Tirane- Prokuroria e Posaçme jep pretencën për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. Në seancën e sotme në GJKKO prokurori Edvin Kondili kërkoi dënimin me 1 vit burg për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkepunim. Si dënim plotësues u kërkua dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhe 5-vjeçare.

Sipas akuzës, Memolla ndërhynte pranë OSHEE që të mos u ndërpritej energjia elektrike debitorëve, me qëllim që ata ta votonin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 ku ai kandidonte nën siglën e socialistëve, ku edhe rezultoi fitues.

Për bashkëtëpandehurit Ndriçim Tafxhafa dhe Isuf Toskun, SPAK kërkoi 1 vit burg, ndërsa për Blerim Xhamanin 2 vite burg

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, Memolla në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie, ndikoi tek i pandehuri tjetër Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ai të votonte në favor të tij. I pandehuri tjetër, Ndriçim Tafxhafa, sipas SPAK, i ka premtuar një shtetaseje shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe strehim, duke i kërkuar votën. 

Seanca e rradhës ku pritet të bëhet mbrojtja dhe shpallja e vendimit u la për më 10 janar.

Çfarë ka ndodhur?
SPAK çoi dosjen në SPAK në 2 nëntor 2023. Procedimi penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio të një bisede telefonike në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, sipas të cilës pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave. Në bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë. Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin. 

Edison Memolla nuk është i pari kandidat për pushtetin lokal që akuzohet për korrupsion në zgjedhje. Më 5 mars 2024 u dënua me 2 vjet burg kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri.

Pretenca e SPAK
-Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal - të dënohet me 1 vit burg dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite
-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal -  Të dënohet me 1 vite burg
-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal -  Të dënohet me 2 vite burg
-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal -Të dënohet me 1 vite burg