"Nëntori 18", Shoshi: Katedralja e 
Shkodrës u deformua pas restaurimit

Shkodrës u deformua pas restaurimit">
TIRANE- Ekspozita “Nëntori 18”, që u çel mbrëmë në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve, ishte në një nivel më të lartë krahasuar me vitet e tjera. Këtë vit kishin ardhur vepra të reja, surprizuese nga piktorët Zef Shoshi, Besim Tula, Gazmend Leka, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Brikena Bërdo, Buron Kaceli, Kleves Krisiko, Nikolin Ivanaj, etj, etj. Piktorët e traditës dhe të rinjtë ishin bashkuar me krijimtarinë më të zgjedhur të ditëve të fundit. U shfaq një ekspozitë që tregonte dashuri dhe respekt për artin pa kufij. Vitet e tjera, ky aktivitet edhe pse mbahej me këmbëngulje e sakrifica nga organizatorët, të zhgënjente jo pak me prurjet...

Ra në sy se artistët pjesëmarrës të kësaj ekspozite në këtë edicion nuk kanë synuar të prezantohen vetëm me shijet e tyre estetike, por kanë prezantuar edhe vepra që godasin në shenjë problemet e shumta të realitetit shqiptar e më gjerë. Parë në këtë fokus ishte piktura me përmasa murale e Besim Tulës, një diptik që mes elementëve të modernitetit të stilit të këtij autori, që shpaloste satirën për korrupsionin dhe siç pohon autori gjatë komentit që i kërkuam, reflekton edhe “imazhin e një çoroditjeje të rendit apo të mënyrës si funksinon qeveria me sistemet e drejtësisë dhe të taksave”.

Vepra është simbolike për t’u shjeguar më tej, por vihet re që gjatë grabitjes së një banke policia kap viktimën në vend të fajtorit. Fajtori vazhdon të kërcënojë me armë dhe në pjesën e dytë të veprës, personazhi që sipas Besim Tulës përfaqëson popullin e thjeshtë ka një shtrëngesë, një prerje në fyt që i vjen nga sistemi qeverisës. Ndërsa Piktori i Popullit, Zef Shoshi, prek një temë edhe më delikate, atë të shpërfytyrimit të monumenteve të kulturës. Piktori i madh, Zef Shoshi, që me një sinqeritet të admirueshëm thotë se nuk guxonte në rininë e tij të trokiste në dyert e komiteteve për t’i thënë Ramiz Alisë “mos ta prishni katedralen e Shkodrës që u projektua nga Kolë Idromeno”, pengun e tij e shdërroi në art.

Aty në pejisazhin e tij “denoncohet” vetvetiu shpërfytyrimi që i kanë bërë restauruesit dhe rindërtuesit Monumenit të Kulturës. Rindërtimi dhe resaturimi i katedrales nuk është bërë sipas projektit original. Kjo shihet edhe në pejisazhin e Zef Shoshit, punuar në telajo sipas një skice të vitit 1963, kur kjo katedrale qëndronte ende në këmbë. Duke e krahasuar me një foto aktuale shpërfytyrimi është flagrant...
 
Zoti Shoshi, duke iu vlerësuar si një nga autorët më të hershëm të arteve pamore në mesin e pjesëmarrësve, jemi kurioz të dimë se çfarë veprash keni sjellë në këtë ekspozitë?
-Unë kam sjell një pejisazh dhe një portret të kompozuar. Pejisazhi i kushtohet Shkodrës së viteve ‘60. Atë e kam bërë pikturë në telajo, sipas një skice të marrë nga unë prej shtëpisë së Angjelin Dod Masejit në Shkodër në vitin 1963, kur katedralja dhe këmbanorja nuk ishin prishur ende. E përpunova më vonë skicën dhe sivjet e përpunova më shumë dhe ja tek është. Vec kësaj kam edhe një portret që edhe atë e kisha menduar shumë vite më parë dhe pas shumë provave arrita në një konkluzion të kësaj pune të fundit, që është dhimbja e nënës për tragjeditë që ndodhin, por është ideja e përgjithshme e tragjedisë së një nëne.
 
Ka pasur një personazh real që të ngacmoi për këtë portret?
 -Skica filloi që nga ngjarjet e Kosovës, dhe erdhi duke e përpunuar gradualisht.
 
Siç po kuptoj ju mbakeni në sirtar shumë skica. Ka një mumër që mund të na thuhet?
 -Se kam parasysh fare sa janë. Unë gjithnjë në punë jam. Janë një dynja e dosjeve, kudo janë rreshtuar në dollape, pas rrafteve, e ç’të them, madje disa vizatime m’i kam marrë edhe kolekionistë të ndryshëm
 
Ku shtrihet “gjeografia” e këtyre koleksionistëve?
 -Po në disa vende. Kanë marrë dy punë në Spanje, nja 4 në Damikmarkë, kanë marrë punë të miat në Itali, etj. Gjithandej.
 
Më ngacmon fakti që me një skicë të bërë reth 50 vite më parë, i jeni rikthyer pikturimit të Katedrales së Shkodrës. Pse tani?  
-Ishte një skicë ide që unë doja ta hidhja në telajo
 
Lufta kundër fesë ta ndaloi ta bëje në atë kohë?
 -Jo tamam. Në fakt unë pas demokracisë e hodha në telajo, sepse më ka ngelur ne mendje që ka qenë një kambanore e veçantë, ndryshe nga ajo që është ribërë, që është ribërë më e ngushtë dhe më e shkurtër dhe me tulla gri. Origjinalja ka qenë si një kullë e lartë, e bukur, e veçantë dhe prej një skice arkitekturore të Kolë Idromenos, me veçori stilistike dhe të propocioneve të saj. Është shpërfytyruar. Nuk është është më e tillë dhe nuk është ribërë sipas projektimit të Kol Idromenos. Më ka ngelur peng se atëherë sa herë mendoja në veten time, ëndërroja më mirë të them, por nuk guxoja t’i thosha Ramiz Alisë që t’u thoshte atyre në Komitetin e Partisë mos e prishin këtë katedrale në ‘67-n.

Dhe isha rreth 30 vjeç, nuk isha i vogël, por nuk guxoja, ndërsa e admiroja atë katedrale. Jo vetëm unë. Atëherë ishte e pamundur të trokiste kush në ato dyer për këto probleme. Me keqardhje të madhe them që janë prishur gjëra që duheshin ruajtur, edhe elmentë të trashëgimisë siç është kjo katedrale. Dhe kjo humbje për herë të dytë e kambanores origjinale më ka shtyrë më tepër të përpunojë këtë pejisazh. Nuk është ribërë siç duhej. Aq më tepër që këtë e ka projektuar Kolë Idromeno. Edhe tullat janë bërë gri, origjinalet kanë qenë të kuqe...
 
Historiku
Katedralja e Shkodrës, kushtuar figurës historike Shën Shtjefnit
 Kisha Katedrale e Shkodrës i është kushtuar Shën Shtjefnit, i pari Martir, i njëjti Pajtor i kishës ekzistuese në Kështjellën Rozafa, mbetjet e së cilës ekzistojnë ende. Përmendet nga Marin Barleti në vitin 1478, ku kujton Pajtorin e Shkodrës.
Më kërkesën e besimtarëve të Shkodrës, më 7 prill 1858 nisi rindërtimi në qytet, sipas projektit të një arkitekti austriak. Ndërtimi i saj kaloi nëpër disa etapa. Tavani u ndërtua me katrorë në trajtë kutie, sipas projektimit të Kolë Idromenos. Inaugurimi i Katedrales u bë në 1865 kur Kryeipeshkëv ishte Imzot Luigj Çurçia. Më 1913 u bombardua prej ushtrisë malazeze.

Predhat dëmtuan krahun jug-lindor të kishës e shkaktuan djegien e kambonares. Gjatë diktaturës komuniste pas arrestimit të Dom Mikel Koliqit (më 3 shkurt 1945), vjen revolucioni famëkeq “kultural” i 1967-s, ku u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri, ndërsa Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti. Më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga At Aleks Baqli ofm. Mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre shtatorja që paraqet Shën Mhillin, vepër e çmuar në dru e Kol Idromenos dhe më pas u rindërtua kambanorja, etj
 
Disa nga veprat e ekspozuara në %u201CNëntori 18%u201D.

Gazmend Leka

Gazmend Leka

 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë