Në skenë drama ‘Pasaporta’, autori Petrovci: Pjesa dedikuar njerëzve që pinë drogë, inspirimi ish studenti im! Biseda me gruan time për dashurinë e vërtetë

Në skenë, dy aktorë, i dhanë jetë dramës së shkruar nga Enver Petrovci, aktor, regjisor e autor. 

“Më ftuan dhe erdha me kënaqësi ta shikoja! Jam ende i ri si dramaturg, ndonëse ndihem ende pak xheloz e dua që pjesët e mia t’i ruaj për vete. Unë do ta kisha vendosur ndryshe, por më duhet të pranoj se edhe të tjerët dinë, dhe pse e kam shkruar unë. Dhe me të vërtetë më pëlqeu! “, rrëfen Petrovci.

Regjia e Joana Omerajt, e solli ndryshe pjesën “Pasaporta” në sallën “Black Box” të “Arteve, për tre net radhazi, këtë fund tetori.  Dy protagonistët, të luajtuar nga Altea Alushi dhe Amri Hasanlliu, i lë të vetëm në skenë, ndërsa në rrëfimin e tyre ndjell edhe të tjera personazhe… Është një pjesë bashkëkohore, që temën e merr nga aktualiteti, dramaturgu rrëfen çfarë e ka ngacmuar për ta shkruar.

“Më erdhi një ish student, dhe më tha: “Profesor na keni lodhur me këto dramat serioze, patriotike, shkruani diçka për ne!” Po kush je ti i thashë? Ja, për ne që pimë drogë më tha... Dhe mu duk ide e mirë, dhe po atë ditë nisa të shkruaj dramën kushtuar njerëzve që pinë drogë! Inspirimi ishte ai, ish studenti im”, thotë më tej Petrovci.

Droga, lidhjet për interes material, dhe tentativa e autorit për t’i dhënë publikut një mesazh, për dashurinë e vërtetë i shtrohen publikut gradualisht. Takimi i shpirtrave, para trupave është thelbësore për artistin. Ndaj ai i vendos dy protagonistët përballë, e secili rrëfen historinë  e tij...

“Del në këtë pjesë realisht mendimi im për atë që është dashuria... Dhe kur kam arritur një moshë e kam kuptuar, se ne në të vërtetë nuk duhemi! Ne duam vetëm pronën tonë”, thotë artisti.

Dashuria është një rrugëtim, që bëhet përmes njohjes, ndërsa xhelozinë Petrovci e lë jashtë rrethit. Dhe këtë jo vetëm në dramë, por edhe jashtë saj.

“Ka një kohë që unë e kam kuptuar se unë me të vërtetë e dua gruan time, pavarësisht se ajo gjithmonë më ka akuzuar se nuk e dua. Më thotë: “Ti s’je xheloz aspak për mua!”... Por dashuria nuk është kjo, ndaj unë ja kam kthyer: Ti nuk më do mua, ti do burrin, ‘pronën’, por jo Enverin mua personalisht. E unë të dua ty personalisht dhe jo gruan time”, tregon artisti.

“Pasaporta” ishte një nga shfaqjet e vendosura në skenë nga Teatri Magjik, të drejtuar nga Eni Picalli.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?