Në skaner “ferri” i kromit të
Bulqizës, ngrihet grupi hetimit

Në skaner “ferri” i kromit të<br />Bulqizës, ngrihet grupi hetimit
TIRANE- E gjithë veprimtaria e kromit, zhvilluar këto vitet e fundit në qytetin problematik të Bulqizës dhe gjithçfarë ngjarje tjetër e lidhur me këtë metal që ndodhet atje do ti paraqitet së shpejti Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës. Kjo e fundit, me urdhër të Ministrit, Damian Gjiknuri, do të ngrejë një grup pune për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar në rajonin krommbajtës në Bulqizë.

Grupi do të analizojë realizimin e programit të koncesionit, ndërsa do të kontrollohet edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në punë të punonjësve të punësuar në aktivitetin minerar. Gjithashtu, kontrolli përfshin edhe evidentimin e aktiviteteve të palicensuara që ushtrojnë veprimtari në këtë zonë, kryerja e bilancit të rezervave të mineralit të kromit për secilën leje minerare, etj.

Sakaq, u kërkuan prej bluve dosjet paraprake hetimore të përplasjeve me armë, që kanë kulmuar në plagosje dhe vrasje këto 3 vitet e fundit. Burime pranë Policisë së Shtetit konfirmuan lajmin për “Shqiptarja.com”, duke shtuar se se gjatë këtyre viteve janë regjistruar të paktën 20 incidente që kanë pasur lidhje të drejtpërdretjë apo të tërthortë me minierat e Bulqizës.

Aty janë shënuar 4 të vrarë dhe 5 të plagosur, gjatë përplasjeve mes grupeve rivale, ku nuk janë kursyer as kalimtarët e pafajshëm. Pagat e ulta shkaktuan edhe një grevë afatgjatë të minatorëve të ACR-së, ndërkohë që ish-kryepolici i Dibrës Shemsi Prençi u largua nga detyra.

Ndërkaq, në korrik të këtij viti, një grup prej 7 deputetësh socialistë kanë kërkuar, përmes një shkrese zyrtare dërguar ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, që të lejonte interpelancën urgjente me ish-kryeministrin Berisha në lidhje me shfrytëzimin e kromit në Bulqizë. Deri tani, nga mungesa e kushteve teknike, kanë humbur jetën rreth 70 minatorë si dhe janë gjymtuar dhjetra të tjerë. Sasia e përgjithshme e rezervave të kromit rezulton 10 milionë tonë.

Me çmim prej 200 dollarësh për ton, kromi rezulton një pasuri me vlerë 2 miliardë dollarë. Qeveria ka dhënë rreth 106 licenca shfrytëzimi për burimet aktuale të kromit. Prodhimi aktual është rreth 200 mijë tonë në vit. 

“Far West” në Bulqizë
Galeritë ku ushtrohet aktivitet i paligjshëm  nga persona të ndryshëm janë kryesisht galeritë joaktive që nuk shfrytëzohen nga kompania koncensionare, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë teknike. Aktiviteti i paligjshëm ushtrohet në galeritë nr 18, 58, 42, 49, 63, 57, 60, 48 dhe galerinë “B”. Më 5 janar të këtij viti, në Bulqizë, qytetari i pafajshëm, Fehmi Kurçami, humbi jetën dhe u plagosën 2 të tjerë nga përplasja me grupit të Durriqëve me atë të Ilir Jangullit. Personat me iniciale L. Jangu dhe Destan Gjeta ishin në konflikt me anëtarët e familjes Duriqi. Më 21 prill të këtij viti, vëllezërit Shefqet dhe Vehap Shehu shkëmbyen zjarr me 25-vjeçarin Fadil Tërnova, që ishte në lokal me të vëllanë, Luan Tërnovën.

Nga përplasja vdiq 41-vjeçari Shefqet Shehu dhe u arrestua si autor Fadil Tërnova. Sakaq, më 2 shtator 2013, Qerim Marku u vra në një atentat në Bulqizë, ndërkohë që Shkëlqim Mullai, pothuajse në të njëjtën orë, u gjet i vetëvrarë nga policia në makinën e tij në qytetin e Durrësit. Marku u qëllua, sepse kishte konflikte në galerinë e kromit, ndërsa Mullai vrau veten për borxhet që kishte marrë për të investuar në këtë minierë. Si emra të implikuar në këtë aktivitet janë B dhe E. Çupi, E.Keta, L.Tërnova, R.Duriçi, N.Shabani, F. dhe U Tançi, si dhe A.Shehu.
 
Shifrat
20 incidente
4 të vrarë
5 të plagosur
70 punëtorë të vdekur
2 miliardë USD pasuri krom
200 mijë ton në vit
200 dollarë një ton krom
 
 Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin