Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi duket se rrezikon shkarkimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Nga hetimet e ndërmarra nga ILDKPI dhe DSIK, subjekti ka probleme me pasurinë e deklaruar dhe është i përfshirë në korrupsion. 

Subjekti e kishte kaluar 'sitën' e Vettingut për dy nga tre kolonat e këtij procesi, përkatësisht në anën morale dhe atë të pasurisë, por hetimet e ILDKPI-së dhe DSIK-së kanë nxjerrë në pah se Zefi nuk ka bërë deklarim të të ardhurave për një apartament në Shkodër dhe për dy automjetet e tij; se është i përfshirë në korrupsion për lirimin nga burgu të një personi përkundrejt një shume parash dhe se ka kontakte të papërshtatshme. 

Trupi gjykues që po shqyrtoi subjektin në fjalë përbëhej nga Fildes Shuli, Etleda Çiftja dhe Roland Alia.

Trupa e KPK lexoi raportin e ILDKP, ku thuhet se Arben Zefi nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për apartamentin 132.8 m2 në Shkodër, të cilin e ka blerë 4.3 milionë lekë. Më tej, në raport cilësohet se Zefi nuk ka pasur burime të ligjshme për të bërë blerjen në fjalë. Në të njëjtën vazhdë, Arben Zefi duket se nuk ka deklaruar as të ardhurat e blerjes së automjeteve “Mercedes” dhe “Volksëagen”, që rezultojnë në formularin e deklarimit të vitit 2009 e që njëra prej tyre gjendet në emër të së bashkëshortes.

Sipas ILDKPI-së, kryetari i Gjykatës së Shkodrës nuk ka deklaruar as 50 milionë euro të marrë kredi dhe as shumën prej 300 mijë lekësh tek llogaria që ka në një bankë të nivelit të dytë. Kësaj shume i shtohet edhe mos deklarimi i marrjes së 100 mijë eurove nga personi me inicialet R.D.

KPK lexoi edhe një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), ku cilësohet se gjyqtari Arben Zefi është përfshirë në korrupsion, duke liruar një person nga burgu përkundrejt një shume të konsideruar parash. Në këtë raport bëhet me dije se DSIK disponon edhe të dhëna përgjatë një viti nga Arben Zefi, ku përmes të cilave vërtetohet se subjekti është përfshirë në subjekte të kundraligjshme e se mbart kontakte të papërshtatshme.

Vendimi ndaj gjyqtarit Arben Zefi, i cili i rrëzoi gjetjet hetimore dhe kërkoi vazhdimin në detyrë, do të merret në datë 10 janar, ora 12:00.