Nëna e alpinistëve:
Everesti ankthi i jetës time

Nëna e alpinistëve: <br />Everesti ankthi i jetës time
Një ditë të ftohtë dimri aty diku mes kapërcyellit të viteve 2011 dhe 2012, Luljeta Begeja  duhet të zbulonte një surprizë që i shoqi kishte për të. Teksa kalonte nëpër hollin e hotel Rognerit, ajo mendonte sa mirë do të ishte që surpriza të mos kishte të bënte me një biznes të radhës….por kur hyri në sallë u ndesh me fashën Everest 2012. Luljeta shtangu. “E kisha dëgjuar dhe ishte thjesht në mendimet e mia se në një të ardhme do të bëhej Everesti, por se kur nuk e dija. Në fakt nuk shqetësohesha sepse më dukej një distancë shumë e largët. Kurse Xhimi nuk mori guximin të ma thoshte që e kishin vendosur të bënin Everestin” thotë Luljeta ndërsa ekspedita shqiptare drejt majës më të lartë të botës mbush plot dy javë që nga nisja. Kushdo që ka dëgjuar për misionin e alpinistëve shqiptarë, për të ngulur në 8848 metra lartësi flamurin kombëtar në 100 vjetorin e pavarësisë është mbushur me krenari, por pakkush ka menduar se cfarë do të thotë kjo për “prapavijën” e ekspeditës, atë pjesë të familjeve, shpirtit dhe zemrave që mbeten këtu, me sytë dhe mendjen tek marshimi i vështirë për pushtimin e Everestit. Të mjafton të shohësh Luljetën e cila përjeton emocionet dyfishe të një gruaje dhe nëne alpinisti, për të ndjerë deri në palcë sakrificën e këtejme dhe andejme por mbi të gjitha rrezikun e një misioni aspak të lehtë, Nga sytë dhe fjalët e saj përcohet drithërima e një zemre të frikësuar që I druhet malit, këtij djali plangprishës që prej vitesh e ka bërë pjesë të familjes dhe jetës. Në fakt flamuri I përkushtimit duhet ngritur në zemrat e nënave dhe grave si Luljeta,  dhe alpinistët tanë nuk duhet të ngurrojnë për ta bërë këtë gjë me apo pa Everestin. Sepse ata janë heronjtë e malit, por gratë e tyre janë heroinat e tokës.

Cfarë mendove kur pe atë “surprizë” me fashën Everest 2012?
Në ato momente nuk mendova asgjë, nuk di ta them. Takova disa persona dhe shumë shpejt ceremonia mbaroi. Dolëm jashtë, Profesor Aleksandri na mori gjithë grupin në uli në një kafe dhe aty tha që është dy muaj. Ngriva dhe mendova djalin që është në maturë. I thashë:”Në asnjë mënyrë, fëmija është në maturë” duke mos menduar fare per pjesën tjetër të rrezikut. Madje ngrita zërin. Aty profesori tha se kjo është pjesë që i përket familjes për ta biseduar.  Fillova të rrija me shpresën se nuk do të merrnin sponsorizime, Pjesën e djalit nuk e mendoja dhe i thosha Xhimit se vetëm po të vdisja do ta merrte me vete. Ai më mbante me kurajo dhe me shpresë  duke më thënë të mos shqetësohesha se prisnin akoma sponsorizimet, stërvitjen, pasi do shkonin më të mirët dhe jo ato që kishin dëshirë. Djali ishte shumë I ngarkuar, në vetvete e kishte vendosur, madje të dy e kishin vendosur, por me mua nuk hapeshin. Djali e shikonte që unë gjithë kohës bëja debate, qaja, shqetësohesha dhe heshtte. Pastaj një moment, në darkë, më tha:”O ma,  e kam vendosur që do ta bëj”. Në atë moment u tërhoqa, të them të drejtën, si nëna për fëmijën që nuk do ta mërzisë, ta shqetësojë, t’ia prishë dëshirën…  dhe e përpiva brenda gjithcka. Lëshoja lotë, por jo në sytë të fëmijës. Isha shumë e ngarkuar në atë periudhë…. Sepse Xhimi bënte dy herë në ditë stërvitje ndërsa Mateo vetëm një herë në ditë pasi ishte në shkollë. Isha e angazhuar gjithashtu me ushqimin sepse duhet të ushqeheshin shumë mirë, me gatime speciale.
Luljeta Begeja me djemtë e saj Mateo dhe Merini

(Ne Foto Luljeta Begeja me djemtë e saj Mateo dhe Merini)
Pse shqetësoheshe kaq shumë?
Unë e kam përjetuar shumë keq këtë herë…. Kisha një dhimbje në gjoks, pasi akumulohet ankthi dhe vjen një moment që bie imuniteti dhe aq. Lodhja stresi, shqetësimi për djalin pasi Everesti është shumë i vështirë. Dy javë para se të niseshin ata pashë në televizor një emision për Everestin dhe djali I thoshte të atit, ta hiqte prej andej sepse unë e shikoja dhe më dilnin lotë. Më dridhej mjekra dhe nuk flisja fare. U shqetësova shumë edhe pse jam mësuar prej20 vjetësh me alpinizmin, Fëmijët e kanë filluar që pesë vjec. Të dy djemtë janë ngjitur në Dajt, nga gurorja deri lart. Janë kalitur dhe Mateo ka bërë të gjitha majat e Shqipërisë, 15 vjec është ngjitur në Malin e Bardhë. Pastaj shkuan në Kilimanxharo, por këto I kanë bërë në peridhën e verës që ishte koha më e përshtatshme për të bërë ato ngjitje. Vjet shkuan në Elbrus dhe ajo ishte një ngjitje e vështirë, por nuk u shqetësova, sepse e dija që deri në këtë lartësi është e përballueshme. Nuk jam shqetësuar më parë. Thjesht kam pasur merakun e nënës, Por Everesti është tjetër gjë, nuk mund të krahasohet me asnjë mal tjetër, me asnjë ngjitje tjetër, ndaj është edhe një periudhë kaq e gjatë kohe, është dy muaj. Unë nuk shqetësohem nga koha e gjatë, por nga vështirësia, nga emisionet që kam parë, dhe komentet për rreziqet e orteqeve, carje akulli, këto më trembin. Xhimi më thoshte që kemi një guidë shumë të mirë dhe po të mos ndihemi mirë, ose të jetë kohë e papërshtatshme nuk bëhet, por shqetësimi I nënës nuk lëshon. I thosha që nuk shqetësohem për ty, pasi me ato që ke bërë më parë, e di se deri ku shkon, por djali ka të tjera energji. Ai është një djalë me shumë vullnet dhe ka këmbëngulje, ai studion për të marrë edhe dhjeta në provime, por edhe të stërvitet.

Si ishte dita e nisjes?
Gjithë natën shumë pak fjetëm sepse u përgatitën cantat ushqimet.. Ishte një ngarkesë psikologjike pasi stërvitja kishte ditë që kishte mbaruar. I përcolla…. Ikën…. Isha në ankth të udhëtimit. I thashë Mateos vetëm “Kujdes dhe suksese!”. Unë kam qarë shumë, kam katër muaj që qaj dhe them nuk kam lotë më për të qarë. Është dhimbje për fëmijën dhe  nuk krahasohet me asgjë tjetër.  

Flisni me ta?
Kemi folur përditë deri në kampin bazë ka lidhje telefonike kurse të premten do të shkojnë deri 7600 metra dhe atje nuk ka telefon, por do të lidhen me radio me kampin bazë.

Si duken deri tani?
Deri në këto momente unë ndihem mirë sepse Mateo mu duk shumë i qetë.nga ana emocionale, mu duk mirë, I sigurtë, madje më pyeti:”Ma,  ke besim tek unë?” dhe iu përgjigja se “mami ka shumë besim te ty sepse e di që ke shumë vullnet, por me kujdes. Në cdo hap që do të hedhësh, me kujdes!”. Ai më tha se deri tani koha I ka favorizuar dhe shpresojnë që në atë pikën që alpinistët e quajnë pika e vdekjes, që është nga kampi bazë  deri në 7000 apo 7500 metra të kenë sërish kohë të mirë. Nga kjo pikë e deri në majë, nëse je shumë mirë fizikisht dhe koha e përshtatshme atëerë mund të realizohet pushtimi. Përndryshe të shkon gjithë ajo sakrificë kot. 
Grupit i kishin filluar shenjat e para. Mateo më tha se deri tani më mirë ishin ai dhe Xhimi. Shokët kishin filluar shqetësimet, dikush dhimbje koke, dikush të vjella…. Ata bëjnë ngjitje 500 metra dhe zbresin prapë në kampin bazë. Është si një skaner . Atje je komplet njeri tjetër, duhet të jesh shumë i qetë, duhet të kesh shumë të qarta gjërat, anën emocionale duhet ta kesh sa më të qetë që të realizosh dicka.
Xhimi në fakt është stërvitur shumë duke bërë nga 20 kilometra në ditë, sa në fund fare tha: “Kjo është e fundit!”, por unë nuk e besoj. Xhimi ma ka thënë që kur jemi njohur në 87-88 që e vetmja gjë nga e cila nuk do të më ndash është sporti. E ka filluar që fëmijë dhe unë e kuptoj botën e tij të brendshme. Është rritur me sportin. Ai është një pasion I tij I brendshëm nga I cili nuk mund të shkëputet, dhe fëmijës ia ka futur në gjak, gradualisht fillimisht si dicka për tu marrë gjatë fundjavave. 

Cfarë bën këto ditë?
Unë jetoj me prindërit e Xhimit në shtëpi, merrem me restorantin, pasdite mundohem të jem në shtëpi sepse djali I vogël është shumë I lidhur me Mateon dhe më vjen keq edhe për atë. Të gjithë miqtë që më rrethojnë më flasin shumë kur më shohin që më mbushen sytë me lot, më qëndrojnë shumë afër duke më bërë të ndihem më mirë.

Me familjarët e tjerë mbani kontakte?
Me tre cuna jo se janë të rinj dhe nuk kam pasur kontakt me familjarët e tyre, kurse me gjergjin, kemi miqësi të vjetër. Kam takuar të shoqen pasi ata ikën dhe më tha:”Luli kam qarë shumë!” dhe I thashë se nuk duhet të qante se “nuk të uroj ta provosh dhimbjen që ke kur ikën fëmija”. Dhe ajo shumë e shqetësuar ishte. Dy muaj mungesë në familje, nuk janë pak. Unë duhet të bëhem e fortë edhe për këtej, për veten, shtëpinë, punën, famijët, prindërit e Xhimit.  Dhe do të më vijë shumë keq nëse nuk realizohet sepse qe një lodhje shumë e madhe fizike e psikologjike. 

Ti cfarë dëshiron më shumë në fund...
Së pari do të doja të vinin shëndoshë e mirë. Por kur mendoj gjithë atë sakrificë kaq të madhe të të dyve, sidomos të Mateos që është në maturë uroj që ta pushtojnë majën. Por …kryesoja për mua është që të vijnë shëndoshë. Atje rrezikon jetën prandaj unë kam qenë kaq e shqetësuar sepse e di që Everesti është shumë i vështirë.
( ne foto Ekspedita shqiptare pozon me flamurin shqiptar ne Kampi Baze të Alpinisteve, Everest,5000 m lartesi. 17 prill 2012)
(Intervista eshte botuar ne te perjavshmen FUNDJAVA, te gazetes Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special