Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, “sillet në Bruksel si ambasador i Ramës”. Në fjalën e tij, Berisha tha edhe se Gonzato po mjegullon procesin e integrimit.
Këtë linjë ndoqi edhe Tedi Kopliku, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, gjatë lidhjes direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Sipas tij, ambasadorët shqetësohen për molotovët që kanë në dorë, ndërsa ambasadat nuk janë aktive.
“Që me znj. Kim, Mogherinin e deri te ambasadorët që shqetësohen për molotovët dekorativë dhe jo për shkatërrimin e demokracisë, janë një problem serioz mbi të cilin duhet vënë gisht sepse opinioni shqiptar duhet të ishte i informuar për pandjeshmërinë e BE, aq sa do të duhej të kishte, në raport me shkatërrimin e demokracisë. Rasti i Ballukut e tregon në mënyrën më demonstrative këtë shkatërrim demokracie. Nuk i shohim ambasadat aq aktive, madje ishte interesante që ditën e refuzimit të heqjes së imunitetit, ambasada amerikane shfaqte njoftime për vende pune dhe kjo ishte deri diku cinike sa i përket besimit që shqiptarët kanë te ndërkombëtarët për mbrojtjen e kësaj demokracie që është në rrezik më shumë se asnjëherë”, tha Kopliku.
Për avokatin Edmond Petraj, fjalët e Berishës i përkasin një njeriu që nuk ka çfarë humb më. Ai i ka larguar zërat kundërshtarë brenda partisë, ku avokati veçon Salianjin.
“Unë e shikoj si një veprim që nuk ka ç’humb më. Në këtë fazë që është Berisha, duke qenë se ka edhe zgjedhjet përpara të lidershipit të PD, ka probleme të jashtëzakonshme, ka zëra të brendshëm. Zërat kundër i ka larguar. Salianji, që ishte oksigjen për PD, e largoi”, shprehet Petraj.
Pas mbledhjes së Kryesisë, është bërë e ditur se më 30 prill duhet të përmbyllet procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të degëve vendore të PD. Më 23 maj do të mbahen zgjedhjet për drejtuesin e ri të partisë, ndërsa Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 6 qershor.
Një nga pikat e nxehta të diskutimeve të Kryesisë ishte ngritja e një grupi për ndryshimet statutore ku prekin nenin ‘Basha’ që parashikon largimin nga detyra të kryetarit të partisë në rast humbjeje të zgjedhjeve parlamentare.
Kopliku thotë se nuk di të jetë diskutuar për heqjen e nenit, por thotë se s’është i keq.
“Përveç mediave nuk di se është diskutuar diku për heqjen e nenit Basha. Nuk është nen i keq”, shprehet Kopliku.
Ndërkohë protesta e radhës së PD është njoftuar më 22 mars. Kopliku mendon se ajo ditë duhet të shënojë radikalizim dhe një pikë kthese për opozitën.
“Mendoj se duhet të vijë drejt një radikalizimi sepse s’mund të vazhdojë në të njëjtën formë për të pritur rezultate të ndryshme dhe protesta e 22 marsit patjetër duhet të ketë diçka ndryshe sepse janë konsumuar të gjitha armët e Ramës që nuk lëshoi as Ballukun. Protesta e 22 marsit duhet të jetë një pikë kthese sa i përket opozitës shqiptare”, tha Kopliku.
Ndryshe nga parafolësi, Petraj mendon se protesta nuk do të ketë asnjë risi.
“Thjesht do të vazhdojë të ushqejë me oksigjen shpresën e demokratëve derisa të vijnë zgjedhjet e reja”, tha ai.
Biseda u ndal pak edhe te çështja Balluku, ku sipas Koplikut, kishte prova të mjaftueshme për heqjen e imunitetit, por deputetja socialiste gëzon mbrojtjen e Ramës.
Ndërsa për avokatin, Rama gaboi politikisht, por imuniteti nuk bllokon hetimin.
“Prova që paraqitet për të hequr imunitetin, duhet të jetë më e madhe sesa pesha funksionare e titullarit brenda forcës politike, parlamentit ose ekzekutivit”, tha ai duke theksuar se duhet të jetë bindëse.
Komente












