Deputeti demokrat Saimir Korreshi propozoi një ‘amendament’ të çuditshëm në Kuvend, që sipas tij kishte të bënte me mënyrën sesi duhet të ofendohet dikush nga nëna, për të qenë konform asaj që ai e cilëson si etikë europiane.

“Do ta mbyll me një amendament, nuk e di zoti Ulsi nëse do të ma aprovoni, duke përfaqësuar sjelljen dhe zakonet sipas standardeve Europiane dhe duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit linguistike, propozoj që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse doni të shani ndonjërin nga nëna mund t’i thoni ‘ratione mate rahe’. Dhe kështu do të bëheni me etikë europiane”, tha mes të tjerash Korreshi.

Ndërkohë marrë shkas nga fjalët e Korreshit, Ulsi Manja i tha deputetit demokrat se kishte nevojë për trajnim në Akademinë e Barinjve.

Manja shtoi se Korreshi e pikturonte gjendjen në Shqipëri shumë të zezë, ndërkohë që e vërteta sipas tij është krejt ndryshe. Kjo sipas Manjës ishte një ndër arsyet që qytetarët e kanë braktisur PD-në.

“Sot m’u përforcua ideja tamam se e paska pasur megjithëmend në Komisionin e Ligjeve kur përmendi Akademinë e Barinjve. Ky e thotë me shaka, por unë e kam megjithëmend që të zërë radhën te akademia e barinjve, se seriozisht ke nevojë për trajnim. Sepse ka një ironi therëse në atë që ai thotë, ky përpiqet që ta pikturojë Shqipërinë me të zezë edhe ta çojë në fund të botës, kur qytetarët shqiptarë shkojnë përpara dhe vijnë këtej nga ne. Mos hiq dorë nga akademia e barinjve Saimir, ma beso këtë gjë. Uroj që të mos ndërpriten valët përtej Rrogozhinës, se po na mbeti Saimiri pa valë pastaj në telefon, vaj hallin se çfarë pikture do na sjellë të enjten tjetër këtu”, tha Manja.

Ndërkohë Korreshi tha me ironi se e pranonte propozimin e Manjës për t’u bërë bari, por tha se në Shqipëri mungonin delet.

“Ore unë jam dakord me propozimin e Ulsiut që të bëhem edhe bari, por delet ku janë o Ulsi, se këta kanë shfarosur edhe delet. Delet ku janë o Ulsi se na duhen për Bajram”, shtoi Korreshi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia