Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare. Kreu i qeverisë u prit në Presidencë nga Vjosa Osmani. Në fokus të takimit, sipas mediave në Kosovë, ishin koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë-Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.”

Gjatë takimit, bëhet e ditur se u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike.

“Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, thuhet më tej.

Ndër të tjera Osmani dhe Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

Pas këtij takimi Rama ndodhet në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala. Në orët në vijim kreu i qeverisë do të zhvillojë edhe një takim me Kryeministrin Albin Kurti, teksa do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.


Lajmi kryesor:

Gjyqi ndaj liderëve të UÇK-së/ Rama: Osmani u kërcënua se nuk lejoi prokurorët t’i dhunonin zyrën! Gjykata e Hagës, më politike se ato të Serbisë (VIDEO)