VLORË- 'Na kanë bërë një padrejtësi që po na lë pa bukë’, kështu u shprehën pronarë e administratorë të mjeteve lundruese në Vlorë të cilët kanë dalë mëngjesin e kësaj të shtunë në protestë pasi prej disa ditësh si pasojë tragjedisë së ndodhur në Himarë, është ndaluar përdorimi i tyre. Megjithatë, protestuesit u pritën nga efektivi i policisë kufitare i cili u tha se mjetet do të rikthehen sot në det pas verifikimit të dokumentacionit. Gjithashtu ai u theksoi se nëse ka një person mbi kapacitetin e mjetit, do u bllokohet. 

Duke sqaruar se janë vetëdijshëm për tragjedinë e Himarës, pronarë e administratorë të cilët protestuan përpara policisë kufitare, sqaruan përpara mediave se nuk mund të bëheshin shembulli i një njeriu që vret.  Qytetarët shpjeguan më tej se problemet me jetesën, kreditë, sigurimi i ushqimit për fëmijët e për më tepër, fitimet e një sezoni të cilat parashikohen për gjithë vitin, e kthejnë situatën në një padrejtësi që po i vihet në kurriz disa njerëzve për shkak të një vrasjeje, duke iu referuar ngjarjes së rëndë ku Arjan Tase goditi për vdekje 7-vjeçaren në plazhin Potam të Himarës.

'Bashkohemi me dhimbjen e familjes që humbi vajzën në atë aksident tragjik që është një tragjedi që të gjithë e kuptojnë por si pasojë e saj na kanë bërë një padrejtësi që po na lë pa bukë. (..) Nëse i ka njeri afër plazhit mjetet, t’ia sekuestrojnë. Nëse vrau njëri dikë, duhet ta pësojmë neve? Këta po ruajnë postet e tyre për të ushqyer fëmijët e tyre, por ne t’i lëmë rrugëve? Si të paguaj kredinë, si t’i jap rrogën punonjësve?'- tha protestusi

‘Drita jeshile’ nga efektivi i policisë kufitare ‘qetësoi’ protestuesit thënë se pritet të vijnë përfaqësues të lartë të policisë kufitare në vendqëndrimin e porteve dhe do t’i lejojnë mjetet lundruese që pas kontrolleve të dokumentacionit të dalin në det. Ai më pas i sqaroi edhe njëherë lidhur me rregullat që duhen ndjekur.

'Do kini parasysh zbatimin e rregullave të lundrimit në det. Kush është me licencë edhe ata që janë me familjarë të kenë salvagenta. Dhe në rast se do kapet një shtetas mbi kapacitetin e mjetit, do t’u bllokohet. Kujdes hyrjet dhe daljet në korridore, duhet ardhur brenda atyre normave të lejuara 4 milje. Jeni dëshmitarë për atë që ndodhi, nuk do të thotë që ndodhi atje dhe ne s’kemi punë. Ata që nuk kanë dokumente të bëjnë ndonjë fotokopje’- sqaroi efektivi i policisë kufitare për protestuesit. 

Në kulmin e sezonit turistik, për shkak të ngjarjes tragjike në Himarë, asnjë mjet lundrues duke filluar që prej ditës së djeshme nuk do të dalë dot në det. Ky vendim, i konfirmuar më 5 gusht nga Drejtori i ri i drejtorisë së Kufirit të Vlorë, Eduart Sulejmani nxiti edhe revoltën e qytetarëve të Vlorës të cilët dolën sot përpara policisë kufitare.Sulejmani u shpreh se mjetet lundruese që të lëvizin në det duhet të kenë një sërë dokumentesh, që nga ato të mjetit, licencë turistike, NIPT të regjistruar në QKR, kontratë me zyrën e punës, të jenë të siguruar etj. Nëse do të mungojë qoftë dhe një dokument do të merren masa administrative deri në bllokim të mjetit lundrues.

Dy ditë më parë, ishte policia kufitare cila jepte lejet për gomonet që te lëviznin në det, ndërsa në det ishte dhe gomonia e policisë që kontrollonte mjetet për dokumentacionin. Më pas policia dha urdhër që të mos lëvizë asnjë mjet lundrues në det. Në këtë mënyrë, pronarët janë detyruar të kyçin mjetet lundruese që i jepnin me qira gjatë sezonit veror. Kjo vjen pas tragjedisë në Himarë ku komisari Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia teksa drejtonte gomonen. Edhe Policia Kufitare e Sarandës e Ksamilit ka marrë vendimin për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve motorike. Ky vendim parashikon se asnjë mjet uji jet ski dhe skaf nuk do të lejohet të akomodohet dhe qarkullojë në ujërat e 140 plazheve private dhe 5 plazheve publike në Sarandë dhe Ksamil.

Vendimi përjashton vetëm mjetet ujore të licencuara për udhëtime turistike, të cilat do të lejohen të dalin vetëm nga Porti dhe nga Limani dhe nuk do të lejohet hyrja dhe dalja e tyre nga territoret e plazheve apo mole të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të cilat nuk janë të licencuara.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Tase mori dje masën e sigurisë për akuzën "vrasje me dashje", nga e cila rrezikon 10-20 vite burg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:39
Protesta e pronarëve të mjeteve lundruese/ Efektivi i Kufirit: Po vijnë përfaqësues të lartë, do u kontrollojnë dokumentet e do dilni në lundrim

 

Pas protestës së pronarëve të mjeteve lundruese, një efektiv i policisë kufitare duke i thënë se do vijnë përfaqësues të lartë të policisë kufitare në vendqëndrimin e porteve dhe do t’i lejojnë mjetet lundruese që pas kontrolleve të dokumentacionit të dalin në det. Më pas i sqaron dhe rregullat që duhet të ndjekin dhe nuk duhet ti shkelin.

"Do kini parasysh zbatimin e rregullave të lundrimit. Kush është me licensë, edhe ata për familjarë, duhet t'ia jepni qytetarit që ta kontrollojë policia. Në rast se ka 1 person mbi kapacitetin e mjetit, mjeti do bllokohet. Do keni paraysysh hyrjen dhe daljen në korridore. Jeni dëshmitarë çfarë ndodhi prandaj duhet marrë masa. Ata që nuk i kanë dorëzuar dokumentet, të bëjnë fotokopje se për çerek ore besojnë vijnë ata", tha efektivi.

Ora 09:37
Bllokimi i mjeteve lundruese në Vlorë, protestuesi me letra angleze: S'ka roje bregdetare, është e rrezikshme! Incidentet ndodhin kudo, por të tjerët vijojnë punën

1659774609_anglezi.JPG

Në mesin e protestuesve për bllokimin e mjeteve lundruese në Vlorë ishte një shqiptar me letra angleze që sqaronte se i ka të gjitha dokumentet dhe për 5 ditë do të largohet nga vendi. Ai sqaroi se incidentet ndodhin kudo por të tjerët vijojnë punën.

“Jam me flamur anglez, me pasaportë angleze e dokumente angleze. Shkova dje me familjen, s’më lanë të hyja në Triport. Më thanë s’lejohet. Verifikoi dokumentat, patentën e kam angleze, unë 5 ditë jam, do iki të premten. Incidente ndodhin në çdo vend të botës dhe të gjithë të tjerët vijojnë punën. Jam dakord që të mos lejohen skafet pranë bregdetit se unë dal gjithmonë me familjen. Është e rrezikshme, s’ka as roje bregdetare. Nëse ndodh diçka, kush e ndihmon moshatarin. Më lejo vendin ku do ankorohem”, tha anglezi.

Ora 09:35
Pronarët e mjeteve lundruese: Bllokimi na penalizon, duhet të ikim në punë se kemi kredi! Nuk mund të lëmë fëmijët pa ushqyer vetëm prej një vrasje

 

Pronarët e mjeteve lundruese në Vlorë kanë dalë në protestë për shkak të bllokimit të lëvizjes pas tragjedisë që ndodhi në plazhin e Potamit, ku gomonia e drejtuar nga Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia. Pas ngjarjes së rëndë, Policia Kufitare është në aksion për ndalimin e mjeteve lundruese dhe prej 3 ditësh nuk mund të dalin në det, ndonëse thonë se i kanë të gjithë dokumentacionet. Protestuesit thonë se nuk mund të ndodhë kështu pasi kanë nevojë për të ardhura dhe gjithçka marrin nga sezoni veror, e përdorin për të kaluar vitin. Ata kërkojnë që të gjobiten ose t’i sekuestrohen mjetet në rast se kapen me shkelje.

“Bashkohemi me dhimbjen e familjes që humbi vajzën në atë aksident tragjik që është një tragjedi që të gjithë e kuptojnë por si pasojë e saj na kanë bërë një padrejtësi që po na lë pa bukë. Të gjithë ne jemi dëshmitarë. Na u pat urdhëruar që nuk do dilni në det. Unë disponoj mjete me licensë, kemi dokumente përkatës, na vjen policia kufitare dhe ia paraqesim të gjitha dokumentet e mjeteve, të gjithë faturat e prera, listpagesën. Pa asnjë shkresë zyrtare na thonë s’do ikni në punë.

Ne këto 10 ditë presim për të gjithë shpenzimet e vitit. Në fillim s’kishte asgjë të urdhëruar. Shkova në stacionin e policisë në Triport, i çoj të gjithë dokumentacionin, i mbajti shënim të gjitha, çova dhe pagesat e fiskalizuara e më tha je në rregull, vazhdoni punë. Të nesërmen më ndodhi historia e çuditshme. Me 30 të huaj na ndalojnë mjetet e na thonë kemi urdhër. U kthyem. Të nesërmen ishte krimi ekonomik, Interpoli, kufitarja, të gjithë ne si dele i çuam dokumente dhe këta miqtë pa bërë asnjë kontroll i marrin këta dokumente dhe thonë do verifikohen. Po ne çfarë do bëjmë ndërkohë. Kur do verifikohen, në dhjetor. I thamë gjobë maksimale ose burg nëse e meritojmë”, tha një protestues.

Ndër të tjera, një prej pronarëve theksoi se kërkojnë të shkojnë në punë se kanë kredi për të paguar e duhet të ushqejnë fëmijët. Sipas tij, nuk mund të penalizohen të gjithë vetëm prej njërit që vrau fëmijën.

“Na kanë kthyer 3 herë. I kemi të faktuara dhe biletat e anuluara. Na bëjnë dhe ironi, pse bën ti 2000 euro në ditë? Bëjmë dhe 5 po me ato mbulojmë gjithë vitin. Kërkojmë të shkojmë në punë, jo të mbahet një i nënës, një i njerkës. Nëse i ka njeri afër plazhit mjetet, t’ia sekuestrojnë. Nëse vrau njëri dikë, duhet ta pësojmë neve? Këta po ruajnë postet e tyre për të ushqyer fëmijët e tyre, por ne t’i lëmë rrugëve? Si të paguaj kredinë, si t’i jap rrogën punonjësve?” – vijoi protestuesi.