Nëna e vajzës: Zhdukja e Bleonës
ka vetëm një emër, Qamile Mata

Nëna e vajzës: Zhdukja e Bleonës<br />ka vetëm një emër, Qamile Mata
TIRANË - Nuk akuzon asnjë njeri tjetër përveç Qamile Matës, mbesës së ish-bashkëshortit të saj, për zhdukjen e vajzës 6-vjeçare, Bleona Mata, 3 vjet më pare në Zapod të Kukësit.

Bukurie Mata, e ftuar në studion e emisionit “Urbanika” të tv. “A1 Report!”, ngulmon në thellimin e hetimeve ndaj personit të vetëm që ka shoqëruar Bleonën e saj në momentet e fundit, personit të vetëm që i ka shpëtuar gjykimit për shkak të të qënit minorene dhe që quhet Qamile Mata.

Bukurie Mata akuzoi shtetin për hetimet e zbehta dhe mosushtrimin e presionit të duhur mbi të vetmin person që ka qënë kontakti i fundit i vajzës së saj, mbi të vetmin person që, pasi i bleu vogëlushes “10 mijë lekë ëmbëlsira”, nuk e përcolli rrugës kryesore të fshatit, por e ktheu në një rrugë anësore mali “sepse ishin pjekur luleshtrydhet”.

Bukurie Mata akuzoi ish-vjehrrën e saj për fshehjen e faktit se kish parë një djalë, me kapuç, të ngjashëm me Begzim Isën, që iu shkonte pas vajzave atë ditë, fakt të cilin ajo e dëshmoi 12 ditë më vonë.

Bukurie Mata akuzon familjen e ish-bashkëshortit të saj, të cilët, përkundrejt fëmijës së humbur, zgjodhën të mbronin mbesën e madhe me çdo kusht duke mos lënë as të heqë e as të shtojë fakte në dëshminë e saj, për të mos lënë dyshime tek policia.

Bukuria Mata gjykon se në thelb të kësaj historie është mbrojtja nga familja e moralit të adoleshentes, e cila është përgjegjësja e vetme e zhdukjes së vajzës së saj.

Bie në sy fakti se Bukurie Mata nuk akuzon drejtpërdrejt të arrestuarin Begzim Isa për humbjen e vajzës, pasi nuk ka fakte për të apo për ndonjë organizatë kriminale. Ajo thotë se “organizata e vetme kriminale për të janë pesë vajza 24 vjeçe, në mes të cilave u zhduk Bleona e vogël. Dhe ndër to, i vetmi person përgjegjës për zhdukjen dhe i vetmi person që mund ta kthejë sërish Bleonën në shtëpi, është vetëm Qamile Mata”.

VERSIONI I PLOTË I BUKURIE MATËS NË EMISIONIN “URBANIKA”

E pyetur që në fillim nga gazetarja Mirjeta Ngjela se ku e ka kërkuar vajzën e saj, nëna e vajzës së zhdukur nga Zapodi i Kukësit, Bukurie Mata, tha se e ka kërkuar vajzën në shumë shtete të Europës, kudo ku ka pasur mundësi, tërësisht me shpenzimet e familjes së saj. Kostoja e këtyre shpenzimeve ka shkuar në mbi 70 mijë euro, por kjo nuk kish asnjë rëndësi përballë gjetjes së vajzës. Ajo tregoi se ka paguar edhe një dedektiv privat, por personalisht nuk mund t’i ndalte kërkimet e veta, sepse “zemra e një nëne nuk mund të rrijë kurrë e qetë”.

Ndërkohë që Bukuria foli me shqetësim dhe natyrisht me dhimbje edhe për ish-burrin e saj, që natyrshëm është babai i vajzës, tha se “ai nuk ka bërë asgjë që t’ japi hov vetes e të kërkojë fëmijën. Lufta të përball me gjithfarë hallesh”, tha ajo, “me divorc, me vrasje, por që nga zhdukja e Bleonës, as ai dhe as familja e tij s’kanë bërë asnjë hap për ta kërkuar. Në një kohë kur gjithë populli shqiptar ka ndier dhimbje për një fëmijë që u zhduk në mes të pesë vajzave 24 vjeçe, atëherë ishin ato pesë vajza dëshmitare që e zhdukën, ishte Qamilja ajo që e braktisi”.

Në këtë moment, Bukuria vuri gishtin mbi të akuzuarën kryesore të saj për zhdukjen e Bleonës, mbesën e ish-bashkëshortit, Qamile Matën.

BUKURIA VË GISHTIN MBI PËRGJEGJËSEN E VETME TË ZHDUKJES SË VAJZËS, QAMILE MATËN

“Qamilja e di mirë se në cilin grup e çoi Bleonën; tërë familja e saj e fshehu këtë mister dhe mendo se si ndihesh të marrësh vesh kur vjehrra ime e paska parë atë person, atë djalë atë ditë dhe e dëshmoi pas 12 ditësh. Mendo se në çfarë pike arriti gjyshi i Bleonës, që nuk pas të dalë fare në televizor, kur nuk pyet asnjëherë se si e kam djalin që mbaj. Për mua, ai njeri është i rëndomte, sepse një familje që përbëhet nga gjashtë meshkuj, shkon e tëra viktimë për Qamilen”.

“QAMILJA NUK TREGON ASGJË, SEPSE ASNJË KRIM NUK TREGOHET PA USHTRUAR PRESION”

Bukuria iu kthye kësisoj temës së mosushtrimit të presionit psikologjik dhe pse jo, trupor, mbi vajzën që kish dijeni të plotë për zhdukjen e fëmijës, duke nisur nga prindërit dhe xhaxhai i saj.

“Kur nuk e detyrojnë ata Qamilen se kujt ia dha vajzën, këtë nuk e bën dot policia. Zeneli e ka Qamilen, vajzë vëllai. Pra, siç e sheh, nuk ke nga t’i japesh drejtim kësaj çështjeje, është goxha e vështirë. Dhe kjo është arsyeja që u largova nga ajo familje.

Mua më humbi fëmija, kurse ata s’e çojnë vajzën të torturohet në polici; përkundrazi, e mbrojnë dhe duan ta martojnë e ta lulëzojnë. Mirëpo Qamilja ka një rreth të madh që e mbron dhe deri më sot është shmangur nga hetimi, me pretekstin se është minorene dhe nuk e gjykon shteti. Ajo është e mësuar nga familja për ta fshehur të vërettën. Prindërit e kanë mësuar atë të thotë kurdoherë të njëjtën gjë, si në fillim ashtu dhe në mbarim”, sqaroi Bukuria.

Më tej ajo vazhdoi: “Por, si mund ta mbyllin kështu zhdukjen e kësaj jete të pafajshme?! Fëmija nuk lihet i arratisur, i zhdukur. Bleona është e pafajshme, kushedi ku është burgosur për së gjalli…Por kush e mendon këtë?! Vetëm nëna!

Kjo është katastrofë, e kam thënë edhe në Krimet e Rënda se nuk më ngop Qamilja, por tërë ajo familje se asnjë prej tyre nuk e di se çfarë përjetoj unë, që s’e kam pranë. Ku është që ta laj, ta kreh, ta mësoj…(Bukuria qan në studio)

Ajo I rikthehet sërish të akuzuarës së saj, përgjegjëses së zhdukjes: “Qamilja e di shumë mirë se kujt do t’ia çonte, ndaj duhet të torturohet, të pyetet. Gabimi ynë si familjarë është se nuk kemi bërë atë që duhet që në fillim, pasi vajzat na çuan në “humnerë”: jo e ka zënë gjumi, jo ka shkuar aty, jo këtu. Por ato e kanë ditur që ka qënë Qamilja që e ka shoqëruar dhe Qamilja të thotë ku e ka çuar. Turpin ato janë mësuar ta hanë me bukë, por çfarë ka bërë, t’i mbajnë mbi kurrizin e vet, s’më intereson asgjë përveç vajzës sime”.
Pyetjes së gazetares se a kish dijeni për klinika transplantesh në Kosovë dhe mundësinë që Bleona të jetë marrë për këtë qellim, Bukurie Mata iu përgjigj:

“ZEMRA S'MA PRANON VRASJEN E VAJZËS. ËSHTË GJALLË SE ËSHTË FËMIJË E VEÇANTË”

“Si nënë, s’më shkon në mendje se i ka ndodhur diçka; për mua, ajo është gjallë dhe sot do të ishte 9 vjeç e gjysëm. Ishte 5 vjeçe e gjysëm dhe dinte 3 gjuhë të huaja, goranisht, spanjisht, maqedonisht…

Atë shtator do të futej në shkollë, ndaj, ato ditë ne i bëmë një certificate që ta çonim të hënën për një operacion plastik, se ishte djegur pak në fytyrë, por ajo u zhduk”.

PERSONALITETI I QAMILES, I FSHEHTË

Lidhur me personalitetin e kësaj vajze, Bukuria u shfaq e irrituar me faktin se “Si guxoi Qamilja e ma mori vajzën pa dijeninë time dhe e dorëzoi në mes të pesë vajzave, si?! Qamilja është si magjistare, aty flet e aty ndërron mendje, pa lidhje.

Ato vajza atë ditë kanë pasur 4-5 telefona me vete. Qamilja e mori Bleonën me vete në rrugën kryesore të fshatit, e ka deklaruar këtë pronari i dyqanit ku i bleu 10 mijë lekë ëmbëlsira dhe nuk e çoi rrugës së drejtë, po malit, me fjalët “eja, se janë pjekur luleshtrydhet”.

Atë ditë të zhdukjes së vajzës, ishim duke kryer punët e fshatit dhe prisja kunatën nga Tirana. Tërë fëmijët ishin kur në shtëpi telefon kunata: A ka ardhur Bleona? Bleonën e kish marrë Qamilja. Qamilja tha se më fishkëlleu një person, dy herë e thirra Bleonën dhe herën e tretë s’mu përgjigj.

Vajzat e tjera thanë se Qamilja ishte personi i fundit që e shoqëroi duke ngrënë bukë.
Pesë vajza në moshën 24 vjeçe, braktisin fëmijën dhe thonë: unë e fundit, ti e fundit..?! Ç’të bëj që më dhimbset djali, se është 7 vjeç…

Arsyet pse ajo nuk tregon ç’i ka bërë vajzës më bëjnë të mendoj se ka pasur presion, se është mashtruar. Ajo e di se ku e ka çuar, ajo e di pse e ka bërë, por është gjynah të vuajë një fëmijë për shkak të saj”.

DYSHIMET PËR TË ARRESTUARIN ISA, LIDHJET FISNORE DHE ARSYET E FAMILJES PËR TË MBROJTUR QAMILEN

Lidhur me ballafaqimin e bërë në polici ndërmjet Qamile Matës dhe Begzim Isës, Bukuria Mata tha se nuk kishte dijeni për këtë fakt. Ajo dinte vetëm se Qamilja e paska parë atë në gjendje të vështirë, se ka thënë se ka pasur lidhje me Begzim Isën, se Sul Hisa dhe Bajram Isa, janë mbesë e dajë dhe këtë nuk duhet ta fshehin.

Ndërsa i tregohet fotografia e të arretsuarit Begzim Isa, Bukuria fajëson ish-vjehrrën e saj se ka fshehur fakte: “Ime vjehrrë e pa personin dhe njëherë flet ndryshe e njëherë tjetër, ndryshe. Atë ditë u mblodhën 800 vetë, tërë fshati, për të kërkuar Bleonën dhe ime vjehrrë nuk tha asnjë fjalë se e kish parë këtë person, sepse fsheh turpin e vajzës së vet.

Por këtu po luhet për jetë rinie, jetë fëmije, jo për një plaçkë. Bleona është fëmijë, ajo duhet të kthehet pranë familjes, pranë të dashurve të saj, pranë nënës”.

E pyetur nëse dyshonte që rrëmbimin e ka kryer ndonjë organizatë kriminale, Bukurie Mata tha se “për mua, organizatë kriminale janë pesë vajzat. Nuk di të them për Begzim Izën, por di të them se Qamilja e di të vërtetën dhe ajo është këmbë e kokë brenda zhdukjes së Bleonës”.

BUKURIE MATA: TË QËNIT MINORENE PO E SHPËTON NGA HETIMI, QAMILEN

Në përfundim të emisionit, Bukuria Mata u pyet se çfarë do kërkonte nga drejtësia të bëhej për këtë çështje dhe ajo u shpreh:

“Dua të ballafaqohem me vajzat. Dua të merren në paraburgim. Pse nuk arrestohet Qamilja? Çfarë drejtësie kërkon nga ana ime, shteti?! Nëse vajzat nuk merren në paraburgim, ato asnjëherë nuk do të tregojnë. Po të kish drejtësi, çështja do të ishte zbardhur për tre ditë. Unë dal garant 100% se Qamilja e di kujt ia dha fëmijën dhe atë e ka mësuar familja e saj të fshehë të vërtetën.

Deri më sot, ajo një shuplakë në fytyrë nuk e ka marrë, asnjë lloj presioni nuk është ushtruar mbi të dhe ajo nuk tregon asgjë. Si mund të pretendohet atëhërë të tregohet një krim?! Do ta falim se është minorene?! Kjo është katastrofë! Ajo s’ka asnjë presion nga familja dhe as nga shteti, por rri e qetë, ka një çehre të patrembur, sikur ka qënë në ndonjë banket: nuk ia ndien fare, rri këmbë mbi këmbë dhe qesh.

Shpresoj se Zoti do bëjë mirë, për hatrin e atij ëngjëlli të pafajshëm...”, përfundoi Bukurie Mata, nëna e vogëlushes së humbur Bleona Mata, nga fshati Zapod i Kukësit.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie