Diplomati i Dytë i hapi të dyja kanatat e dritares së zyrës dhe e uli grilën deri në mes të saj me shpresë që t'i shpëtonte vapës së madhe që po i kërcente mbi trup prej asfaltit të rrugës Asmara. I Ngarkuari ne Punë sapo e pati thirrur dhe i kishte treguar projektin e ftesës së bërë për 15 shtatorin nga departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare i Konfindustrias. Në bocën e përkohshme, e cila po brenda kësaj dite do të merrte formë zyrtare e shumëfishohej, nuk mungonte asgjë nga marrëveshjet e realizuara më parë mes ambasadës dhe institucionit përfaqësues të kapitalistëve të mëdhenj italianë.
I Ngarkuari e kishte hedhur firmën në fund të bocës dhe kërkonte që menjëherë t'i dërgohej nëpërmjet faksit këshilltarit Masoni. Diplomati i Dytë nisi ta rifomulojë ftesën në kompjuter. Goditi tastierën: E martë, 15 shtator.
U mpi. Asnjëherë fjala "e martë" nuk e kishte tronditur kaq sa kësaj radhe. Ai nuk i paragjykonte ditët e javës, por togu i fjalëve "e martë, 15 shtator" i futi dridhmat.
Vetëtimthi iu kujtua vezullimi i papritur i syve të Masonit kur e takuan për herë të parë dhe ishin duke pirë një kafe në hollin e madh të katit të parë të ndërtesës së ngujuar në xham dhe duralumin. Atëherë atij i kishte shpëtuar një frazë e mjegullt e dyshuese nëse vërtet do të realizohej vizita e kryeministrit shqiptar në Romë.
Diplomati i Dytë goditi sërish: Seminar "Ekonomia shqiptare: mundësi bashkëpunimi për ndërmarrjet italiane", Romë, 15 shtator 1998, ora 15.00, Sala Giunta".
Mbajti një çast frymën dhe sërish mëshoi tastet e germave: "Ora 15.00- Mirëseardhje nga Këshilltari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare...Ora 15.10- Fjala e ministrit shqiptar për Ekonominë dhe Privatizimin, Fjala e ministres për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtinë me Jashtë, Fjala e ministrit italian për Tregtinë me Jashtë...".
Diplomati i Dytë ndjeu mbi shpinë të gjithë përvëlimin e vapës së reflektuar nga asfalti i rrugës Asmara. Në bocën e vjetër, hartuar në 4 shtator, ishte shkruar se në seminar do të fliste edhe Fatos Nano. Tashmë në bocën e re emri i tij ishte shmangur: kryeministri shqiptar nuk do të takohej me presidentin e Konfindustrisë. Ky në 15 shtator do të qe jashtë Romës.
11 shtator 1998, në Shqipëri nuk ndodhen as Kryeministri dhe as Presidenti
Këtë ditë Diplomati i Parë mbajti shënim dy ngjarje që parathoshin situatë të veçantë. E para qe deklarata publike e Azem Hajdarit, bërë në qytetin e Lezhës: "Populli në mbarë Shqipërinë është ngritur në këmbë për të rrëzuar qeverinë". E dyta: nënministri i Jashtëm italian Piero Fasino kishte bërë një vizitë në qytetin e Barit dhe pati thënë çfarë gjer ato çaste nuk e kishte pohuar askush prej qeverisë italiane. Deklarata e tij ishte: "NATO do të marrë masa për Kosovën".
Ndërkohë Diplomatit të Parë i ra në sy që në Shqipëri ato çaste nuk ndodhej as presidenti dhe as kryeministri. I pari qe nisur për një vizitë në Athinë, kurse i dyti gjendej në panairin e Lisbonës.
Rishfaqet diplomati hajdut i dhjetë apartamenteve
I Ngarkuari me Punë ishte gati ta zhubroste atë letër që sapo ia kishin sjellë nga sekretaria e ambasadës. Që në krye të objektit të saj ajo komunikonte në mënyrë arrogante "Shitja e shtëpive të vendosura në Romë, Viale Eritrea nr. 34". Dhe më pas: "Pronari i grupit të apartamenteve që janë zënë prej Jush aktualisht në cilësinë e Kondudorit e ka ngarkuar Shoqërinë tonë të kujdeset për shitjen.
Në rast se do të ketë të interesuar për t'i blerë, do t'Ju njoftojmë me anë të një letre të rekomanduar brenda 10 ditësh nga marrja e saj. Në rast të kundërt, ju lutemi na komunikoni me anë të një përgjigjeje orarin, ku ditë për ditë, është e mundur që klientët tanë të vizitojnë apartamentet".
I Ngarkuari me Punë shtrëngoi një çast tëmthat dhe ndjeu se nga zemërimi ato po i rrihnin. Pastaj befas e kapi copëfletën e ardhur nga shoqëria Galavrani dhe ia nguli sytë. Në krye të saj, adresa e tyre ishte shkruar "Ambasada e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë".
E uli rrufeshëm vështrimin një radhë më poshtë. Adresimi i zonës ishte 00162,3. Pra qe grupi shifror që përcaktonte tre dekada më parë vendndodhjen e selisë së mëparshme të Ambasadës, tek Vila Kalandra. Prej kohësh ambasada ndodhej në 00199,5.
Analisti britanik në radio BBC: Ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë komunikojnë me njëra-tjetrën
Diplomati i Parë e lëvizi me shpejtësi shigjetën e treguesit të valëve dhe radioja menjëherë lëshoi në ajër sinjalin e fillimit të emisioneve të BBC-së. Ishte ora 19.00 dhe ai i vetëm në zyrën e tij. Kolegët qenë larguar një nga një e shumica duhej të ishin mbledhur në sallën e katit të parë, ku edhe kishte një televizor të lidhur, nëpërmjet një antene satelitore, me TVSH-në.
Në Lisbonë duhej të qe zhvilluar Dita e Shqipërisë. Një veprimtari pothuaj paralele do të mbahej edhe në Bari. Nuk ishte hera e parë që në qytete të rëndësishme të Evropës perëndimore interesimi për Shqipërinë tregonte rigjallërim, edhe pse nga analistë të ndryshëm përflitej kahja e kundërt: lodhja e Perëndimit nga problemet e pafund që krijonte vendi i vogël dhe i vështirë i Ballkanit.
"Dita e Shqipërisë" në EKSPO 98 në Lisbonë ishte mbajtur. U konfirmua ato çaste nga BBC. Por lajmi i kësaj Dite nuk përbënte ngjarjen kryesore të edicionit informativ të stacionit të shumënjohur britanik. Madje "Dita e Shqipërisë" as që përfaqësonte në vetvete ndonjë lajm. Këtë e kishte mjegulluar një deklarim i Fatos Nanos, i shqiptuar në konferencën për shtyp të organizuar posaçërisht për atë Ditë.
Kryeministri i Shqipërisë në Ekspozitën Botërore të Lisbonës e pati përqendruar vëmendjen në përgjigjet për problemin e Kosovës dhe si rrugëzgjidhje për këtë krizë kishte ofruar marrjen pjesë të saj në një federatë serbe demokratike. Ai ishte shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, duke e argumentuar atë me idenë se ajo qe e papajtueshme me kontradiktat ndëretnike në këtë territor. Deklarata e Fatos Nanos ishte bërë menjëherë top lajm edhe për faktin se për Kosovën ai kishte shqiptuar si kryeqytet të saj Beogradin, jo Prishtinën.
Diplomati i Parë e mbylli radion. BBC po citonte një raport i OKB-së për zhvillimin, në të cilin Shqipëria, për të ardhurat për frymë, zinte në botë vendin 105.
Brenda pak çasteve Diplomatin e Parë e mundi ndjenja e dyshimit mos kryeministri kryente të njëjtën gjë edhe në Itali dhe pas kësaj gjithçka që ishte kryer me mund nga stafi i ambasadës, do të thërrmohej, do të zhdukej prej mundësisë për t’u bërë lajm. Fatos Nano do të takonte kolegun Romano Prodi, presidentin e vendit Euxhenio Skalfaro, dy kryetarët e dhomave të parlamentit Violante dhe Mançini, kryetarët e partive kryesore duke filluar nga lideri i të majtëve Masimo D'Alema dhe duke përfunduar me kryetarin e të djathtëve Xhankarlo Fini. Do të bëhej edhe takimi i tij me Papën.
Diplomati i Parë befas ndërroi mendje dhe e rihapi radion. BBC po e vijonte programin e saj. Kësaj radhe një analist britanik po thoshte se ngjarjet e ndodhura në Shqipëri ndikonin më shumë në Kosovë dhe ato të ndodhura këtu influenconin shumë më pak në Shqipëri.
"Përtej Urës së Qabesë"
Bruno Kalvo kësaj radhe erdhi në ambasadë me një dosje të vogël plastike ngjyrëvishnje. Tha se ishte gati të transportonte deri aty me makinën e tij disa dhjetëra kopje të albumit për Shqipërinë. Pastaj shtoi vrulltas se qe shumë i dëshiruar t'i priste për vizitë në shtëpinë e tij.
Ai jetonte në atë pjesë të Romës, e cila quhet EUR, fare pranë sheshit Kina. EUR ishte një lagje relativisht e re e kryeqytetit italian, ndërtuar pak vite para luftës së dytë botërore me një stil shumë origjinal.
Kalvo shtoi se, nëse diplomatët shqiptarë do t'ia plotësonin këtë dëshirë, do të gëzohej mjaft edhe gruaja e tij. Ajo qe një italiane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një plakë e bardhë dhe si e skalitur në mermer, me një zë të mëndafshtë prej engjëlli.
Pasi i mori një përgjigje pozitive ftesës së tij ai mbushi me gaz sytë e kaltër. Më pas, tek ikte dhe i duheshin fare pak hapa për të mbërritur portën e kangjelltë të ambasadës, ndali dhe u kthye nga ata që po e shoqëronin. "Për pak harrova përse erdha" tha dhe nxori nga dosja e tij e vogël një CD room.
-"Është një nga projektet e mia" - shtoi dhe kapërceu portën e hekurtë.
Kur, pas largimit të Bruno Kalvos, njëri nga diplomatët e vendosi CD room-in në kompjuter, menjëherë në zyrë u përhapën tingujt e himnit kombëtar shqiptar. Pas himnit u dëgjua një poezi, pastaj kënga "Përtej Urës së Qabesë". Vijoi sërish një poezi, pasoi një tjetër melodi popullore...
Rrebesh shiu në Romë
Nëpër të gjithë natën e asaj të premteje, 11 shtator, mbi Romë ra një shi i rrëmbyer, gati si i çmendur. Vetëtimat përskuqën qiellin dhe gjëmimet për më tepër se një orë u bënë aq të shpeshta sikur të ishte një bombardim. Disi më i qetësuar, por sërish i parreshtur, shiu vijoi edhe në zbardhje të ditës.
Ra edhe gjithë paraditen. Veç kësaj here ishte me të vërtetë një shi vjeshte. I trazoi të gjitha gjethet e pemëve dhe, tek godiste mbi to, dukej sikur tingëllonte një melodi.
Ndërkaq në Shqipëri, në Fier, Azem Hajdari pati deklaruar se "Kjo qeveri nuk e ka të gjatë...Nano dhe klika e tij janë sot qeniet më të urryera për shqiptarët, që në një vit sundimi të komunistëve shohin se u është rrëmbyer pasuria, mirëqenia, liria, qetësia dhe puna...".
12 shtator, e shtunë
Në telefon ishte shefi i tij i drejt për drejtë. Syrit të Qelqtë i hipi në kohë të bënte shaka, siç edhe i ndodhte më shpesh kur ia dëgjonte zërin, por në receptor fjalët që mbërritën nga Tirana ishin të ngrira, si të mbushura me brymë.
-Rreth orës 21.15, është vrarë Azem Hajdari - tha tjetri. Pastaj shtoi - Po më dëgjon?
-Të dëgjoj - iu përgjigj Syri i Qelqtë, por nuk ishte i sigurt në se kishte arritur ta nxirrte vërtet atë zë. Fjalët e tjera qenë si të mpira, të përçartura: ku, si ndodhi, kush mund ta ketë vrarë.
Pastaj shefi i tij theksoi fjalët se thjesht kishin porosi të vinin në dijeni njerëzit e tyre dhe me këtë rast të mos linin t'u shpëtonte ndonjë informacion rreth vrasësve të mundshëm. Sidomos po të dinin që ata kishin kaluar kufirin shtetëror.
Më në fund njeriu nga Tirana e mbylli telefonatën pa thënë natën e mirë. Syri i Qelqtë kafshoi buzën lehtë, si për ta provuar veten në se qe në jetë reale dhe jo në ndonjë zhgjëndër. Kur njëri nga kolegët e një shërbimi të huaj i pati thënë se në shtator do të pësonin një trazirë as që i kishte vajtur mendja se për shkëndijë do të qe vrasja e një politikani të dëgjuar të opozitës.
Deklaratë e jashtëzakonshme e kryesisë së PD-së, e Sali Berishës dhe e Qeverisë Shqiptare
"Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot, më datë 12 shtator 1998, për të nderuar figurën e liderit të shquar të lëvizjes së dhjetorit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe vendosi: Të mbahet tre ditë zi kombëtare, duke filluar nga dita e diel, më 13 shtator. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike dhe ato të pushtetit lokal demokrat të ngrihen flamujt gjysmështizë...
Sali Berisha deklaroi: "Azem Hajdarin e vrau shteti me falangat e tij, emrat janë të njohur. Ai qëndroi gjer në minutën e fundit dhe ne duhet të qëndrojmë gjer në minutën e fundit. Ne jemi një vend që meritojmë lirinë, ne jemi një popull që meritojmë të ardhmen. Vrasja e Azem Hajdarit është vrasja më makabër e Fatos Nanos dhe e atyre që iu shërben Fatos Nano. Ai është në një farë mënyre zëdhënësi më i fuqishëm i interesave kombëtare. Kishte një kurajo të jashtëzakonshme. Edhe një herë do t'u kujtoja fjalën e tij në spitalin ushtarak, kur u plagos. "Unë e kam për nder të vdes për demokracinë". Ai e tha për mua, por nuk ishte fjala për mua, sepse nuk kishte pse të vdiste për mua. Ai më tha se të jesh i sigurt se "unë vdes i lumtur dhe vdes i qetë kur vdes për ty"...Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano...".
Qeveria Shqiptare i komunikoi opinionit publik se i shprehte “ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve, për atentatin ndaj bashkëshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik...Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.
Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.
Ajo i lutet të afërmeve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës...".
Rrebesh lajmesh
Diplomati i Parë nisi të lexojë me një frymë teletekstin e Radiotelevizionit Italian, RAI: "Vritet në Tiranë bashkëpunëtori i ish-presidentit Sali Berisha". Më pas moria e zezë e germave thoshte se në Tiranë në një pritë qe vrarë deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari, i cili pati qenë në krye të mitingjeve të opozitës kundër qeverisë Nano dhe se një vit më parë kundër tij pati bërë atentat në mes të parlamentit një deputet i Partisë Socialiste.
Ngjarjen e ndodhur në Tiranë kanali i dytë i televizionit publik italian e dha me figurë. Pastaj hapi kompjuterin dhe u lidh nëpërmjet internetit me agjencinë italiane të lajmeve ANSA. Këtu njoftimet qenë të shumta.
Gjer në orën dy të pasmesnatës ndoqi ngultas informacionet më të reja që vinin nga teleteksti i RAI-t. Në orën dy doli në dritare dhe ndezi një cigare. Të njëjtën gjë e bëri edhe një gjysmë ore më pas. Afër orës tre u përpoq të flinte dhe nuk ja doli dot. E përsëriti gjestin ngulëkëmbës në orën katër dhe nuk kuptoi se si, pas shumë përpjekjesh, gjumi e mundi.
(Vijon)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)