Inter dhe Milan luajnë nesër në 20:45 derbin e "Madonninës". Për javën e 21-të në Serie A, dy skuadrat nga Milano do kërkojnë të veshin qytetin me ngjyrat e tyre. Përpara ndeshjes për mediat foli trajneri i Milan, Stefano Pioli. Numri një i kuqezinjve tha se ekipi është stërvitur mirë për të bërë kthesën, teksa sipas tij kritikat i bëjnë mirë ekipit. Ibrahimovic ende nuk është gati dhe do qëndrojë sërish në tribunë për këtë duel. Para derbit, Inter me 40 pikë është në vendin e dytë, teksa Milan me 38 pikë në vendin e pestë.
"Jemi stërvitur shumë. Pas këtyre momenteve të vështira që kemi kaluar, nisëm punën me shumë vendosmëri dhe vëmendje. Derbi i nesërm është një mundësi e madhe dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta fituar. Në ndeshje të tilla të rëndësishme, episodet mund të vendosin ndeshjen dhe në finalen e Superkupës ne pësuam gola nga gabimet tona. E kemi studiuar dhe do të duhet të bëjmë më mirë nesër.Interi ka arritur më mirë, ata kanë bërë më mirë vitin e kaluar edhe në kupa. Ne dolëm më mirë në ligë dhe ne ende kemi shansin të dëshmojmë se jemi më të mirë se ata", tha fillimisht Pioli.
Më pas trajneri i Milan u ndal edhe te kritikat që skuadra e tij ka marrë për ndeshjet e fundit jo të mira të zhvilluara.
"Kritikat nuk janë të tepruara, janë të gjitha aty. Vetëm njerëzit mediokër nuk pranojnë gabime të caktuara, ne mund të bëjmë shumë më mirë dhe unë mund ta ndihmoj skuadrën në një mënyrë tjetër. U thashë lojtarëve sot se jam gjithnjë e më i bindur për këtë grup që kam. Milani im nuk ka përfunduar, por ne duhet ta vërtetojmë këtë", tregoi Pioli.
Numri një i stolit të Milan foli edhe për mungesën e gjatë të Ibrahimovic, duke konfirmuar se mund të jetë gati për ndeshjet e Champions kundër Tottenham.
"Zlatan ka një rëndësi të madhe për ekipin. Dje u stërvit 10 minuta dhe dy ndeshjet me Tottenhamin në Champions vijnë së shpejti. Tani nuk kemi garanci se kur do të jetë 100% për të ndihmuar ekipin. Uroj me gjithë zemër që ai të kthehet në nivelin e tij. Duke mos patur asnjë garanci, nuk mund të bëja zgjedhje tjetër dhe ia komunikova pak ditë më parë që do e lija jashtë", tha Pioli.