GREQI - Pak muaj pas anulimit të dhënies së nënshtetësisë greke për emigrantët, Agjencia kombëtare e lajmeve greke ka risjellë në vëmendje këtë çështje me faktin e pasojave pozitive që solli ky proces.

AMNA shkruan duke cituar Ministrinë e Brendshme, se procesi i dhënies së nënshtetësisë greke fëmijëve të emigrantëve në zbatim të ligjit përkatës që u vendos në mars 2010 nga qeveria e PASOK-ut dhe që u shpall përfundimisht si antikushtetues nga Gjykata e lartë, ka qenë mjaft pozitiv.

Një dokument i paraqitur nga zëvendësministri i Brendshëm, Haralambos Athanasiu bën të ditur se “numri i aplikimeve për nënshtetësinë greke që u paraqitën nga data e hyrjes në fuqi të ligjit 3838/2010 e deri më 31.12.2012, ishte 39.772, e nga këto aplikime, morën nënshtetësinë greke 13.425 shtetas të huaj”

Por pavarësisht se ligji për nënshtetësinë u hoq, mbi 8 mijë fëmijë shqiptarë të cilët kanë përfituar dhe të , nuk do t’u hiqet nënshtetësia greke.

Raporti i zëvendësministrit shoqërohej edhe nga tabela të detajuara, që kishin të bënin me periudhën kohore nga 24.03.2010 deri më 22.08.2012, lidhur me numrin e aplikimeve për çdo periferi, si dhe vendet e origjinës të aplikantëve.

Sipas të dhënave, në periudhën nga 24 marsi 2010 deri më 22 gusht 2012, numri i përgjithshëm i personave që morën nënshtetësinë greke për arsye të lindjes në Greqi, ishte 4.595 persona. Nga këta, 3.501 ishin aplikantë që kishin si vend origjine Shqipërinë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)