VLORË- Pa kaluar ende një javë nga tragjedia në Potam të Himarës, drejtuesit e mjeteve lundruese ende nuk janë bindur, por vijojnë të mos respektojnë zonën e kufizuar. Policia e Vlorës, nisur nga një video e publikuar në rrjetet sociale, ka lokalizuar mjetin lundrues që ka thyer zonën e kufizimit, duke u futur në bregun e Potamit duke transportuar disa pasagjerë.

Policia ka identifikuar pronarin e saj dhe i ka vënë një gjobë prej 100 mijë lekësh, si edhe ka bllokuar mjetin lundrues. Po ashtu, Policia ka bllokuar në Himarë edhe 2 mjete të tjera lundruese “Jet ski”, në pronësi të shtetasit F. B., me qëllim kontrollin për dokumentacion.

Policia ka dhënë urdhër që asnjë mjet lundrues pa dokumente të mos qarkullojë në bregdet. Për 4 ditë policia kufitare ka bllokuar 200 mjete lundruese nga veriu në jug, të cilat po kalojnë në filtrin e dokumentacionit ligjor për tu rikthyer në det. Pas bllokimit të mjeteve, pronarët e subjekteve të mjeteve lundruese në Velipojë kanë reaguar duke deklaruar se kanë 14 vite në këtë aktivitet dhe se ky moslejim pa asnjë shkresë zyrtare është i papranueshëm, pasi ato paguajnë taksa si biznes, ndërsa sipas tyre në plazhin e Velipojës nuk është regjistruar asnjë incident, qoftë dhe minimal. Edhe në Vlorë, të shtunën pronarë e administratorë të mjeteve lundruese dolën në protestë pasi prej disa ditësh si pasojë tragjedisë së ndodhur në Himarë, është ndaluar përdorimi i tyre.

Vendimet e policisë për të mos lejuar motorët lundrues vijnë pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Tase mori dje masën e sigurisë për akuzën "vrasje me dashje", nga e cila rrezikon 10-20 vite burg.