Bizneset në vend nuk janë të sigurt për ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe janë pikërisht këta të fundit ata që e ngrenë këtë shqetësim nisur edhe nga situata e rendit kohët e fundit. 

Shqetësimi u ngrit edhe në A1Report në emisionin “Teta a Tetë” të gazetarit Artur Nura ku ditën e sotme u trajtua një çështje tepër e ndjeshme si ajo e situatës së rendit dhe politikës. 

Ishte biznesmeni Nikollaq Neranxi i cili gjatë debatit në studio u shpreh se biznesi ndjehet i pambrojtur nga ligji. Neranxi nisur nga grabitja që ndodhi në biznesin e tij pak ditë më parë, shpjegoi arsyet se përse ai nuk ka qëlluar ndaj grabitësve. Sipas tij rojet e bizneseve apo edhe pronarët e tyre nuk mund të përdorin armët kundrejt kriminelëve, pasi ligji i dërgon në burg e dënimi minimal është 7 vjet. 

Sipas Neranxit nëse një biznesmen apo një roje private qëllon mbi kriminelët atëherë ai dënohet pasi nuk ka një ligj që ta mbrojë atë.
 
“Policia e bën punën siç duhet dhe për këtë duhet të vlerësohet por mungon ligji që e detyron qytetarin të zbatojë ligjin.  Politika nuk e ka ende një ligj që të detyrojë qytetarin dhe policin të zbatojnë ligjin kudo,”- tha Neranxi.

Teza për amendimin e ligjit të armëve dhe mbajtjen apo përdorimin e tyre nga bizneset apo individët u shtrua si një domosdoshmëri ashtu sikurse e ka edhe SHBA. Sipas tyre ligji duhet të përcaktojë qartë përdorimin e armëve në rastet e vetëmbrojtjes. Sipas Neranxit biznes duhet të mbrohet me ligj. 

Nga ana tjetër pesë të ftuarit në studio ishin të njëjtit mendim se biznesi duhet të ketë më shumë siguri.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)