“Lidhja jeme shpirtërore me Drinin asht se m’ka rujt kur unë nuk kam ditë as mujt me rujt veten, e as familja mu… Drini për mu asht përtej një lumi, asht frymim… asht jeta për mu edhe gjithë komunitetin në dy anët e tij”, kështu e përmbledh lidhjen me vendin e saj, Marjana Koçeku ose siç quhet ndryshe Neomalsorja. Është rritur brigjeve të atij lumi dhe përballur shpesh me sfidat dhe rreziqet. Ishte jo më shumë se 11 vjeç kur në rrethana të jashtëzakonshme është gjendur në timonin e një mjeti lundrimi në luginën e Drinit. Një urgjencë shëndetësore e një grupi turistësh francezë do t’i ndante bashkë me vëllanë e saj në dy role për të shpëtuar jetë. Shikimi i të atit me krenari kur mbërrin në kalatën e digës në Koman, i ka shënjuar gjithë jetën e saj. Një vetëbesim që do të vazhdonte të rritej luginës së Drinit, në sfidat e pandalura të saj dhe familjes.
Gjimnazi i Jezuitëve “At Pjetër Meshkalla” do të ishte një tjetër etapë që do t’i forconte një lidhje të re shpirtërore, atë me elitën e Shkodrës, të përndjekur e të persekutuar gjatë regjimit komunist. Në çdo derë klase, thotë Marjana, ishte një emër martiri dhe mësuesit na e rrëfenin ditën e parë të shkollës historinë e secilit. “Shpesh kam imagjinu po sikur të mos këputej zinxhiri i asaj elite të Shkodrës e mbarë Shqipërisë, po sikur ata të kishin vazhdu kontributin për atdhe, si do të ishte Shqipëria sot?” Ajo flet me shumë pasion për traditën, origjinalitetin dhe vlerat e vendlindjes që ruhen të paprekura “ashtu si nanat tona i rujnë gjanat me vlerë në arkën e bukur të nusnisë, ashtu Veriu ka rujt vlerat e veçanta që bota i ka harru apo humb krejt”.
Marjana Koçeku flet gegnisht në parlament dhe thotë se nuk asht thjesht zgjedhje por përkatësi. Kostumi formal i deputetes nuk ia ka zbehur aspak lidhjen me xhubletën. “Nuk e kam ndrru petkun” thotë ajo me krenari ndërsa rendit sfidat e zhvillimit të zonës dhe gjithçka ka nisur të ndryshojë. Rruga e Komanit, e Dukagjinit dhe shumë projekte të tjera që kanë nisur apo së shpejti do të startojnë, e afektojnë krejt zonën e malësisë. I rikthehet vazhdimisht lënies në harresë të Veriut për shumë vite nga njëra qeveri në tjetrën, ndërsa tregon pse beson se Partia Socialiste dhe kryeministri Rama do t’i japin zhvillimin e shumëpritur krahinës. Koçeku flet edhe për turin “Punët e Shqipërisë” dhe çfarë pritet të sjellë, ashtu si dhe për integrimin e Shqipërisë në BE si një ndër kauzat më të rëndësishme të kësaj mazhorance. Ndërsa debati brenda partisë për të asht veçse një element i funksionimit të demokracisë.
Thirrja për Drinin, ose “Drini 2030” është nisma e saj si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Katastrofën mjedisore që e kërcënon rrjedhën e këtij lumi, e sheh si problematikë jo vetëm mjedisore por edhe si dëm për ekonominë e kësaj zone. Ajo ka një thirrje dhe kërkon bashkëpunim mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës për t’i dhënë zgjidhjen finale pastrimit të lumit Drin, qysh në origjinën e tij, në Pejë./TemA
Komente










