Liderët evropianë janë të gatshëm të marrin rolin kryesor në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, duke vazhduar procesin që deri më tani është udhëhequr kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Kështu deklaroi të hënën Stefan Kornelius, zëdhënësi i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Deklarata erdhi pas takimit të zhvilluar të dielën në Londër mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelarit gjerman Friedrich Merz, si dhe liderëve të Francës dhe Britanisë së Madhe.
“Ajo që është e re, besoj, është se ky proces po fiton një dinamikë të re në Evropë. Një tjetër zhvillim i ri është se ne po marrim dhe po vazhdojmë procesin e negociatave që është udhëhequr kryesisht nga SHBA. Po e bëjmë këtë në koordinim të ngushtë me SHBA”, deklaroi Kornelius.
Që prej fillimit të vitit 2025, përpjekjet për të ndërmjetësuar negociata mes Rusisë dhe Ukrainës janë udhëhequr nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, por pa rezultate domethënëse në terren.
Nisma evropiane për të marrë një rol më të madh në bisedimet e paqes vjen në një moment kur Uashingtoni po përqendrohet gjithnjë e më shumë te përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit në Londër, Merz, homologët e tij francezë dhe britanikë, së bashku me Zelenskyn, bënë thirrje për “dialog të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë me pjesëmarrje aktive të SHBA-së dhe Evropës”.
Ata paraqitën gjithashtu pesë kushte për arritjen e paqes, ku përfshihet një armëpushim i menjëhershëm dhe i plotë.
Sipas deklaratës, vija aktuale e kontaktit mes forcave ruse dhe ukrainase duhet të jetë pika e nisjes për negociatat, ndërsa Ukrainës duhet t’i garantohen garanci të forta dhe ligjërisht të detyrueshme sigurie.
Po ashtu, liderët evropianë kërkojnë që asetet ruse të mbeten të ngrira derisa Kremlini të ndalë luftën dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara nga konflikti.
Kornelius bëri të ditur se qasja evropiane do të diskutohet më tej gjatë samitit të G7 në Evian dhe në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel javën e ardhshme.
“Na duhet mbështetja sa më e gjerë e të gjithë partnerëve evropianë për të shtyrë realisht përpara procesin e paqes”, tha ai.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave me liderët evropianë. Deri tani, vendet evropiane kanë mbetur jashtë negociatave të drejtpërdrejta, edhe pse prej kohësh kanë kërkuar një rol më të madh në përcaktimin e një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin.
Ndërkohë, vendet evropiane dhe veçanërisht Gjermania janë kthyer në mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë të Kievit dhe pritet të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës sesa homologët e tyre amerikanë.
Javën e kaluar, Zelensky i dërgoi një letër të hapur Putinit duke i kërkuar një takim për t’i dhënë fund luftimeve, por presidenti rus e hodhi poshtë kërkesën një ditë më vonë.
Më herët, Putin kishte propozuar ish-kancelarin gjerman Gerhard Shreder si një negociator të mundshëm në bisedimet për paqen në Ukrainë. Propozimi u refuzua shpejt nga kryeqytetet evropiane, ku u interpretua si një përpjekje e Kremlinit për të përçarë Evropën dhe për ta paraqitur veten si një partner të gatshëm për negociata.
Sipas Kornelius, mund të duhen “javë apo edhe muaj” për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave.
“Vetëm një Ukrainë e fortë dhe presioni ndaj Rusisë do ta bindin Putinin të tërhiqet”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Evropa duhet të jetë e përgatitur për momentin kur bisedimet të bëhen të mundshme.
“Duhet gjithashtu të krijojmë gatishmërinë për dialog dhe të biem dakord për kushtet mbi të cilat mund të zhvillohen këto bisedime. E gjithë kjo është pjesë e përgatitjeve. Jemi në një fazë riorientimi”, përfundoi zëdhënësi i kancelarit gjerman.
Komente







