Nesër fituesi i konkursit
të dramës shqipe

Nesër fituesi i konkursit<br />të dramës shqipe
TIRANE- Juria e konkursit të dramës shqipe ka përzgjedhur tashmë fituesit të cilët pritet të bëhen publik ditën e nesërme në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Drama fituese do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar në muajin nëntor, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërkohë që, siç është bërë më dije më parë nga ky institucion, veprat e tjera që do të përzgjidhen mendohet të shfaqen në rrethe.


Fituesi do të marrë pjesë edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, i cili pritet të zhvillohet në muajin nëntor të këtij viti e ku do të marrin pjesë të gjithë teatrot shqipfolës. Juria që mori në shqyrtim rreth 30 veprat e konkursit përbëhet nga dramaturgu Mihal Luarasi, aktorët Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Sesilia Plasari, dramaturgu Bashkim Hoxha dhe studiuesi i letërsisë Basri Çapriçi nga Kosova.

Konkursi i shpallur që në janar të këtij viti është shtyrë dy herë në mënyrë që të merrnin pjesë sa më shumë krijues shqiptarë edhe jashtë vendit. Tema e konkursit ka qenë “Drama shqipe në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar”, ndaj veprat e saj kanë karakter të mirëfilltë historik, duke evokuar një ngjarje kulmore të historisë kombëtare.

Disa nga pjesëmarrësit dhe dramat të cilat marrin pjesë në këtë konkurs janë Teodor Laço me “Vatani i harruar” dhe “Toka ime”, Odise Plaku me “Shtëpia e re”, Osman Goranci me “Zonja me maskë”, Bashkim Kozeli me “Ëndrra e Ismail Qemalit”, Skifter Këlliçi me “Gjyqi i tradhtisë së lartë”, Hekuran Zhiti me “Të mblidhemi në Lushnjë”, Stefan Çapaliku me “Provat gjenerale të pavarësisë”, Gazmend Krasniqi me “Edipi kërkon autor”, Agim Shehu me “Dhimbjet e lirisë”, Sokol Angjeli - “Ditë sa njëqind vjet” dhe Ruzhdi Pulaha - “Burri që nuk vdes dot”, etj.

Ky konkurs është një bashkëpunim mes TK-së dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e cila do të shpërblejë çmimin e parë me 500.000 lekë të rinj, çmimin e dytë me 300.000 lekë të rinj dhe çmimin e tretë me 200.00 lekë të rinj. Që në fillim të vitit ky konkurs ka qenë prioriteti i MKTRS-së për këtë vit.

(sg/atsh/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Që 12 vjeç me leucemi, Vojsava: Marr borxh për ilaçe, shteti s’mi rimburson

Që 12 vjeç me leucemi, Vojsava: Marr borxh për ilaçe, shteti s’mi rimburson