Negociatat me BE-në, historianët: Vendim 50 % gjeopolitik, 50 % shkak bilanci i munguar nga Shqipëria (VIDEO)

Tema “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-‘26” bëri bashkë sot në Tiranë, historianë edhe studiues nga Shqipëria edhe Kosova, për të diskutuar rreth saj. Teksa risollën në kujtesë edhe njëherë marrëdhëniet e vendit tonë me ndërkombëtarët, studiuesi Afrim Krasniqi, historiani Beqir Meta edhe studiuesi shqiptar nga Kosova Bujar Dugolli ndalen edhe tek Jo-ja, që mori Shqipëria për hapjen e negociatave me BE-n.

“Shqipëria ka një histori shumë të pasur me ndikimet e ndërkombëtareve, sidomos në vendimmarrjet politike. Nëse ne shikojmë historinë e shtetit, periudha e vetme që nuk patëm praninë e ndërkombëtarëve është ’76-‘90, që ndoshta është periudha më e vështirë edhe dramatike për historinë e Shqipërisë. Shqipëria duke qenë një vend i vogël është gjithmonë në kërkim të një mbijetese gjeopolitike, edhe në kërkim të aleatëve. Problemi i madh është që ne gjithmonë kemi rend pas fuqisë së madhe të kohës. Kjo rendje nuk na ka lejuar ndonjëherë, që ne të krijojmë identitet politik, pavarësi edhe politikanë që të vendosin interesat publike edhe kombëtare mbi ato ndërkombëtare”, shprehet Krasniqi, teksa shron se nëse hapen dokumentet e sotme të Shqipërisë shikojmë se është një politikë krejt ndryshe nga ajo që njohin qytetarët.

“Sot Shqipëria e ka jetike që të ketë më shumë Europë, edhe më shumë prani të ndërkombëtarëve. Nëse SHBA dhe BE nuk do të ishin aktive, ky do të ishte lajm i keq për brezat e rinj, Shqipërinë edhe interesat që ka Shqipëria në interesat afatgjatë”, shprehet studiuesi Afrim Krasniqi.

Ndërsa, Jo-n e Bashkimit Europian, e cilëson një proces që nuk varet vetëm nga ne, por edhe një vendim gjeopolitik, Krasniqi shton se nuk duhet që të vazhdojmë të mëshirohemi nga shtetet e tjera.

“Unë mendoj se është çështje procesi edhe nuk lidhet tërësisht me ne, sa lidhet edhe me një vendim tjetër gjeopolitik. Në fakt, Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, por po pret një dhuratë, pasi shumicën e proceseve integruese i ka pritur si dhuratë. Nëse bëjmë detyrat tona, që janë kushtet gjermane, atëherë ne do t’i shërbenim shumë edhe qytetarëve, edhe do ishte më e lehtë për shtetet që na përkrahin për të lobuar për ne. Por ne shkojmë me idenë e mëshirës, me idenë që nëse vendet ndryshojnë mendje edhe mbahet premtimi i famshëm i Samitit të Selanikut për një perspektivë të rajonit”, thotë Krasniqi, i cili në këtë këndvështrim mendon se Shqipëria ishte poshtë Maqedonisë së Veriut, edhe i duhet të bëjë shumë deri në Samitin e ardhshëm.

“Nuk është zgjidhje që të sulmojmë shtete të  caktuara, problemi jemi gjithmonë vet, ne që prej një viti jemi në krizë politike edhe nuk kemi ofruar asnjë zgjidhje. Nëse duam që t’i zgjidhim gjërat, le të bëjmë si bëri Maqedonia e Veriut edhe vende të tjera, t’i zgjidhim gjërat më me shumë dialog edhe kompromis, duke rrezikuar ndoshta edhe karrierat personale të individëve. Përsa kohë ne nuk e kemi këtë gjë, Shqipëria do të vazhdojë që të jetë e varur edhe ndonjëherë viktimë e politikave elektorale të vendeve të tjera”, thotë studiuesi Krasniqi.

Studiuesi Afrim Krasniqi ndalet edhe tek një lloj hezitimi i Tiranës për t’i pranuar gjërat edhe për të reaguar.

“Nuk i kushton asgjë kryeministrit Rama që të propozojë një platformë dialogu politik. As opozitës nuk i kushton asgjë që të pranojë që ka gabuar me dorëzimin e mandatave, edhe duhet që të përfaqësojë qytetarët e papërfaqësuar përmes një marrëveshje të re politike. Nuk i kushton asgjë klasës politike, që të zgjedhë institucionet, që të kemi gjykata ku të besojmë edhe jo ta varim fatin tonë tek një individ. Nëse ne i bëjmë këto gjëra që janë detyra minimale për një shtet do të ishte shumë më lehtë për të pas një përgjigje në Maj apo në Prill, kur të mblidhet samiti i afërt”, shpjegon Krasniqi.

Ndërsa, marrëdhëniet shqiptaro-franceze i cilëson shumë më të thella sesa duken, sepse duke iu referuar historinë së Shqipërisë, vendi ynë nuk ka pasur kurrë një vizitë të presidentit francez.

“Është çështje prioritetesh, agjendash edhe partneritetesh. Shqipëria ka zgjedhur SHBA-n, ka pas marrëdhënie të shkëlqyera me botën gjermane, Austrinë edhe Gjermaninë, por nga ana tjetër ne kemi një elitë kulturore edhe politike që vjen nga edukimi francez. Edhe ne mund ta përdorim këtë, si aset për të lobuar në Francë edhe për ta përfaqësuar Shqipërinë në një  këndvështrim tjetër. Por nuk mendoj se Jo-ja e Macroni-t lidhet direkt me një paragjykim ndaj Shqipërisë. Është një vendim 50 për qind gjeopolitik edhe 50 për qind për shkak të bilancit të munguar nga Shqipëria”, përfundon Krasniqi.

Historiani Beqir Meta teksa ndalet tek qëllimi i konferencës, që është të jap konkluzione mbi marrëdhëniet e fuqive europiane me shtetin shqiptar, ndalet edhe tek vlerësimet e diplomatëve britanikëve me procesin e shtetëformimit gjatë viteve 1912-‘29.

“Është një temë e nxehtë edhe sot që shohim se përsëriten kriza të vazhdueshme politike, shohim që ka qeveri që tregohen ineficente në drejtimin edhe menaxhimin e shtetit, ka eksode masive të popullsisë etj. Këto tek diplomatët e huaj shtron një pyetje; çfarë kapacitetesh shtetëformuese ka ky popull që nxjerr në krye të vendit qeveri, që nuk arrijnë që të zgjidhin problemet themelore të stabilitetit të vendit edhe progresit ekonomik edhe social të vendit? Këto  pyetje, janë bërë që në dy dekadat e para të ndërtimit të jetës shtetërore shqiptare, edhe më përjashtim të një periudhë të shkurtër që pasoi Kongresin e Lushnjes, që pati optimizëm se shqiptarët me gjithë vështirësitë e mëdha që kishin mund të ndërtonin një shtet kombëtar të aftë për të mbijetuar”.

Më vonë, historiani tregon se, ngjarjet politike u pasuan me kryengritje edhe grushte shteti, si në vitet 1921, 1923, dështimin e Asamblesë Kushtetuese për të bërë Kushtetutën e Shqipërisë në vitin 1924 me bindjen se shqiptarët nuk i kishin kapacitetet e duhura për vendosjen e Shqipërisë për një mandat kombëtar, madje mund të shkohej në copëtimin e saj.

“Sot nuk jemi në atë kohë, Shqipëria ka bërë progres, por ne konstatojmë se progresi ynë është i pamjaftueshëm për të justifikuar pritshmërinë e këtij populli. Harold Dickson, diplomat karriere, thoshte që ‘një shtëpi e përçarë nga brenda duhet që të luftojë ose për të mbijetuar, ose do të shkatërrohet’. Ai e kishte këtë mendim për Shqipërinë e asaj kohe. Fatmirësisht nuk jemi në atë situatë, por jemi në një fazë tjetër. E meta kryesore ishte që politikani i asaj kohe, por edhe i një politikani të ditëve të sotme, është që nuk kishte dhe nuk ka politikanë që kishin/kanë në shpirt edhe në mendje idealet e Shqipërisë Perëndimore”, thotë Meta.

Ndonëse, vijon më tej Meta, edhe pse dëgjojmë shumë politikanë që artikulojnë ide edhe teza që duken demokratike, por thelbi i veprimeve të këtyre politikanëve nuk është i tillë.

“Politikanët që tjetër thoshin edhe tjetër bënin i shikonin si rrezik jo vetëm për demokracinë, por edhe për mbijetesën e këtij shteti që asokohe. Pjesa tjetër që thonë, është që politikanët shqiptarë artikulojnë teza demokratike, nuk arrinin dot që të linin mënjanë interesat e tyre egoiste për pushtet që të mos dëmtonin interesat e shtetformimit të kombit shqiptar. Ky ishte defekti themelor i tyre, edhe ata ishin edhe persona që kishin një aktivitet patriotik. E megjithatë dëshmonin këtë lloj mangësie serioze”, thotë historiani Meta teksa analizon politikanët e asaj kohe.

Jo-ja që Shqipëria mori përsa i përket hapjes së negociatave, nga historiani Meta komentohet si një dështim i ndërtimit të institucioneve demokratike me profil europian.

“Jo-ja që mori Shqipëria është dështimi i saj për të ndërtuar institucione demokratike të profilit evropian. Është dështim i të gjithë klasës politike edhe i shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetë vetëm viktima. Të huajt e shikojnë në këtë optikë, si një shoqëri që s’ka arrit akoma të ndërtojë institucione efektive në këtë vend. Si kam parë raportet e sotme politike, që nuk janë ato që artikulohen publikisht. Por edhe pse kemi bërë hapa përpara, jemi shumë pas akoma ndaj asaj që ne duam që të shkojmë”, përfundon Meta.

Sa i përket studiuesit shqiptar nga Kosova, Bujar Dugollit, ai e cilëson qasjen e vendeve të BE-së ndaj shqiptuarve shpeshherë jo shumë të drejtë, megjithatë ai mendon se zgjidhja e vetme për t’ia dalë është që shtetet të organizohen me njëra-tjetrën fillimisht, e më pas me vendet e tjera ballkanike apo Europiane.  

“Në fillimet e shekullit XX i copëtuan shqiptarët, edhe një pjesë e shqiptarëve nuk arritën që të organizoheshin si duheshin për shkak të përçarjeve të brendshme. Edhe ato pasoja, ato trauma bëri që mentaliteti për territore të copëtuara të vazhdoi, sikundër edhe vazhdon ende për faktin se skena politike dhe hapësira shqiptare nuk ka një zë, se në çfarë shkalle duhet që ta vëmë kombin në aspektin e trendit të zhvillimit të shekullit XXI”, shprehet studiuesi Bujar Dugolli.

Ndërsa, sa i përket Jo-s që mori Shqipëria për hapjen e negociatave, ai e sheh si një qasje që ndikon edhe në Kosovë.

“Faktikisht qasja që BE apo mosuniteti i BE-së ka sa i përket Kosovës edhe Shqipërisë në përgjithësi është evident. Ne e kuptojmë se BE-ja nuk është më njësoj sikundër kur ishte edhe Britania pjesë e saj. Politikat gjermane apo franceze për të dominuar mbi njëri-tjetrin bën që ta pësojnë popujt e vegjël edhe jo vetëm shqiptarët. Shohim edhe si ndodhi me Kosovës, që pavarësisht se i përmbushi kriteret që i kërkuan për liberalizimin e vizave, sërisht i shtohen të tjera që nuk kanë qenë për shtetet e tjera. Pra as nga pala tjetër nuk shihemi si duhet, si popull apo shtete që e meritojmë këtë. Fajet që kemi përbrenda janë evidente, por jo sa të mos të trajtohemi seriozisht”, shprehet Dugolli.

Dugolli teksa shton se si të vetmen zgjidhje sheh unitetin mes shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që të kemi ekonomi të integruar. Ndërsa, për Schengenin Ballkanik Dugolli mendon se:

“Kur të kemi Schengeni-n Shqiptar, atëherë të gjithë popujt e Ballkanit do të na trajtojnë shqiptarin më me seriozitet. Derisa ata tentojnë të na ndajnë edhe të na trajtojnë, si pjesë të një mozaiku atëherë në raport me ta do të dalim ne më të dobëtit. Çdokush që synon Schengeni Ballkanik pa u bërë Schengeni Shqiptar, pa u bërë shqiptarët bashkë, ka qasjen e gabueshme edhe dëshiron që të stimulojë krijesa artificiale, siç ishte krijesa e mëhershme e ish- Federatës Jugosllave. Mendoj se në këtë aspekt përfiton Serbia. Nuk ka logjik Schengeni Ballkanik, pa qenë njëherë Schengeni Shqiptar”, përfundon Dugolli.

Konferenca shkencore “Shqiptarët edhe ndërkombëtare për vitet 1912-26” u realizua në bashkëpunim mes Akademisë së Studimeve Albanologjike edhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asl: 25/10/2019 21:53

    Nuk eshte gjeopolitik eshte thjeshte zbatimi i reformes eshte shume pas.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK