TIRANË- Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka komentuar takimin e sotëm mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës sa i takon negociatave për zgjedhjet vendore 2023. Korreshi tha në Report Tv se takimi ka qenë me nota pozitive mes dy palëve, ndërsa theksoi se të dy kampet brenda PD-së kanë vullnetin për të bashkëpunuar.
Në një intervistë për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, deputeti tha se është detyrim i dy palëve që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjet vendore.
“Bashkimi është i vështirë, por ngjitja është e mundur se në këtë moment duhet të mendojmë për demokratët dhe jo për interesat e secilës palë. Është detyrim i joni të arrijmë një marrëveshje me kandidat të përbashkët në të gjitha bashkitë. Takimi ka qenë me nota pozitive, normalisht jo çdo gjë bëhet me takimin e parë, ju e dini vetë situatën, është e vështirë. Por sot ka qenë me tone pozitive të dyja palët kanë dëshirë të arrijnë në një konkluzion”, tha Korreshi.
Korreshi e konsideroi takimin një fitore të madhe për demokratët, ndërsa sipas tij PD po shkon drejt bashkimit, por mbetet për t’u parë
"Sot negociatat kanë qenë a duan palët apo jo që të futen me kandidat të përbashkët. Kjo është një fitore e madhe për demokratët. Biseda ka qenë e sinqertë me tone pozitive, mes demokratësh ku kanë përtypur ato çfarë kanë thënë për njëri tjetrin. Nota kanë qenë pozitive për të dyja palët. Pjesën tjetër të rrugës do e shohim në ditët në vendim. Do jenë shumë të nxehta ditët në viimj, në diskutime po flas, nëse do të arrijnë bashkim”, përfundoi Korreshi.
Ditën e sotme, Gazment Bardhi zhvilloi një takim me Edi Palokën nga 'Rithemelimi', takimi i parë ky që prej momentit që u zhvillua se do ketë negociata. Pas takimit, dy palët nuk dhanë asnjë detaj për mediat çfarë u diskutua, ndërsa Paloka tha se ka vullnet që të dalin me një kandidat.