar një kritik dhe çuditërisht, sipër portës, një maçok na vështron i paqtë, i mësuar me vizitorët e shumtë… maçokët që aq shumë i donte poeti dhe që shpesh, në dritare e shikoje me maçokun e tij. Madje dhe në reportazhet televizive maçoku është aty, miku i përhershëm i poetit…

… Por jeta i ndan ata që duhen,
Ngadalë, ëmbëlsisht, pa bërë zhurmë.
Ndërsa vala e detit fshin mbi rërë
Hapat e të dashuruarve të ndarë…

Ne lëmë pas shtëpinë e poetit, ngjisim kalldrëmet e Montmartës, pikëtakojmë piktorët e shumtë në « Place de Tertre » dhe ulemi në një kafenenë ku dikur mblidheshin Degas, Van Gogh, dhe mjaftë impresionistë të tjerë. Është mbrëmje, Parisi tutje sapo ka ndezur dritëzat e tij në një qiell të ngrohtë e të bukur. Njerëzit kalojnë pareshtur nga « Espace Dali » dhe ne përsëri flasim për Prevert, dashurinë dhe botën. Edhe pse i vdekur dyzet vjet më parë, poeti nuk rresht së kënduari ende në shpirtrat tanë…
… Ne jetojmë të dy së bashku,
Ti që më doje, unë që të doja.
Por jeta i ndan ata që duhen,
Ngadalë, ëmbëlsisht, pa bërë zhurmë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel