Pas 5 muajsh kaos, Rithemelimi dakordësi me PS për ngritjen e 2 komisioneve hetimore! Nënkomision për 'Reformat', anëtaret i cakton Bardhi e Çuçi

TIRANË- Për herë të parë, pas rreth 5 muajsh kaos në Kuvend, Rithemelimi është ulur në tryezën e Konferencës së Kryetarëve përballë deputetëve të mazhorancës. Pas mbledhjes së grupit, Rithemelimi mandatoi Gazment Bardhin për negociatat me Partinë Socialiste.

Dakordësia e parë në parim mes Socialistëve dhe Rithemelimi u arrit për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS  ndërsa tjetri për 4 koncensionet e sterilizimit në Shëndetësi

Po ashtu siç mëson Report Tv me burime është rëndë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Bledi Çuçi - 2 cakton Gazment Bardhi). Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

‘Lajm i mirë që pas 5 muajsh rezistencë për këtë arrogancë të shfaqur më 12 tetor nga ana e mazhorancës, ata kanë reflektuar dhe i diskutojmë. Ka pasur vendimmarrje në parim, kemi rënë dakord për pranimin e kërkesës së opozitës për komisionin për PPP në shëndetësi, për ndërhyrjet e paligjshme në TIMS dhe kemi rënë parimisht dakord që çdo ligj që kërkon 3/5, pa përjashtuar Reformën Zgjedhore, të diskutohet në një nënkomision që do ngrihet mes PS dhe grupit të PD, me vendimmarrje që merren me konsensusin e të dyja palëve.’- tha Bardhi.

Gazment Bardhi thotë se nuk do të jetë anëtar i nënkomisionit për ‘Reformat’. Bardhi zbuloi se Oerd Bylykbashi do jetë një nga anëtarët, ndërsa deputeti tjetër do caktohet nga grupi i Rithemelimit.  

Nga ana tjetër, Partia Socialiste njëzëri, e cilësoi si lajm të mirë uljen e opozitës në tryezën e bisedimeve dhe kthimin e saj në jetën parlamentare.

‘Ishte ndjesi e mirë dhe lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në konferencën e kryetarëve. U duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin ku e lamë në tetor të kaluar.’- tha Çuçi.

‘As tymi as molotovi asgjë nga këta nuk e rrit besimin e te një forcë politike.’- tha Spiropali.

Të dyja palët politike mohuan që negociatat u arritën nga thirrjet e ndërkombëtarëve për dialog.

‘Ambasadorët janë këtu për të ruajtur interesat e vendit të tyre. S’mund të ketë presion ndërkombëtarësh. Partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e kuvendit kanë thënë atë që themi ne nuk mund ti vësh zjarrin Kuvendit.’- tha Spiropali.

Nesër pritet të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve që do të miratojë një kalendar konkret për shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e ligjeve të propozuara nga deputetët e opozitës. Kryetarja e Kuvendit do të kujdeset që Komisionet Parlamentare të zbatojnë kalendarin konkret të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:53
Dakordësia mes Rithemelimit dhe PS për komisionet hetimore, SHBA, BE dhe Britania: Mirëpresim rikthimin e normalitetit në Kuvend

1710183863_kuvendi.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë mirëpritur dakordësinë mes Rithemelimit dhe PS-së për ngritjen e komisioneve hetimore. Në reagimet e bëra në faqet zyrtare të ambasadave të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe marrëveshja shihet si lajm i mirë që pritet të rikthejë normalitetin në Kuvend.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”- thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

“Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament. Siç kemi thënë dhe më parë, një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve”- thekson BE.

"Ambasada Britanike në Tiranë përshendet progresin e njoftuar sot në lidhje me Parlamentin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që u përfshinë për ta bërë këtë të mundur. Presim me padurim rikthimin e rendit normal në Parlament. Është thelbësore që deputetët e të gjitha partive të fokusohen në rolet e tyre kryesore, në shqyrtimin e legjislacionit dhe punës së qeverisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë"- thuhet në reagimin e ambasadës britanike. 

Ora 17:45
Alibeaj reagon për marrëveshjen mes PS dhe Rithemelimit: Asgjë e re nga pazaret e vjetra! Gjithçka për interes personal

1710262163_alibeaj.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj ka bërë një reagim në lidhje me dakordësinë e arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore në këmbim të rikthimit në normalitet të jetës parlamentare.

Revoluci i Rithemelimit, siç nënvizon Alibeaj paska qenë një gënjeshtër. Përmes një deklarate për mediat, ai shprehet se kjo marrëveshje "ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore"

"Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe publiku u njoh mund të thuhet me gojës plotë se asgjë e re nga fronti i pazareve të  vjetra. Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje paska qenë një gënjeshtër e stisur keq që herët a vonë do dilte në dritë siç edhe doli.

Gjithçka paska qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur njëri tjetrin në lojë. Tashmë është e qartë se e ashtuquajtura marrëveshje nuk ka qenë për të mbajtur nën kontroll qeveria dhe Ramën por ka qenë që së bashku me Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik. Marrëveshjen e 2008 Rama Berisha.

Deklarata e Alibeajt:

Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe që publiku i njoh, mund të thuhet me gojën plotë se, asgjë e re nga fronti i pazareve të vjetra! Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër e stisur keq që, herët a vonë, do të dilte në dritë. E gjithë nëpëkëmbja e demokratëve për muaj me radhë nuk ka pasur asgjë në interes të tyre dhe të familjeve të tyre, por gjithçka ka qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur fort njëri-tjetrin në lojë, sepse rënia e njërit i hap rrugë automatikisht dhe rënies së tjetrit.

Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë.

Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan një sistem që t’ua heq atyre monopolin e listave dhe t’ua japë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes.

Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë. Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj. Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e hersit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm.

Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës, sepse herë njëri dhe herë tjetri, janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të shqiptarëve, ndaj ata do të bëjnë gjithçka për të mos e realizuar një gjë të tillë. Ndaj jam sot këtu për të denoncuar këtë pazar në kuriz të njerëzve dhe për interesa të ngushta vetjake Shqiptarëve ju duhet një reformë zgjedhore që i jep fuqi votës se tyre, dhe mundësi për të vendosur ata kush do ti përfaqësojë në kuvend e qeverisje. Ky ka qenë, është dhe do të jetë qëllimi i Partisë Demokratike.

Ora 17:36
Bardhi njofton mbledhjen e grupit të Rithemelimit dhe informon deputetët çfarë dakordësuan në Konferencën e Kryetarëve me qeverinë

1710261480_bardhi.JPG

Gazment Bardhi thërret nesër mbledhjen e grupit të Rithemelimit. Përmes një njoftimi ai ka bërë me dije se për çfarë është rënë dakort në parim në Konferencën e Kryetarëve me deputetët e mazhorancës.

Gazment Bardhi: Nesër në orën 11:30, do te zhvillojmë mbledhjen e grupit parlamentar. Në parim në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord:

• Të ushtrohet e drejta e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore që u rrëzuan në 12 Tetor, duke u tëhequr nga vendimet në atë seancë.

• Të ngrihet me vendim të Kuvendit një Nënkomision për Reformat, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 GPPS – 2 GPPD). Ky nënkomision është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian. Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

• Konferenca e Kryetarëve, me propozimin e përfaqësuesve të opozitës, miraton një kalendar konkret për shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e ligjeve të propozuara nga deputetët. Kryetarja e Kuvendit kujdeset që Komisionet Parlamentare të zbatojnë kalendarin konkret të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.

Do të punohet për projektvendimet gjatë ditës dhe më pas do të ketë nesër në 13:30 një tjetër mbledhje të Konferencës së Kryetarëve.

Ora 15:51
Dakordësia mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e 2 komisioneve, Açka për Report Tv: Shpresoj të mos ketë skenar të errët

Negociatat mes PS dhe Rithemelimit për t’i dhënë fund kaosit në Kuvend në këmbim të ngritjes së dy komisioneve, janë komentuar nga deputetja Flutura Açka. Në një reagim për gazetaren e Report TV Raziela Myslimaj, Açka shprehet se shpreson që të mos ketë një skenar të errët pas negociatave.

"Më ç’pashë ishin marrë vesh më parë, pasi oferta bujari vinte nga vetë socialistët. U la që nesër të vendoset për cilët komisione, nga dy që do të jepen. Druaj se është parathënia e bllokimit të Reformës në Drejtësi, për të ruajtur status quonë dhe me shënjestër të largët (por shumë të afërt SPAK dhe reformën në drejtësi). E them ketë për shkak te fshehtësisë së negociatave. Nëse shkohet drejt kësaj, do të jetë fatale për vetë opozitën që do të amnistojë Ramën të parin.

U tha që parlamenti nuk ka funksionuar. Pyetja që bëra: Po me ligjet që kaluan pa diskutim, ligjet qe kaluam pa kuorum, çfarë do te behet? Nuk mora përgjigje. Me sarkazëm iu kërkova një komision hetimor për të shkallmuar SPAK. Sigurisht që fjalët e mia mund të duken si poezi, por poezi janë edhe vajet. Në do te vajtojmë shpejt demokracinë nëse ka ndonjë skenar të errët, që sot nxituam ta veshim me “kujdesin” e ndërkombëtarëve", tha Açka për Report tv.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të drejtuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla me prezencën e Bledi Çuçit nga PS dhe Gazment Bardhit nga Rithemelimi, ku shkua drejt konsensusit për ngritjen e dy komisione hetimore parlamentare që kërkon Rithemelimi; konkretisht për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS  ndërsa tjetri për 4 koncensionet e sterilizimit në Shëndetësi

Ora 15:21
Njihni ‘de facto’ Rithemelimin? Spiropali: Parti e marrë peng, respektojmë deputetët! Nuk është marrëveshje me non grata

1710251927_spiropali.jpg

Ministrja Elisa Spiropali e pyetur nëse njohin de facto Rithemelimin si shumicë në Kuvend pas negociatave për kthimin në normalitet, tha për gazetarët se është një parti e marrë peng, por PS po bën detyrën e saj duke respektuar deputetët e zgjedhur nga qytetarët pavarësisht se kush e komandon. Spiropali tha se kjo nuk është marrëveshje me non grata.

“Se çmendoj unë për non gratën nuk e them sot, tani që është i mbyllur në shtëpi. Ia kam thënë në sy në kuvend kur nuk ishte i mbyll në 20 metra katrorë të kuvendit, kjo nuk është marrëveshje as me grata as me non grata, kjo është dteyra jonë që kemi bërë me përgjegjësi. Falmujt e radikalizmit ngrihen edhe për të mbuluar cështje partiake, ajo është parti e marrë peng, por deputetët janë të zgjedhur dhe ne i respektojmë.

Ne njohim institucionet, depuetët, ne debatojmë me ta pavarësisht se kush është pas tyre. Unë besoj se sot jemi të gatshëm të themi që deputetët duhet të jenë në kuvend paravësisht çështjeve të drejtësisë që nuk zgjidhen në kuvend”, tha Spiropali.

Ora 15:11
Spiropali i përgjigjet akuzave të Alibeajt: Duhet të ishe kujtuar me herët për Zgjedhoren, nëse s’ka produkt e kalojmë në institucionet e tjera të Kuvendit

1710251927_spiropali.jpg

Ministrja Elisa Spiropali i është përgjigjur akuzave të Enkelejd Alibeajt në Report Tv se Rama po bën negociata të fshehta me Berishën. Spiropali tha se kjo nuk është çështje non gratash, por PS ka bërë detyrën e saj. Spiropali tha se nëse s’do ketë produkt në komisionin e Reformës Zgjedhore do e kalojnë në institucione të tjera të Kuvendit, duke nënkuptuar këtu edhe nënkomisonin për Reformat, që është rënë dakord të ngrihet me Rithemelimin.

“Nuk është çështje gratash as non gratash. Alibeaj këmbëngul për një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës sa i takon funksionit të Kuvendit. Nuk e di sa herë duhet ta përsërisim, si duket Alibeaj ngaqë nuk vjen në Kuvend, se kritikoj se kur nuk vjen Luli s’ka si vjen Alibeaj, na nis ne ultimatume qesharake për ndryshimin e sistemit nga sistemi i Lulit me parti te sistemi i Lulit me vulë, kjo nuk është çështje e jona. Sa na takon ne, ne këtu kemi qenë, kemi ardhur në Kuvend për të diskutuar, kemi bërë detyrën tonë në komisione parlamentare. Duhet të ishte kujtuar pak më herët që të ishte prezent në atë komision, duhet ti bëjmë më dije se do ketë një produkt, sugjerime përmbajtësore, t’i marrim dhe nëse nuk ka produkte konsensual do e kalojmë në institucionet e tjera të kuvendit”, tha Spiropali.

Ora 15:04
Dakordësia me Rithemelimin, Spiropali: Nuk ka pasur negociata të fshehura! Kërkesa për komisionet hetimore do bëhet sipas Kushtetutës

 

Deputetja Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre e Shtetit për Parlamentin nënvizoi se komisionet hetmore do të bëhen sipas Kushtetutës. Spiropali tha se nuk ka pasur negociata të fshehta. E pyetur për rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces, Spiropali tha se s’mund të kenë presion, e shtoi se partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e kuvendit kanë thënë atë që themi ne nuk mund ti vësh zjarrin Kuvendit.

‘Nuk kanë munguar thirrjet tona të ulemi në tryezë. Ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë. Një instrument që u jep atyre mundësinë për të rritur kontrollin. Ri kërkesa e tyre dhe shqyrtimi i kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore ka qenë në tryezë gjithë kohës.

Sa i takon marrëdhënieve tona me opozitën, fitore apo humbje skemi nevojë të bërtasim. Fitoret tona i përcakton vota. Nuk ka patur mes nesh negociata të fshehta, janë institucionet e Kuvendit ato që duhet të jenë ura politike. Ne nuk jemi armiq. Më vjen mirë që opozita ka arritur këtë pjekuri politike.

Greva e urisë para kryeministrisë nuk na çoi askund, as bojkoti i zgjedhjeve as djegia e mandateve. As tymi as molotovi asgjë nga këta nuk e rrit besimin e te një forcë politike. Ambasadorët janë këtu për të ruajtur interesat e vendit të tyre. S’mund të ketë presion ndërkombëtarësh. Partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e kuvendit kanë thënë atë që themi ne nuk mund ti vësh zjarrin Kuvendit.’- tha Spiropali.

Ora 14:56
Nënkomisioni për ‘Reformat’, Bardhi: S’do jem anëtar! Do caktohet Bylykbashi dhe një deputet tjetër

1710250513_bardhi.jpg

Gazment Bardhi thotë se nuk do të jetë anëtar i nënkomisionit për ‘Reformat’. Bardhi zbuloi se Oerd Bylykbashi do jetë një nga anëtarët, ndërsa deputeti tjetër do caktohet nga grupi i Rithemelimit.  

“Që do jetë Bylykbashi s’ka asnjë diskutim, anëtarin e dytë do e caktojë grupi, unë po deklaroj që sdo jem”, tha Bardhi për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku. 

Duke u ndalur tek komisioni i Reformës Zgjedhore, Bardhi tha: 'Komisioni i Posaçëm skadon me 21 mars. Struktura e re do të fillojë të funksionojë në seancën më të parë nëse do të arrihet dakordësia në mbledhjen nesër në Konferencën e Kryetarëve. Ishte e qartë se kishte një plan për të dështuar dhe mbajtur peng reformën zgjedhore. 0 produkt dhe 0 diskutime për çështje në interes të qytetarëve. Opozita është e interesuar. Në parim kemi rënë dakord që ky nënkomision do të diskutojë çdo reformë, që do të duhet të pasqyrojë realitetin politik në vend. Dikush që është 3 veta s’mund të thotë jam 300.'

Ora 14:50
Negociatat me PS nxorën Bashën jashtë loje? Bardhi: S’e kemi pasur në mendje fare

1710251148_bardhi.jpg

I pyetur nga gazetarët nëse kanë nxjerrur jashtë loje Lulzim Bashën me negociatat e zhvilluara me PS, Gazment Bardhi tha se nuk e kanë pasur fare në mendje.

"Nuk e kemi pas në mendje fare, nga pjesa e grupit të PS nuk di nëse e kanë pas në mëndje. Bardhi, grupi i PD dhe opozita nuk e ka pasur fare në mendje”, tha Bardhi.  

Ora 14:43
Bardhi flet pas negociatave me PS: Kur të ngrihen komisionet shpallim nëse do zgjidhet ngërçi në Kuvend

1710250513_bardhi.jpg

Gazment Bardhi ka folur pas negociatave me PS, ku tha se është rënë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS. Po ashtu, Bardhi tha se do ngrihet edhe një nënkomision për Reformat, që do diskutojë çdo reformë që kërkon gjithë përfshirje dhe konsensus, përfshirë këtu Reformën Zgjedhore.

Bardhi tha se është një lajm i mirë që mazhoranca ka reflektuar. Bardhi tha se nesër kur të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve dhe të shpallë ngritjen e komisioneve do të shpallin edhe nëse do zgjidhet bllokimi i punës në Kuvend.

“Bipartizan për reformat, mos te krijojmë konfuzion. Sot pas 5 muajsh, mbledhja e Konferencës së kryetarëve u kthye më 12 tetor aty ku nisi edhe motivi i opozitës për bllokimin e punës. I kam bërë apel mazhorancës që të mos marrin vendim të nxituar, të marrin kohë të nevojshme për një dialog parlamentar të nevojshëm. Me arrogancë më 12 tetor u vendos rrëzimi i kërkesës për komision hetimor lidhur me PPP në shëndetësi, rrëzimi i komisionit hetimor për TIMS dhe u vendos refuzimi i kërkesës për të ndryshuar përbërjen e komisionet të Reformës Zgjedhore. Lajm i mirë që pas 5 muajsh rezistencë për këtë arrogancë të shfaqur më 12 tetor nga ana e mazhorancës, ata kanë reflektuar dhe i diskutojmë. Ka pasur vendimmarrje në parim, kemi rënë dakord për pranimin e kërkesës së opozitës për komisionin për PPP në shëndetësi, për ndërhyrjet e paligjshme në TIMS dhe kemi rënë parimisht dakord që çdo ligj që kërkon 3/5, pa përjashtuar Reformën Zgjedhore, të diskutohet në një nënkomision që do ngrihet mes PS dhe grupit të PD, me vendimmarrje që merren me konsensusin e të dyja palëve. Do duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërcin që është krijuar në Kuvend për shkak të arrogancës së mazhorancës.

Ora 14:36
Socialistët dhe Rithemelimi, negociata dhe për ndryshimin e Reformës në Drejtësi? Ja si përgjigjet Bardhi

 

Deputeti Gazment Bardhi ka mohuar zëra se Rithemelimi dhe socialistët po negociojnë për ndryshimin në Reformën në Drejtësi.

‘Lajm i rremë nga agjencia duke keq cituar përgjigjen e dhënë nga kryetari i grupit parlamentar të PD. Nuk ka pasur asnjë diskutim për asnjë çështje që prek drejtësinë, apo në përmbajtje qoftë edhe Reformën Zgjedhore. Ajo që është biseduar ka qenë vetëm procedura për të ofruar zgjedhje nga ngërçi ku ishte futur Kuvendi. Çdo çështjet tjetër që raportohet për të bërë pis apo zhurmuar tërheqjen e mazhorancës dhe kthimin te 12 tetori bëhet për të zhvendosur vëmendjen. Është një keq citim i kryetarit të grupit parlamentar të PS-së. Përgjigja ime në ‘jemi në bisedime’ është për tre çështjet. Reforma në Drejtësi të jetë sipas standardeve evropiane.’- Bardhi.

Ora 14:29
Dakordësia me Rithemelimin, Çuçi: Lajm i mirë, u rivendos dialogu! Reforma Zgjedhore ka një komision që po funksionon

 

Kryetari i Grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Bledi Çuçi e cilësoi si lajm pozitiv uljen në një tryezë për negociata me Rithemelimin.

‘Ishte ndjesi e mirë dhe lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në konferencën e kryetarëve. U duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin ku e lamë në tetor të kaluar. Po prisnim prej më shumë se 4 muajsh të rregullojnë objektet e komisioneve hetimore. Lamë një grup të përbashkët që të merren me rregullimin e objekteve. Frymë e mirë sa i takon vazhdimit të një fryme një jete të re parlamentare. Zgjodhën të ikin  nga organet e parlamentit dhe bënë atë aksion ku besoj janë të bindur që nuk i çonte asgjëkund, tani do të rikthehen.

Reforma Zgjedhore ka një komision që funksionon. Do shohim produktin e këtij komisioni. Sot po punojmë me ekspertë të ODIHR. Do shohim produktet e komisionin bipartizan.

Komisioni bipartizna funksionin. Nuk do të ketë nënkomision për çështjet zgjedhore. Ne kemi ngritur një komision ja kemi dhënë krahun e nevojshëm do të përfundoj mandatin me një produkt që është duke u përpunuar. Aty janë të përfaqësuar të gjithë palët opozitare.

Do ti nënshtrohet procedurave parlamentare në Kuvend. Jemi dakord do bëjmë diçka hajt ta bëjmë.

Produkti i komisionit të Reformës Zgjedhore do të diskutohet në parlament. Ne i qëndrojmë idesë që Shqipëri ka një kod zgjedhor funksional. Duroni deri nesër të dalim me objektin e korrigjuar për ngritjen e komisionit hetimor.’- tha Çuçi.

Ora 14:15
PS dhe Rithemelimi, dakordësi për ngritjen e ‘Nënkomisione për Reformat’

1710247334_cc3066af757c4407a06dd5ad4d4174fc.jpg

Partia Socialiste dhe Rithemelimi kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi - 2 cakton Bardhi), thonë burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Malokut.

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirës, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Nesër mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e Nënkomisionit.

Ora 14:10
Negociatat me Rithemelimin/ Çuçi: Duhen votat për amnistinë penale

1708596004_cuci.jpg

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t'u rikthyer në normalitet. Teksa ka rënë dakord për ngritjen e dy komisioneve hetimore, Bledi Çuçi ka thënë se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar opozitës.

"Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar, ka thënë Çuçi.

Më tej ai çmoi rolin e opozitës në Parlament duke përmendur që duhen edhe votat për ligjet me shumicë të cilësuar, siç është amnistia penale e mbetur peng që prej muajit dhjetor për shkak të kaosit.

"Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale", tha Çuçi.

Ora 14:10
Bojkotoi negociatat PS-Rithemelimi, Shehi për Report Tv: Ta zgjidhin vetë e të kthehen në parlament

1700498576_dashamirshehi.jpg

Dashamir Shehi si kryetar i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, nuk është i pranishëm në negociatat mes PS-së dhe Rithemelimit.

Në një reagim për Report Tv thotë: “Nuk jam i pranishëm. Le ta zgjidhin vetë ata që kanë përgjegjësi se ndryshe fshihen pas nesh. Uroj të kthehen në parlament dhe të bien dakord për ato dy komisione hetimore. Unë kam kërkuar më shumë kam kërkuar 4, por ata e dinë vetë. Duhet të kthehet normaliteti”

Ora 14:04
Negociatat mes PS dhe Rithemelimi, dakordësi për ngritjen e 2 komisioneve hetimore

1710247334_cc3066af757c4407a06dd5ad4d4174fc.jpg

Partia Socialiste dhe Rithemelimi janë dakordësuar për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për koncensionet në Shëndetësi si dhe për daljen e të dhënave sistemi ‘TIMS’. Dakordësia ka ardhur pas mbledhjes së sotme të zhvilluar mes mazhorancës dhe opozitës, për herë të parë pas 5 muajsh.

Rithemelimi kërkon ngritjen e komisioneve hetimore për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS  ndërsa tjetri për 4 koncensionet e sterilizimit në Shëndetësi.  

SI.E./B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 13/03/2024 00:24

    Po Rama betohej me te madhe se negociata me Berishen nuk do te kishte kurre,tani na ulet ne tavoline me Rithemelimin qe nuk eshte as parti ligjerisht,por vetem nje fraksion?! Dy pyetje kam per Spiropalin:Kur thua qe respekton vetem deputetet,a nuk jane po keta deputete qe marrin leje,urdhera e koordinim nga Berisha per cdo gje?!Ne se /respekton/ deputetet e Rithemelimit,d,m.th respekton Berishen!Cfare ju detyroi t'i pranonit si pale ne bisedime,ishte presioni nderkombetar,apo nuk ju dalin mire llogarite per zgjedhjet e ardhshme??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare